U dëbua nga çmimet Oscar, Polanski padit Akademinë

Kultura

U dëbua nga çmimet Oscar, Polanski padit Akademinë

Më: 23 prill 2019 Në ora: 15:33
Roman Polanski

Roman Polanski ka paditur Akademinë e Shkencave dhe Arteve Vizive pasi u dëbua nga organizata. Regjisori i filmit “Pianisti” u dëbua nga organi i Oscar-it bashkë me Bill Cosbin në maj të vitit të shkuar.

Një avokat i regjisorit në arrati thotë se ai është dëbuar pa paralajmërim dhe pa patur shansin të japë shpjegime.

Akademia tha në një deklaratë se dëbimi i fituesit të çmimit Oscar ishte i drejtë dhe se nuk do të ketë një përmbysje të tij. Polanski ka pranuar se ka kryer marrëdhënie seksuale të paligjshme me një 13-vjeçare në 1977, rast pas të cilit kreu 41 ditë burg dhe u largua nga SHBA për shkak të frikës se marrëveshja për pranimin e fajit nuk do ta mbronte atë.

Avokati i Polanskit, Harland Braun, e paraqiti padinë në Gjykatën e Lartë të Los Anxhelosit, javën e shkuar. Dëbimi i Polanskit dhe i Bill Cosbit, sipas Akademisë, është bërë në pajtim me standartet e sjelljes së organizatës. Në kohën e dëbimit të Polanskit nga Akademia pati madje shumë nga ata që pyetën përse iu deshën Hollivudit më shumë se 40 vite për të vendosur që përdhunimi i një 13-vjeçareje ishte akt që binte ndesh me vlerat e saj për respektin e dinjitetit njerëzor.

Polanski ka shtetësi franceze dhe polake dhe i ka shpëtuar disa përpjekjeve për ekstradim në SHBA. Franca, ku ai jeton, nuk i ekstradon qytetarët e saj. Edhe një gjykatë polake refuzoi një kërkesë amerikane për ekstradim kur ai po filmonte në Krakovë, në vitin 2015.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat