Kulla e Ramë Bllacës digë qëndrese kundër shpërnguljeve

Kultura

Kulla e Ramë Bllacës digë qëndrese kundër shpërnguljeve

Nga: Ragip Guraziu Më: 1 gusht 2019 Në ora: 08:39
Ragip Guraziu

N’historie gjithmonë ka metë

për atdhe shqiptari a dekë,

e Ramë Bllaca a ba sebep,

metën populli n’ven të vet.

Në historinë e qëndresës shqiptare kundër serbëve, kundër shfarosjes, zhdukjes a dëbimit të shqiptarëve sipas platformave shkencore akademike serbe dhe në marrëveshje ndërshtetërore si ajo Serbi - Turqi për të liruar tokat shqiptare për serbët e për të marrë lëndën njerzore – shqiptarët për në Turqi që të populloheshin shketirat e Anadollit me rracë të bardhë njerzore, rracë elitë, pra në gjithë historinë me dëbime e shpërngulje shqiptarësh deri në vitin 1998 – 1999, kur ndodhën dëbimet e reja nga projektet e vjetra serbe, Kulla e Ramë Bllacës në Bllacë të Suharekës mbetet diga më e lartë e qëndresës në kujtesën popullore të shqiptarëve.

Ajo shtëpi dykatëshe guri, e ndërtuar në kulmin e dëbimeve, në udhë ku e shihnin shumë njerëz që kishin ngarkuar fatin në shpinë dhe ishin nisë për Turqi, e ndërtuar ashtu në heshtje nga njeriu më i njohur e i rëndësishëm i asaj kohe për ato rajone, Ramë Bllaca – deputet në parlamentin jugosllav, u lartësua sa asgjë tjetër.

Nuk ka ndonjë objekt që u foli më shumë shqiptarëve në ato momente, nuk ka ndonjë të folur më bindëse se sa e folura e asaj shtëpie kullë qëndrese që i zoti po e ndërtonte jo pa qëllim. Nuk ka ndonjë objekt tjetër më të rëndësishëm për shqiptarët në ato mote të rënda kur shumë njerëz po lëshonin e i lëshuan trojet.

Ajo shtëpi – kullë – digë – kala, tejkaloi me fuqinë e saj gjithë objektet e kultit që mund të flisnin e agjitonin tek shqiptarët që ta ndalnin hovin e shpërnguljeve.

Shtëpia e Ramë Bllacës u bë dhe mbeti e shenjtë për misionin që kreu, ani se jo gjithë kohën e gjithë motet është parë dhe është trajtuar si e tillë, si një objekt i jashtëzakonshëm i trashëgimisë për historinë e kulturën shqiptare. Ajo shtëpi qëndrese zevendëson kalatë që s’i kemi mbi tokë se koha na i ka rrënuar, na i ka varrosur. Është kala krenarie e llojit të veçantë.

Ajo shtëpi nuk ka të dytë për misionin që kreu në kohën e vendin e duhur. Ndaj meriton gjithë nderet jo thjeshtë si shtëpi, si kullë por si digë e qëndresës shqiptare, si digë që ndali vrullin e ikjeve të shqiptarëve.

Serbia që synonte me çdo kusht trojet shqiptare, në marrëveshje me Turqinë që donte njerzit shqiptarë me mbushë hapsirat e shkreta të Anadollit e me përmirësue rracën e saj me shqiptarë, nisën ofensivë dhune kundër shqiptarëve të Toplicës, dëbim me kamzhik e bajoneta.

Ndërkohë gazetat e Europës shkruanin se po del Turqia prej Ballkani…

Pra dëbimi i shqiptarëve prej Toplice, si vërshim i tmerrshëm kishte nisë drejt Turqisë.

Diku në udhë, në Suharekë, në Bllacë të Suharekës kishte nisë të ngrihej një digë qëndrese, një shtëpi dykatëshe guri, një kullë epike qëndrese, një digë madhështore që nëse nuk e ndali plotësisht vërshimin e shqipatrëve drejt Turqisë, të paktën e theu atë vërshim, ia ndali vrullin, ia pakësoi fuqinë.

Një kullë digë qëndrese kundër shpërnguljes së shqiptarëve, digë qëndrese që ndali vërshimin e dëbimit të shqiptarëve, që e paksoi vrulin e dëbimit.

Në kohët më të vështira, kur dëbimi ishte në kulm, kur shqiptarët me thasë e torba ëndrrash e fatesh në krahë, në qerre e trena dëbimi, ishin nisë drejt zhbërjes, drejt harrimit e tjetërsimit, ishin nisë të bëheshin turq, në bazë të marrëveshjeve antishqiptare turko-serbo-greke, Ramë Bllaca ndërtonte kullën e tij dykatëshe, me gurë të gdhendur e tjegulla të kuqe, në Bllacë, në udhën nga kalonin karvanet e shqiptarëve të dëshpëruar e të përzënë.

Kulla që fliste e foli më shumë mbase se çdo kullë tjetër shqiptare, gurë që flisnin, tjegulla që flisnin bash në ato kohë kur fjalës i ishte zbehë pesha.

Kulla e Ramë Bllacës foli dhe shqiptarët ndalën turrin, ndalën vrapin e ikjes. Nuk them që ndaluan ikjet, por ajo kullë qëndrese, ajo digë, ndali dëbimin masiv sepse shumë njerëz mendonin, kur ky njeri po ndërton kullë, po ne pse ikim, kur ky njeri i ditur, deputet, ndërton kullë, po ne pse ta lëshojmë Kosovën.

Dhe ashtu ndodhi, u pakësuan e ndaluan ikjet.

Serbia e kuptoi dhe u alarmua, nuk e përballoi këtë sfidë shqiptare të Ramë Bllacës.

Nëse  ka ndonjë shqiptar me të cilin Serbia të jetë marrë energjikisht gjatë më shumë se katër dekadave të para të shekullit të njëzetë, me të gjitha format e saj, për ta sfumuar, paralizuar, për ta bërë të heshtë pasi fjalët e tij kishin rrezikshmëri të lartë për Serbinë, dhe më së fundi për ta zhdukur fizikisht, ky njeri është Ramë Bllaca - përmendore që u qëndroi të gjitha furtunave në Kosovë, përmendore për të cilën është kujdesur dhe vazhdon të kujdeset çdo shqiptar që ndjehet shqiptar në Kosovë.

Politikan i spikatur, patriot i patundur, inteligjent jo i zakonshëm, trim i pashamatë. Këto do të ishin disa nga vetitë e karakterit të tij.

Lindur dhe rritur në mjedis patriotësh, i kamur relativisht, ai ndjente thellë vuajtjet që Serbia u shkaktonte shqiptarëve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat