Imzot Frano Gjini – abati i Mirditës që përjetoi tragjedinë e mohimit dhe të persekutimit

Kultura

Imzot Frano Gjini – abati i Mirditës që përjetoi tragjedinë e mohimit dhe të persekutimit

Nga: Mikel Gojani Më: 25 prill 2019 Në ora: 08:43
Imzot Frano Gjini

Janë një plejadë e tërë klerikësh, të cilët me gjithë qenie u angazhuan me moton për “Fe dhe atme”, për t’i dhënë sa më shumë dritë mendimi, sa më shumë dituri, sa më shumë vërtetësi grigjës së tyre, por edhe popullit shqiptar përgjithësisht.

Edhe pse të mishëruar në këtë binom të shenjtë ata u ndoqën, u persekutuan dhe u vranë nga regjimi komunist.

Njëri prej tyre është  edhe Abati i Mirditës, Imzot Frano Gjini, i cili për këto ideale të fesë dhe të kombit të tij u persekutua për të mbetur emër i përjetësuar brez pas brezi.

Abati i Mirditës, Imzot Frano Gjini, është figurë e ndritur  e fesë edhe kombit, i cili  sikurse shume  klerikë dhe intelektualë të tjerë, nga regjimi komunist përjetoi tragjedinë e mohimit.  Ai vuri  gurët themeltarë për mjaft fusha të diturisë. Ai gjatë tërë jetës së tij me tërë energjinë  shpirtërore e intelektuale që kishte  iu përkushtua  çështjes  fetare dhe kombëtare, pa  u lëkundur nga rrymat politike të kohës, duke mos  pasur fare mëdyshje  për t’u rreshtuar kundër diktaturës e për të luftuar, edhe pse  ishte në gjendje t’i paramendojë  situatat e dhimbshme  me të cilat do të përballej. Mirëpo, ai, nuk mund të parashikonte  ç’efekte të dobishme  do të kishte  kjo luftë e ashpër  në pjekurinë e tij, në radhë të parë si njeri e intelektual, e më pastaj i mundësoi  që të krijojë një vizion  autentik gjurmëlënës të jetës që u bë themel i fesë, kulturës dhe kombit.

Imzot Gjini tërë jetën punoi me përkushtim për të mirën e kombit. Veprimtaria e tij është e shumanshme dhe shumëdimensionale. Edhe gjatë shërbimit të tij kudo që veproi, veproi me mish dhe me shpirt u angazhua për të mirën e fesë dhe tëkombit të tij.

Për të hedhur, edhe më shumë dritë mbi këtë figurë të ndritur të fesë dhe të kombit,  Abatit të Mirditës, Imzot Frano Gjinit, studiuesit të mirënjohur, Tomë Mrijaj dhe  Leonora Laçi, botuan një libër të rëndësishëm, me përmbajtje dhe studim të hollë  të këtij personaliteti tepër të rëndësishëm.  Vepra e Gjinit  ishte titulluar  “Abati i Mirditës Imzot Frano Gjini- Martir i kishës katolike.

Arqipeshkvi Massafra: Imzot Gjini është një figurë e spikatur e grupit të 38 të Lumëve të shpallur  në vitin 2016

Librit i paraprin një Hymje  e shkruar nga +Angelo Massafra O.F.M. Arqipeshkëv Metropolitan Shkodër – Pult. Duke  folur rreth vlerave të këtij libri, Massafra thekson se është  gjithmonë i lavdërueshëm përkushtimi i atyre që angazhohen  për të studiuar  dhe thelluar figurat heroike, e megjithatë kaq të zakonshme, të të Lumëve tanë  Martir  Vincenc  Prendushi dhe 37 shokët. “Në rastin e këtij vëllimi  i shtohet profilit  agiografik të Lumit  Imzot  Frano Gjini dhe ai  më shkencor, fryt i kërkimit të autorëve, shton Arqipeshkvi Massafra, i cili në vijim konstaton se Imzot Gjini është një figurë e spikatur e grupit të 38 të Lumëve të shpallur  në vitin 2016, njeri i kulturuar, meshtar i zellshëm, bari i zhdërvjelltë i grigjës; hallkë e artë e zinxhirit  që ka mbajtur  të bashkuar Kishën Katolike  në Shqipëri gjatë viteve  të para të regjimit  i cili e shkatërroi  me dhunë  këtë kishë; pikërisht  duke shpresuar  që duke hequr qafe atë, i gjithë  zinxhiri  do të kishte  humbur forcën e tij tërheqëse”, ka pohuar ndër të tjera  Arqipeshkvi Massafra.

Ndërkaq, studiuesi dhe publicisti Klajd Kapinova, duke  shpalosur  shumë aspekte që kanë të bëjnë me rëndësinë dhe vlerat shumëdimensionale të  këtij libri, thekson se ky libër  është një përpjekje serioze  për të sjellë  para opinionit  shqiptar për herë të parë  të dhëna arkivore, familjare, dëshmi, faksimile, kujtime, dorëshkrime, letra, procesverbale etj., duke pasqyruar  për herë të parë  në këtë libër  ngjarje dhe episode historike, për personalitetin e lartë  fetar, Abatin e  fundit  të Mirditës prelatin  Imzot  Frano Gjinin dhe sekretarin e  fundit  të tij dhe  Abacisë së  Mirditës, mons. Dr. Zef Oroshin (1912-1989), themelues i Lidhjes  Katholike Shqiptaro - Amerikane (15 Qershor 1962). 

“Në këtë mënyrë, pohon në vijim Kapinova, mons. Dr. Oroshi si një mirditor i vendosur  çoi në vend  amanetin apo testamentin e eprorit  të tij, prelatit dhe Abatit të Mirditës Imzot  Frano Gjini, i cili, ia kishte lënë  porosi apo në besë  këtij burri sypatrembur me tradita e zakone  tipike shqiptare, kur e porositi që të hap kisha të reja  për popullin apo emigrantët shqiptarë kudo që të jenë, duke dëshmuar  se shqiptarët e kanë dashur  dhe  e duan shumë  shëmbëlltyrën e Krishtit të përvuajtur dhe të kryqëzuar për ne... Tashmë ky libër i pasur  me dokumente  dhe fakte historike, do të mbetet padyshim një vepër me vlera të pakontestueshme, për historinë e dhimbshme, por edhe krenare dhe të lavdishme të martirizimit  të mons. Frano Gjinit, klerit katolik  dhe te komunitetit krishterë të saj, vlerëson studiuesi Kapinova, i cili  si përfundim  nxjerr konstatimin  se klerikët  shqiptarë, si apostuj të vërtetë të fesë  së Krishtit e të jetës së popullit, lindën, u formuan, jetuan e punuan  në vende  e institucione  të ndryshme, me ideale e qëllime  të shumta, prapëseprapë mbetën bijë të  popullit dhe tokës arbërore”, shprehet studiuesi Kapinova.

Libër monografik i një rëndësie të veçantë

Studiuesit Mrijaj dhe Laçi, nëpërmjet prezantimit të tyre si autorë, me librin “Abati i Mirditës Imzot Frano Gjini”, dëshmojnë se janë njohës të mirë  te rrugës jetësore dhe veprimtarisë fetare, intelektuale dhe kombëtare të  Imzot Frano Gjinit,  i cili nëpërmjet këtij studimi paraqet  portretin  fundamental  të këtij personaliteti të shquar të kishës katolike dhe kombit përgjithësisht.

Studimi në fjalë  është organizuar  në mbështetje të një metodologjie të pranueshme shkencore me fakte dhe të dhëna të fuqishme, duke i përforcuar  konstatimet e tyre shkencore.  Për t’i dëshmuar konstatimet e mia lidhur me  cilësinë  shkencore të  këtij studimi monografik, i cili si objekt studimi ka  rrugën jetësore të  kësaj ikone të fesë dhe tëkombit tonë, pra të Imzot Frano Gjinit, i cili në jetën e tij kreu një mision të shenjtë para ndërgjegjes fetare dhe kombëtare, autorët na japin portretin autentik të kësaj figure kolosale të jetës kishtare, intelektuale dhe kombëtare.

Libri, Abati i Mirditës Imzot Frano Gjini, i autorëve Tomë Mrijaj e Leonora Laçi, është i konceptuar në disa pjesë tematike, që ngërthejnë një strukturë  unikale përmbajtjesore. Brenda atyre kapitujve  janë strukturuar edhe nënkapituj të tjerë, që japin  një pasqyrë  të qartë  përmbajtjes që  shfrytëzohet si subjekt i shtjellimit të lëndës.

Pjesa e parë, Shënime  dhe kujtime  historike  mbi Abat Gjinin dhe  Abacinë; Pjesa e dytë, Letërkëmbime  për çështje të ndryshme; Pjesa e tretë, Komunizmi  dhe arrestimi i Abat Gjinit; Pjesa e katërt,  Vatikani shpall shenjt Abat  Frano Gjinin së bashku me 38 martirë të Kishës katolike; Pjesa e pestë, Abat Frano Gjini  dhe Mons. dr. Zef Oroshi.

Në pjesën e parë, autorët prezantojnë një rrugë jetësore, kuptohet me përplot travaje, vuajtje dhe peripeci të Imzot Gjinit. Sipas studiuesve Mrijaj e Laçi, Imzot Frano Gjini u lind  më  20.2.1886 dhe u pagëzua në famullinë e Shenjtës Marie Madalenës në Shirokë të Shkodrës. Babai i tij quhej Tuke (Pjetër), ndërsa e ëma  Dranë. Në familjen  Gjini ishin edhe dy fëmijë të tjerë, Kola dhe Tina.  Mësimet e para i merr në Shkodër  gjatë viteve 1881-1897, më pastaj vazhdoi në Kolegjin Saverian të Jezuitëve në Shkodër. Në vitin 1903 përfundoi maturën, ndërkaq studimet e larta për teologji i kryen në  Seminarin  e Kongregacionit për përhapjen e fesë (Propaganda  Fide) në Romë.  U shuguruar meshtar  më 28 qershor 1908.  Pas shugurimit meshtar  nga arqipeshkvi Imzot Primo  Bianchi, fillimisht shërbeu si  si sekretar i tij në Delbnisht deri në vitin 1912.  Për herë të parë si famullitar  shërbeu në Duirrës për 13 muaj deri në vitin 1914.  Imzot Gjini po ashtu  përsëri  shërbeu si sekretar në Delbnisht (dhe famullitar) prej vitit  1914 deri në vitin 1917, pastaj si famullitar , për herë të dytë në Durrës për një kohë të shkurtër. Më vitin 1918 u emërua  Vikar i Përgjithshëm i Arkidioqezës, ndërsa në vitin 1918 shkoi famullitar në Derven të  Fushë-Krujës deri në vitin 1919. Nga viti 1919 për herë të tretë  u emërua famullitar në  Durrës  deri më 1924, ku nga këtu  për katër vite u emërua famullitar në Kurbin.  Në vitin 1928 shkoi famullitar në  Prelat të Kthellës, ku qëndroi  dy vjet, deri me zgjedhjen dhe shugurimin e  tij ipeshkvnor.

Në vijim të librit autorët  Mrijaj dhe Laçi japin dëshmi autentike rreth profilit jetësor të imzot Gjinit dhe familjes së tij nga pjesëtarja e kësaj familje, Roza Kolë Gjini, e cila rrëfen shumë fakte dhe dëshmi interesante që lidhen me jetën e Imzot Gjinit dhe familjes së tij.

Disa të dhëna rreth rrugës historike të Abacisë së Oroshit që prek shekujt

Për ta pasuruar me fakte dhe dëshmi rreth historikut të  Abacisë sëOroshit, autorët e këtij libri prezantojnë të dhëna rreth rrugës historike së  Abacisë sëOroshit dhe sipas tyre argumentojnë  se Abacia e Nulliuesit  si Abaci varet  direkt nga Selia e  Shenjtë, që u krijuamë 25 tetor 1888 nga papa  Leoni XIII. “Territori o Abacisë  Nullius përfshin gjithë hapësirën  e gjerë malore  të Mirditës, me një trajtë  krejt të vetën, që edhe sot me vështirësi  përshkohet dhe e bën  gati të pamundur  arritjen e fshatrave dhe të lagjeve  të shumta prej të cilave  përbëhet”. (fq. 28).

Rreth historikut mbi Abacinë e Oroshit, autorët potencojnë  edhe dëshmitë e studiuesve të huaj të kohës, si të albanologut Fulvio Cordignano SJ, i cili për shumë vite ka vepruar si misionar në Shqipëri, i cili  ka qëndruar në mendimin që në  Orosh kishte njëherë një Abaci Bizantine. Në vijim autorët japin emrat e abatëve deri te  Abatët Prenk Doçi,  Frano Gjini  dhe deri te ipeshkvit e Mirditës me seli në Rrëshen  Imzot Angelo Massafra dhe së fundmi  Imzot Gjergj Meta, i cili është shuguruar më 2 shtator 2017 dhe aktualisht kryen misionin e ipeshkvit të Ipeshkvisë së Mirditës në Rrëshen.

Në vijim autorët Mrijaj – Laçi japin një profil të veprimtarisë meshtarake dhe pastorale të Imzot Frano Gjini  si Abat i Oroshit të Mirditës, duke përfshirë  periudhën 1930-1948. Gjatë kësaj periudhe veprimtaria e imzot Gjiniit është shumë e frytshme dhe tepër e begatë, duke kontribuar në mënyrë të jashtëzakonshme në misionin që i kishte përcaktuar vetes në këtë zonë të Mirditës.

Pjesa e dytë e këtij libri, “Letërkëmbimet për çështje të ndryshme”,  ngërthejnë  32 dokumente  arkivore, që përfshijnë  periudhën kohore  të viteve 1930-1946. Kjo pjesë e librit  me letra, relacione, memorandume etj.,  ku Abat mons. Frano Gjini është drejtpërdrejt ose tërthorazi përfshirë  në këto dokumente historike.

Abat Gjini dhe shumë martirë të tjerë të Kishës katolike viktima të ideologjisë  komuniste

Pjesa vijues, Pjesa e tretë, “Komunizmi dhe arrestimi i Abat Gjinit, përbën pjesën më të rëndësishme të librit, ku flet për persekutimin, arratisjen dhe pushkatimin e shumë klerikëve të kishës katolike në Shqipëri, me motivacioni si “armiq” të  Shqipërisë. Tehu i persekutimit të  ideologjisë ekstreme komuniste, të drejtuar nga xhelati i asaj kohe, E. Hoxha, ishte çrrënjosja e ideologjisë proeuropiane të  mbëltuar nga forcat intelektuale klerikale  kryesisht të arsimuar në  universitetet dhe kolegjet evropiane, përkatësisht eliminimi  fizik i këtyre forcave, nga të cilët  ajo ideologji e kohës që sundonte vendin paraqiste kërcënim nga kjo forcë opozitare. Në mesin e shumë klerikëve që ishin në shënjestër të  eliminimit nga regjimi i atëhershëm për  shkak të bindjeve, ishte dhe Imzot Frano Gjini, mirëpo, Imzot Gjini po ashtu ishte në mesin e atyre  klerikëve bashkë me shumë të tjerë,  që nuk iu nënshtrua atij regjimi, por  qëndroi stoik dhe “para togave të pushkatimit, përpos mosnënshtrimit  përpara Enver Hoxhës, duke mos  pranuar ta bënte kishën vegël  në dorë të pushtetit”. (fq.117).

Pjesa e katërt e këtij libri karakterizohet me  të dhëna të rëndësishme që lidhen me Imzot Frano Gjinin. Në këtë pjesë autorët  shpalosin argumentet rreth  shpalljes Shenjtë  nga Vatikani së bashku me 38  Martirë të kishës katolike. Autorët po ashtu sqarojnë se më 11 nëntor  1993, abat Frano Gjinit iu akordua  titulli më i lartë  shtetëror “Martir i Demokracisë”, nga ish- Presidenti i Shqipërisë  Dr. Sali Berisha, me motivacion: “Klerik, intelektual e demokrat i shquar, antikomunist, i flijuar për fe dhe atdhe, masakruar nga diktatura komuniste. Në vijim  autorët na prezantojnë dekorimin e Imzot Gjinit dhe 38 martirëve të Kishës katolike nga ish- Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani.

Pjesë e pestë e këtij libri, “Abat Frano Gjini dhe mons. dr. Zef Oroshi”, dëshmon për raportet dhe bashkëpunimin që Imzot Frano Gjini ka pasur me  mons. dr. Zef Oroshin, largimin e mons. Oroshit nga Shqipëria dhe emigrimi i tij në Amerikë, për t’i treguar botës për krimet që në Shqipërinë  diktatura  komuniste po i shkakton asaj popullate; një përshkrim të Imzot Zef Oroshit se si është njohur me Fan S. Nolin etj.

Një kapitull i veçantë i këtij libri i dedikohet  me një pjesë tematike: “Dokumente dhe faksimile për Mons. Dr. Zef Oroshin.

Kështu që krejt në fund mund të konstatojmë  se libri monografik “Abati i Mirditës Imzot Frano Gjini” është një libër  i veçantë i autorëve  Tomë Mrijaj dhe Leonora Laçi, një libër me  plot dhimbje nën shtypjen e diktaturës  komuniste.

Libri në fjalë ka vlera  shumë të rëndësishme dokumentare, por edhe  vlera të tjera tepër veçanta dhe me interes shumëdimensional.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat