"Dritë e përjetësuar "

Kultura

"Dritë e përjetësuar "

Nga: Isak Ahmeti Më: 6 mars 2019 Në ora: 14:15
Isak Ahmeti

Sapo ka dalë nga shtypi vepra më e re  me poezi , me volumin 95 faqe , e autorit  Isak Ahmeti"DRITË E PËRJETËSUAR", nën redaktimin e Anton Nikë Berishës, SHB"FAIK KONICA", Prishtinë, 2019.

Libri në fjalë është strukturuar në katër cikle:

I.MË I LARTI,

II.DRITA E PËRJETËSUAR ,

III.KOHA dhe

IV.KUPTIMI SHPIRTËROR I KRIJIMIT.

Ky libër , që është i veçantë , së pari është publikuar në internet(2018),ndërsa tash edhe si libër falë inkurajimit që pata nga shumë miq të fushës së letrave shqipe :si Anton Nikë Berisha,Mons.Lush Gjergji , Mazllum Saneja , Ndue Ukaj, Sarë Gjergji etj.Libri përmban përsiatje poetike-filozofike:poezi , psalme dhe urata që burimin e kanë tek shpirti im ,  në kërkim të së Vërtetës , te Bibla dhe te filozofia shënagustiniane.Këto krijesa poetike nuk janë vetëm poezi , përsiatje poetike - filozofike për Krijuesin , por edhe adhurim dhe himn për Zotin , që e ka krijuar botën e mrekullueshme dhe njeriun në përfytyrimin e tij të hyjnueshëm.Këto poezi , sipas vlerësimit  të Mazllum Saneja , shkrimtar dhe përkthyes i njohur në letrat shqipe , vijnë si një mësim i përvuajtërisë për të mësuar  fuqinë dhe guximin e pakrahasueshëm  të botës që na duket si një mister i vuajtjeve dhe sfilitjeve tona në Kalvarin e jetës.Mbasi i lexoi në dsh dhe si botim elektronik , Mons Lush Gjergji më shkroi:Damari yt , i dashuri Isak , shprehet edhe në këto poezi dhe urata , të bukura , në stilin e Shën Nënë Terezes!

Libri:Dritë e përjetësuar  hapet me një Parathënie ,mjaft të gjerë dhe përmbajtësore të Prof.dr.Anton Nikë Berisha , ku , ndër të tjera , shkruan:

Përmbledhja me poezi e Isak Ahmetit "Dritë e përjetësuar "përligj vazhdimin e traditës së pasur  të poezisë sonë të përshpirtshme  , që zë fill me psalmet dhe poezinë e përshpirtshme  të botuar në veprën e parë në gjuhën shqipe"Meshari"(1555), të botuar nga Gjon Bdek Buzuku.

Në tekstet e 60 poezive  të librit ,  Isak Ahmeti gërsheton lloje të ndryshme të Shkrimit të Shenjtë-Biblës dhe literaturës teologjike si psalmeve , himneve , lavdeve , litanive , lutjeve etj.Pra ai nuk përfill dhe nuk mbështetet vetëm në një lloj përkatës  , por në secilin tekst  të poezive të tij vërehen përbërës  të llojeve  të përmendura.Qëllimi i autorit nuk ishte   t 'i jepte përparësi  një lloji , po përmes mënyrave  të ndryshme  të të shprehurit të dëshmonte  rëndësinë  e besimit  në Hyjin dhe nevojën e njësimit me dashurinë e tij.Kështu , në njërën nga poezitë janë më të pranishme  , fjala vjen,

 përbërësit e psalmeve , në ndonjë tjetër të lavdeve , të himneve ose të lutjeve si forma të rëndësishme të dëshmisë së besimit në Hyjin.

Teksti i poezive  të përfshira  në këtë libër  dëshmon se poeti e ndjen brenda vetes  Hyjin dhe dashurinë e tij , e gjakon atë si dëshmi dhe si mundësi të pasurisë shpirtërore dhe  si të tillë e shpreh përmes tekstit  , vargjeve.

Në këto poezi s'kemi  strukturë të ndërliqshme poetike  , shprehje figurative  dhe tablo të pasura , të ngarkuara me kuptimësi të shumta.Autori qëllimisht e përfton një tekst që mundëson një shqiptim dhe një komunikim  të pandërmjemë , që nuk të lë mundësinë e dyshimit , po synon qartësinë dhe  ndikimin sa më të madh në marrësin.Pra , ai përqëndrohet të dëshmojë se si ai e ndien Hyjin  dhe dashurinë e tij  dhe çfarë rëndësie ka kjo në jetën e njeriut.Tekstet e poezive të

librit "Dritë e përjetësuar" përbëjnë një mozaik  , ku pjesët e plotësojnë njëra-tjetrën në forma të ndryshme  dhe si të tilla  bëjnë një tërësi.Përmes tyre shprehet rëndësia e besimit në Hyjin dhe nevoja që ky besim të jetë sa më i mirëfilltë dhe i palëkundshëm.Ndonjëherë poeti i përsërit  shprehjet dhe frazat  me qëllim që të forcohen mendimet , të qartësohen qëndrimet e tij ndaj dukurive  që i bën objekt vështrimi.Sipas poetit çdo gjë që Hyji krijoi e krijoi në mënyrë të përsosur: natyrën , njeriun , kohën , dijen , bukurinë , çdo gjë.

Hyji e krijoi edhe Fjalën  , edhe Fjalën poetike  , përbërësin më të rëndësishëm  të poezisë  e të poetit.Me anën e saj shprehen mendimet , përftohet e bukura, që është e pandashme nga dashuria dhe komunikimi mes njerëzve.Dëshmi e kësaj  janë dhe poezitë që poeti   i harton për Hyjin dhe dashurinë e tij.Përmes këngës  poeti  synon të lartësohet  drejt Hyjit , të njësohet me të.

 

                         Fjala jote Zot

                         deri në fund të kohëve

                          

 

                          Je libër i gjallë

                           që lexohet

                                     përjetësisht

                            (Koha flet për ty)

 

                               *

                 

                          E krijove Fjalën

                           mrekullinë e mrekullive

                           Fjala 

                           shkëlqim i përjetshëm

 

                              (E krijove Fjalën)

Pra  , me anën e poezisë  , të vargjeve kushtuar  Hyjit , poeti synon të pasurohet dhe fisnikërohet shpirtërisht , të njësohet me hyjnoren :

                         Le të ngjitem sipër

                         nëpër përpjetat e zemrës

                         te prushi i bukurisë

                         së Fjalës sate

 

                         Le të këndoj

                         Këngën e ngjitjes

                         atje lart

                         ku do banojmë përjetësisht

                         pranë teje

 

                         (Le të ngjitem sipër).

 

Hyji është edhe Dritë që dritë u dhuron njerëzve , kafshëve , bimëve ; është dritë e përjetësuar  për të cilën ka nevojë edhe poeti (unë-Dritë dua)..Ai e kërkon  këtë dritë për arsye  se: Derisa të kemi dritë ,  besoni në dritë / që të bëheni bijtë e dritës(Gjn 12 , 36).

Poeti gjakon ta ketë shpirtin e ndriçuar me dritën e Hyjit  për arsye  se , siç është thënë , duhet të jetojë në rrafshin shpirtëror ; brenda tij është një botë sa e pasur  aq dhe e pafund.

 

                          Je dritë që vezullon

                           Të futet në shpirt

            

                             (Dritë që vezullon) 

 

                                    *

                              Zot

                              Dritë e së Vërtetës

 

                                   (Dritë e së Vërtetës).

                                    *

              

                              Në gjakim të dritës sate

                              për të zhbërë terrin tim

                                      

                                        (Nuk e di )

Këto poezi të Isak Ahmetit të afrojnë dhe të njësojnë me besimin në Hyjin  dhe si të tilla padyshim do të kenë lexuesin  e tyre.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat