Hapet panairi me punime artizanale, synon ruajtjen e kulturës shqiptare

Kultura

Hapet panairi me punime artizanale, synon ruajtjen e kulturës shqiptare

Më: 24 korrik 2019 Në ora: 13:55
Panairi me punime artizanale

Është hapur sot panairi me punime artizanale, veshje kombëtare dhe ushqime tradicionale në kuadër të “Ditëve të diasporës”, përmes të cilit synohet të mbahet gjallë kultura shqiptare.

Zëvendësministri i Diasporës, Isni Kilaj, u shpreh i lumtur me hapjen e këtij panairi, teksa bëri të ditur se kjo ministri për dy muaj rresht do të organizojë aktivitete të ndryshme në tërë vendin.

Ai bëri të ditur se në kuadër të Ditëve të Diasporës, më 6 gusht në sheshin “Skënderbeu” do të organizohet edhe Sofra e Diasporës.

Kilaj: Përmes panairit synojmë të mbajmë gjallë jetën shqiptare

“Ministria e Diasporës dhe Investimeve strategjike për dy muaj rresht  i ka zhvendosur aktivitetet në Kosovë sepse gjatë muajve tjerë ne bëjmë aktivitete dhe organizime të ndryshme të diasporës jashtë. Gjatë këtyre dy muajve ne jemi prezent këtu, bashkë me ju që të mbështesim dhe të sensibilizojmë mërgatën tonë që të mbajnë gjallë jetën shqiptare kudo që janë”, tha ai.

Kilaj ftoi mërgimtarët që të blejnë produktet e pjesëmarrësve në panair, si kontribut dhe mbështetje ndaj tyre.

Kilaj: Ftoj mërgimtarët që të kontribuojnë në këtë panair

“Ne ju ftojmë të gjithë juve të merrni pjesë të gjithë, të gjithë ata mërgimtarë që kanë ardhur sot në Kosovë, të jenë prezent gjatë këtyre ditëve të këtij panairi dhe të kontribuojnë edhe në këtë fushë që t’i mbështesin punuesit me blerjen që këta prodhojnë”, shtoi Kilaj.

Jehona Abdullahu Dabiqi, e cila ka ardhur nga Deçani për t’u ofruar qytetarëve dhe mërgimtarëve mjaltin vendor, u shpreh e kënaqur me organizimin e këtij panairi.

Dabiqi: Nga ky panair pres që të rritet konsumimi i prodhimeve vendore

“Nëpër panaire marrë pjesë shumë shpesh, prej vitit 2015 si biznes dhe i kemi afër 700 bletë dhe çdo herë prezantoj prodhimet e mia të bletëve, mjaltin... Nga ky panair pres që diaspora dhe qytetarët të konsumojnë prodhimet vendore”, u shpreh ajo.

Ndryshe, ky panair do të qëndrojë i hapur në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë deri më 27 korrik.

Image
Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat