Prijatari i konceptit evropian për shqiptarët

Kultura

Prijatari i konceptit evropian për shqiptarët

Nga: Mehmetali Rexhepi Më: 2 shkurt 2019 Në ora: 16:40
Mehmetali Rexhepi

Që në hyrje të paraqitjes së përmbledhur të librit studimor “Adhuruesit e kulturës europiane”, studiuesi Shefik Shkodra ngre konstatime që shpijnë  në morinë e krahasimeve; krahasime në kuptimin e drejtpërdrejtë e të tërthortë të dy krye-personazheve adhurues dhe bartës të kulturës evropiane: Gijom Apoliner (Vihelm Apolinaris de Kostrovicki-Guillaume Apollinaire) dhe Faik beg Konica. Të veçantat dhe të përbashkëtat e krahasimeve dhe konstatimeve u përkisnin ngjizjeve të reja kulturore, etike, etnike, letrare-artistike, shkencore, publicistike, shpirtërore, diplomatike dhe evoluimit të politikës e të ri-konfigurimeve të sistemeve politike-shtetërore në Evropën e këtyre  bashkëkohësve të shquar.

Konstatimi, siç do ta shohim në këtë studim madhor të munguar, i përfaqësimit të modelit shqiptar në majën, pothuajse, të paarritshme të kulturës evropiane, pos si brengosje e atyre pak mendje-ndriturve shqiptarë, por jo pa shpresë, për ta mëkëmbur temën e rrënuar shqiptare në Evropë, është i këtillë si e përkufizoi autori: Te popujt tjerë europianë ishte shkas për një tejkalim të sistemeve e regjimeve të deriatëhershme, te shqiptarët ishte koha e një shkalle zero. Mirëpo, edhe pse shumë të vonë, nuk ndenjën duarkryq  e të paangazhuar.

Rrethanat i kushtëzuan veprimtarët shqiptarë të ngrenë qerthuj kulturorë jashtë trojeve të tyre të pushtuara, si në Napoli Jeronim De  Rada; në kryeqendrën e Perandorisë Turke, në Stamboll Naim e Sami Frashëri; në Rumani, në Bukuresht ku u botuan veprat e Naimit; në Belgjikë ku doli Albania revistë kulturore-artistike, sociale e shkencore në dy gjuhë; Albania e Vogël, gazetë politike e Ismail Qemalit; në Bullgari Kalendari Kombiar, pastaj gazeta Drita me veprimtari botuese; në Egjipt Besa, Shkopi, Bashkimi i Shqiptarëve, më vonë në Amerikë Kombi, mandej Dielli; në Beograd Albanija; në Stamboll Shqiptari, Besa; në Gjenevë L`Albanie...

Brenda 321 faqesh libri, 21 centimetrash, studiuesi Shkodra spikati gjithanshëm e me një përkushtim të admiruar këndvështrime jetësore, intelektuale, artistike, shkëmbime pikëpamjesh, letërkëmbime, përkime karakteresh dhe dallimet mes Gijom Apoliner-it, një i huaj i natyralizuar si francez dhe shqiptarit sedër-madh Faik Konica. Përkitazi këtyre figurave, gjithsesi plekset  dhe atmosfera  kulturore politike në Evropë, përkatësisht në Francë e më gjerë, ku shtrihej hapësira e fushëveprimit të njërit ose personalitetit tjetër.

Padyshim Faik Konica përfaqëson veprimtarin e  mendjes e të letrave, urtarin dhe qortuesin paravajtës, vetëdijen kritike të shqiptarëve. Pikërisht vetëdija dhe kultura, siguria e tij kritike e një poligloti, i solli pikë-përkimet, pikë-gjetjet, pikë-shkëmbimet e ndërsjella me personalitete të kulturës, të publicistikës, të artit e të diplomacisë evropiane dhe amerikane; veçmas në truallin e Francës lidhjet e tija  miqësore me poetin, publicistin e personalitetin kundërthënës, por me ndikim  Gijom Apoliner-in.

Autori i veprës monografike Albania e Konicës-Pergamenë shqiptare, botuar në Prishtinë, më 1995, Shefik Shkodra, siç vërejmë edhe  në  këtë studim të zgjeruar, mbetet përjetësisht i lidhur me Rilindjen Kombëtare Shqiptare, duke spikatur posaçërisht figurën e Faik Konicës. Qasja e këtij studiuesi figurës, opusit dhe  periudhës së shqyrtuar është e drejtë për drejtë. Çfarë do të thotë ky pohim? Përtrollitja e këtij pohimi përkon me mënyrën e qasjes së burimeve drejtpërsëdrejti në frëngjisht nga ana e autorit; që do të thotë,  pa ndërmjetësimin e palës së tretë. Gjithsesi kjo rrethanë shqyrtuese  ia shton peshën e vlerës kësaj natyre  të këtij diskursi.

Autori Shkodra mblodhi fije të holla e të trasha për diskursin e romanit jetëshkrimor me dy krye-personazhet: Apoliner dhe Konica: shkollimin, prejardhjen, formimin, botë-vështrimin, mësymjet, prirjet, talentin, interesimet, kontributet, pasionet, kundërthëniet, dobësitë e cilësitë e karaktereve, deri te intimitet e aventurat me femra, dukshëm të theksuara tek Apolineri... Studiuesi, të shumtat fije, për të mos thënë  shteruese, i mbështolli për strumbullarin e lidhjeve me mjedisin ndërveprues të qytetërimit e të kulturës evropiane, ku u formuan mes rrymash, shkollash, stilesh e shijesh artistike... Shpesh herë me tumirje të ndërsjella pikë-takimesh në rrethet e artistëve a në shtylla të revistave të Parisit dhe më gjerë. Mirëpo, pastaj Faik Konica shtegtoi më tej Parisit, në Londër, në Bruksel dhe tutje tej Oqeani Atlantik, në Amerikë, në Nju Jork.

Pse ka interes të lexohet e të studiohet vepra e Shefik Shkodrës Adhuruesit e kulturës europiane? Një: se kapet trungu, degët e gjethet dhe hijet e dy figurave njerëzore, letrare-artistike e publicistike: Apoliner-Konica, jo gjithaq të njohur për lexuesit shqiptarë të brezave të sotëm nga këndet si i pa profesor Shkodra.

Dy: se si Apoliner-i  dhe Konica për karakteristikat me prejardhje të ndryshme, i bashkoi pasioni për artin, për të bukurën, për publicistikën dhe jetën e lirë, së cilës Konica nuk i shkonte dot pas pikërisht për preokupimet tjera madhore, për ta lëvizur gjendjen e rrjedhës së ndalur të historisë për shqiptarët.

Tre: tek Apoliner-i mallkimi i dashurisë  si lajtmotiv për imagjinatën e bujshme poetike.

Katër: publicistika ndërvepruese përmes revistave: Merkyrë dë Francë, Gostia e Ezopit drejtuar nga Apoliner dhe Albania gjithëpërfshirëse e Konicës.

Pesë: Konica në sytë e vëmendjen e të huajve.

Gjashtë : ringjallja e shqipes shpesh me tendenca  të një purizmi.

Shtatë: zbardhje vështrimesh për jetën anarkike të Konicës.

Tetë: prirjet dhe karakteri polemik; satira, ironia, talljet dhe fjalori i sharjeve i Konicës, kundruall të tjerëve; polemikat me drejtuesit e Dritës në Sofje... Qëndrimi për alfabetin  dhe mospranimi i atij të Stambollit.

Nëntë: koncepti për artin, kriteret artistike dhe estetike të Konicës.

Dhjetë: trashëgimia intelektuale, letrare-artistike e estetike. Albania  kryevepra e Konicës dhe e Rilindjes Shqiptare.

* * *

Faik Konica jetoi në atdheun e tij gjithsej shtatë vjet, ndërsa mbi gjashtëdhjetë të tjerë lëvizi nëpër Evropë e SHBA. Në Evropë e në Amerikë Konica u njoh me personalitete të rangut të ndryshëm kulturor. Para së gjithash, ky ishte nxënës i kulturës dhe civilizimit frëng. Shkollat e Francës e kultivuan si personalitet...

Apoliner ishte bir i nënës sllave, Babai i mbeti i panjohur, por ai nuk kishte ambicie të posaçme për një atdhe, për t`i kënduar e për tu sakrifikuar aq sa bënte Konica.

Apoliner-i, sipas P. Marcel Adema-s studiues i jetës dhe veprimtarisë së Apoliner-it, jep të dhëna për karakterin e vërtetë të poetit. Prirja dhe  pasioni i tij pas mikeshave ishte tej mase i theksuar, sado që shpesh nuk i buzëqeshte fati me to. Poezia e Apoliner-it frymëzohej nga konkretësia e shijes së dashnoreve, që i vinin dhe  iknin, siç ilustrohet nga ky fragment apostrofe:

Madëlenë vepra ime e shtrenjtë...!

Apoliner-i u realizua si personazh i letrave me shije të thellë e të gjithanshme për të bukurën... Një letrar inventiv, që kishte gjallëruar dukshëm jetën artistike  dhe publicistikën në rrethet kulturore të Parisit, por që ishte vazhdimisht  në kërkim të formave artistike, duke thelluar rrymën surrealiste dhe shtytjen për kubizmin në artet figurative. Takimet dhe letërkëmbimi për dhjetë vjet me Konicën, ishte marrje e dhënie njohjesh, përvojash nga më të gjithanshmet, madje dhe të sferës së dhimbshme intime, kur Konicës i përket roli ndërmjetësues mes Apoliner-it dhe Ani Plejda, e dashura angleze e poetit Gijom Apoliner, e cila kurrë nuk u lidh me të.

Gijom Apoliner (1880-1918), jetoi vetëm 38 vjet, para një shekulli. Kërkime e hulumtime për jetën e Apoliner-it kishin bërë studiuesit francezë, por Shkodra te Adhuruesit e kulturës europiane, voli e sistemoi  të dhëna e dëshmi të atilla, që nuk linin pa prekur aspekte të jetës e të veprës së francezit me prejardhje të përzier, sepse paraqesin trajta pikëtakimesh në sferën e qytetërimit evropian me rilindësin tonë.

Përmes figurës së Gijom Apoliner-it  Shkodra në këtë studim krahasimtar, paraqet pamje të vlimeve të ndjeshmërisë intelektuale, artistike, të cilat mbaheshin në Montmartër e në Montparnas; atje ku takoheshin poetë e piktorë modernë dhe i shfaqnin risitë e tyre poetike, dramatike, figurative e teorike.

Apoliner-i ishte simbolist, kubist, por edhe surrealist. Ai ishte reflektuesi  më i madh  i çdo fenomeni  shoqëror e natyror. Hapësira e tij poetike ishte e gjerë, shumëdimensionale. Asgjë nuk i shpëtonte  në vijëzimin e tij. Për ecjen e vrullshme kahes së rrymave poetike e figurative të Apoliner-it, kishte pohuar dhe kritiku Leon Cahun (Leo Kahë): Apoliner-i ishte simbolist, kubist, por edhe surrealistë.

Nga letrat që Apoliner-i ua drejtonte ndonjërës prej mikeshave me të cilën ndahej, e ndjejmë një shpirt të trishtuar, vetminë dhe  mërzinë, pothuaj se fundin e jetës tij! Shkodra nënvizoi, se pas ndarjes  nga Stavelot, ai i drejtohet një dashnoreje tjetër, në këtë rast Maria Dybua: E dashura ime një puthje nga goja jote e vogël/ Do të ma sillte kaltërsinë e zemrës  sime të trishtë dhe të lodhur/ Duke ëndërruar për ty natën vuaj në shtratin tim/ Më duhet një puthje meqë bien kambanat e vdekjes/ Nga kambanorja e zemrës sime që duhet mjerisht të ndahesh.

Faik Konica mbolli farën e vetëdijes kritike në mendësinë shqiptare. Ai ishte polemiku më i rreptë që njohim në letrat e shqip-shkrimit. Në secilën paraqitje polemike ishte i paepur dhe përdorte një arsenal të fortë shprehjesh: epitete, tallje, ironi, goditje të ashpra satirike për kundërshtarët. Në kursin e tij polemik nuk ngurronte aspak t`i ngjyroste e t`ua vizatonte karikaturat të padijshmëve, mendjeve fodulle, siç thumboi tipat te Anadollaku në Mësallë:

More Dudum kokëkungull

Gojëbuall e barkrumbull

Thuamë, të rëntë pika!

Ç`të duhet ty politika?

Janë të njohura polemikat e Konicës mes tij dhe Shahin Kolonjës, drejtuesit të Dritës në Sofje të Bullgarisë dhe të tjera.

Profesor Shkodra referimin më të dendur, sa i përket Konicës, ia bëri kontributit jetësor të tij në Albania. Kishte nënvizuar se në rubrikën për themelimin e një gjuhe letrare shqipe, madje dhe në frëngjisht, se shqipja duhet të jetë e njësuar. Më tej: shqiptarët duhet të merren vesh që nga veriu  e deri në fund të Çamërisë me të njëjtën gjuhë.

Në çështje të alfabetit Konica kishte kërkuar këshillat dhe pikëpamjet shkencore më me kompetencë të dijetarëve të huaj. Që të bëhej shqipja gjuhë standarde për të gjithë shqiptarët, Konica kërkonte shkrirjen e toskërishtes me gegërishten. Si rrjedhojë e kësaj, le ta citojmë pararendësin e idesë për gjuhën e njësuar standarde shqipe: Që të jetë gjuhë si të tjerat duhet të përzihet Toskërishtja me Gegërishten, në mos... dhe nga kjo përzierje të dalë një gjuhë e re  dhe e shëndoshë: Gjuha shqip e përgjithshme.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat