Mitingu i poezisë në Gjakovë për 55 vjet e ruan traditën

Kultura

Mitingu i poezisë në Gjakovë për 55 vjet e ruan traditën

Nga: Shqipe Berisha Më: 12 maj 2019 Në ora: 18:37
Flutura Açka, fituesja e çmimit “Ali Podrimja” poezia me e mire e lexuar gjate mbremes ne Mitingun e 55 te poezise ne Gjakove.

Flutura Açka me poezinë “Gri” e mori çmimin e poezisë së mbrëmjes, ndërsa Xhevdet Bajraj, për librin më të mirë të botuar në mes dy mitingjeve me titull “ Vitet që nuk e sollën pranverën”. Çmimin ndërkombëtarë “Nënë Tereza” e mori poeti nga Argjentina Ricardo Rubio.

Edhe më tej, është i vetmi festival poetik që stimulon krijuesit me vlerësim të librit, me fitues të poezisë dhe me çmime për poetë të vendit dhe ndërkombëtarë. Me ndihmën e donatorëve, dhe institucioneve, ka mundësi ta ruaj e ta shtojë traditën, të paktën të bëjmë diçka që e prekim një shekull aktivitet.

Në muajin maj të vitit 1964, poetët që nuk duhet harruar, si me qëllim e nisën këtë aktivitet, pa ia pasur idenë se do të zgjati kaq gjatë, duke e trashëguar gjeneratat e krijuesve që aso kohe nuk kishin lindur ende, dhe, sigurisht ta modelojnë në një hark që vetëm sa e madhëron. Din Mehmeti, Enver Gjergjeku, Jusuf Buxhovi, Besim Bokshi, e më vonë Teki Dërvishi, Ali Podrimja, e shumë e shumë të tjerë, hodhen një gurë të çmuar në ndërtimin e një memoriali poetik, me emrin Mitingu i poezisë, e që sot po bëhet monument ku vijnë për kaq vite poetë e krijues për ta lexuar e manifestuar poezinë në qytetin e poezisë, në Gjakovë.

Mitingu këtë vit mori përmasë ndërkombëtare, dhe natyrisht me pjesëmarrje mbarë kombëtare. I nisur me “Javën e Mitingut”, Klubi letrar “Gjin Nikollë Kazazi”, promovoi veprat e Muharrem Kurtit, katër prej tyre, tri romane dhe një me poezi, pastaj të Masar Kupës, të veprës përkushtim për Halil Hazhosajn, që i mblodhi shkrimet e të tjerëve Shefqet Dinaj, dhe të Migena Arllati, sentenca dhe vështrime. Ora letrare në Bajram Curr, vazhdon të krijojë lidhje të forta të krijuesve nga andej me Gjakovën si dhe në Junik, nga gjeneza e themeluesit Din Mehmeti.

Dita që fiksoi këtë manifestim dhe e mbylli, ishte e premtja me orën poetike për të vegjël e të rinj, pranë shtatores “Nënë Tereza” në qendër të Gjakovës, në ambient të hapur. këtu lexuan poetë nga Karvani i Shkrimtarëve, Ibrahim Kadriu, Xhevat Syla, Hasan Hasani, Agim Byci e Skënder Zogaj, si dhe poetë nga Klina, Prend Buzhala, Ismet Krasniqi, Gjon Gjergjaj, e poetët ndërkombëtarë nga Argjentina Rikardo Rubio, nga Portugalia Maria Barroso dhe Laura Garavaglia nga Italia.

Ora poetike me studentë në Fakultetin Filologjik në mes krijuesve studentë dhe pjesëmarrësve ndërkombëtarë ishte shumë e vëmendshme, ngase dha një komunikim shumë të ngrohtë me shumë debate.

Mitingu i ruan në traditë debatin për letërsinë me Tribunën letrare, ku u paraqiten me kumtesa Dr. Ibrahim Berisha dhe Flutura Açka, me temën “Letërsia dhe politikat ndaj saj”. Ky debat u konsiderua si shumë me rëndësi të shtjellohet andej e këndej kufirit,pasi që ka ngulfate politike në esencën e një letërsie më të frytshme.

Ora Qendrore e Mitingut në mbrëmje mblodhi shumë poetë e që lexuan në konkurrencë për çmimin, - poezia më e mirë e lexuar gjatë mbrëmjes, me emrin Ali Podrimja. Me këtë rast, juria e përbërë nga Dr. Jeton Kelmendi, Migena Arllati e Engjëll I. Berisha, shpalli poezinë “Gri” të autores Flutura Açka. Ndërsa poezia me çmimin “Yllka Domi” e që i ndahet poetes, femër, debutuese, e mori poetja Shqipe Bytyqi nga diaspora.

Çmimin për pjesëmarrës me emblemën “Nënë Tereza” nga Komuna e Gjakovës, iu nda poetit nga Argjentina Ricardo Rubio, ndërsa Maria Barroso mori çmimin “Lutja e Nënë Terezes” dhe Laura Garavglia mori çmimin “Jubiletë e Mitingut” .

Një çmim që ruhet për kohën më të gjatë, e që Mitingu stimulon poetët me shpërblim, është për librin më të mirë me poezi të botuar në mes dy mitingjeve, ku këtë vit juria e përbërë nga Ramadan Musliu, Vjollca Kuqi e Muharrem Kurti, e ndanë mendimin unanim për librin poetik “Vitet që nuk e sollën pranverën” të autorit Xhevdet Bajraj, ku jeton e punon në Universitetin e Meksikës. Dhe, çmimin jubilar të themeluar viteve të fundit e fitoi krijuesi Skënder Buçpapaj. Ndërsa me mirënjohjen post mortum për kontribut të mitingjeve iu nda poetit të ndjerë Basri Çapriqi.

Ky Miting i ndihmuar nga Komuna e Gjakovës e Ministria e Kulturës Rinisë e Sportve, ka përmbushur qëllimin e sipas shumë mendimtarëve edhe kuotën e një manifestimi të begatshëm. Kjo, për kthimin e ndërkombëtarëve, për shumë çmime e shumë pjesëmarrës adhurues të devotshëm e besnik.

Image
Poeti nga Argjentina, Ricardo Rubio, fitues i çmimit “Nënë Tereza” në Mitinbun e 55 të poezisë në Gjakovë.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat