Mark Gashi, mësuesi mendjendritur dhe mbrojtësi sypatrembur i truallit arbëror

Kultura

Mark Gashi, mësuesi mendjendritur dhe mbrojtësi sypatrembur i truallit arbëror

Nga: Muhamet Shatri Më: 10 korrik 2019 Në ora: 20:51
Foto ilustrim

Të nderuar lexues, e kisha ndjeshmërinë tek vetja se nuk do më linte dheu brenda po mos i shkruaja disa fjalë për kryemësuesin e Karadakut dhe atdhetarin syshqiponjë, Mark Gashin, për të cilin flitej me shumë admirim nga bashkëvendësit, bashkëveprimtarët dhe ish-nxënësit e tij, për punën në mbjelladituri, dashuri dhe sakrificë për atdhe.

Mark Gashi (1913-1990), mësues dhe veprimtar i shquar i Lëvizjes Kombëtare. U lind në fshatin Selishtë afër Zhegrës së Gjilanit, nga babai Antoni dhe nëna Marie. Shkollën fillore e kreu në Zhegër, gjimnazin e filloi në Gjilan dhe e përfundoi në Shkup, ku e kreu edhe normalen, studioi edhe në Akademinë Ushtarake të aviacionit në Mostar dhe në Zemun. Ishte piloti i vetëm shqiptar në ushtrinë e Mbretërisë së Jugosllavisë. Pas shpartallimit të Jugosllavisë, u arrestua nga bullgarët pasi vendlindja e tij Selishta i takoi zonës bullgare të pushtimit, por bashkë me disa shokë arriti të ikte nga burgu bullgar i Preshevës dhe të shkonte në Gjilan, që i takonte zonës italiane të pushtimit. Edhe italianët e internuan në Bergamo (Itali) dhe në Tiranëpor pas tre muajsh u lirua. Pas kthimit nga internimi punoi si sekretar i komunës së Strezovcit dhe në fshatrat Ropotovë e Parallovë, të rrethit të Kame­nicës, pastaj infermier në Shtëpinë e Shëndetit në Ferizaj, arkivist në Gjykatën e Paqit në nën­pre­­­fektu­rën e Gjilanit dhe së fundi toger intendent i Ushtrisë së Shqipërisë. Gjatë vitit 1944 krahas punëve administrative e ushtarake në organet dhe në ushtrinë e Shqipërisë, angazhohet për mbrojtjen e trojeve etnike lindore dhe për mbetjen e tyre në kuadrin Shqipërisë Etnike.

Pas ripushtimit të Kosovës nga Serbia, në nëntor të vitit 1944, inkuadrohet në Brigadën e VII Plotësuese të Preshevës. Por në mars të vitit 1946 u arrestua nga pushteti serb dhe u dënua me burgim shumëvjeçarë, për pjesëmarrje në luftimet për mbrojtjen e vijës kufitare shqiptaro-serbe përgjatë hekurudhës Serbi-Maqedoni, përkatësisht në luftën e Preshevës (15 shtator 1944). Por pas 4 vjet e gjysmë qëndrimi në burg lirohet. Më pas punoi si arkivist dhe si mësues e drejtor në shkollën e Caravajkës, në Malësinë e Karadakut; arsimtar i gjuhës frënge në Preshevë; përgjegjës i arsimit në komunën e Preshevës prej nga hapë shkollat e reja në Kurexh, Terziaj, Dunav, Maxhere dhe Ilincë. Mirëpo kjo veprimtari arsimore dhe patriotike u pengonte organeve të pushtetit serb, prandaj, në vitin 1958, u arrestua për herë të dytë bashkë me veprimtarin e shquar të Lëvizjes Kombëtare, Metush Krasniqin dhe u dënua me 10 vjet burg si veprimtar i Lëvizjes Nacional Demokratike Shqiptare. Pas daljes nga burgu ku qëndroi katër vite Marku bashkë me të shoqen Çiçelinë, po ashtu mësuese, u shpërngulën në Bosnje ku punoi për të mbijetuar si mësues në qytetin Rudo dhe prej andej u kthyen në Kumanovë, ku dhe vazhdoi veprimtarinë e tij atdhetare tek rinia e kësaj treve. Kur ishte mësues në Nikushtak të Kumanovës, më 1968, e vunë flamurin kombëtar shqiptar në shkollë, dhe, atë mbrëmje deri në mëngjes e ruajti me sëpatë në dorë. Për të gjitha këto ishte vazhdimisht në shënjestër të organeve të Sigurimit Jugosllav. Për më tepër drejtori i shkollës fillore “Bajram Shabani” të Kumanovës, Shaip Saliu, në vend të mirënjohjes dhe kujdesit për veprimtarinë e tij atdhetare, e detyronte të punonte me nxënësit e tij në katin më të lartë të ndërtesës, ndonëse mëzi ecte. Në këtë shkollë ai punoi deri në pensionimin e tij në vitet 80-ta. Pas pensionimit ai vendoset në Prishtinë dhe vdes në kushte të rënda mjerimi.. Ai ishte i ati i poetit Mirko Gashi (1939-1995) dhe gjyshi i violonçelistit, Antonio Gashi. Guxoj të theksoj se Kosova dhe shqiptaria zor se do kenë pas mësues e atdhetar më të përkushtuar se Mark Gashi. Ai me të bëmat e veta na ishte dhe mbeti shembulli më i mirë prej një edukatori dhe patrioti emërmadh dhe të pavdekshëm.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat