Promovimet e veprave

Kultura

Promovimet e veprave

Nga: Hajdar Mallaku Më: 24 tetor 2019 Në ora: 20:21
Hajdar Mallaku

Promovimet janë akte solemne kur e bëjmë të njohur botërisht botimin e një vepre shkencore, letrare apo të një lloji tjetër. Fjala promovim, që e përdorim zakonisht, është fjalë latine: promotio- proklamim solemn, publikim, shpallje; promovere- ajo që duhet të publikohet. Në vend të saj përdoret rrallë edhe fjala përurim libri që është poashtu ceremoni zyrtare e urimit të autorit për botimin e veprës.

Botimin e veprave shpeshherë e krahasojmë me lindjen e fëmijës. Ashtu si heq nëna gjatë lindjes, heq edhe krijuesi. Por, deri sa prindërve dhe vetë fëmijës u urojmë që të kenë jetë të gjatë dhe të lumtur, autorit i urojmë (atij përsonalisht) jetë të gjatë dhe të lumtur që të na dhurojë dhe vepra të tjera. Nuk i urojmë veprës (librit) jetë të gjatë. Këtu dhe qëndron ndryshimi.

Libri ka jetë të gjatë, i uruam apo nuk i uruam ne, për aq kohë sa e gjejmë në duar të lexuesve, sepse prej asaj dite kur proklamohet solemnisht, vepra ikën nga duartë e autorit, bëhet vepër publike dhe i nënshtrohet shijes, vlerësimit që e bën lexuesi dhe kritika letrare, nëse merret me të.

Në kohën tonë jemi dëshmitarë të botimit të shumë veprave shkencore, por sidomos të atyre letrare. Dhe na gëzon fakti që shumëkush e provon veten. Në këtë rrugë dikush e kupton veten që nuk është për këtë lëmi dhe pushon; disa të tjerë e vazhdojnë avazin me botime të pavlera e të tretët, ata që ofrojnë vlera të mirëfillta, i absorbon hapsira kulturore dhe mirëpriten. Ka të tillë që “nuk kanë çka të botojnë, por kanë me çka”; ka dhe të atillë që “kanë çka të botojnë, por nuk kanë me çka”.

Botohen edhe vepra pa kurrfarë kriteri vlerash, vepra ku palosen fjalë si në këngët tallava, që më mirë do të duhej të quheshin vepra familjare se sa publike.

Botohen vepra ku gjuha e tyre është dialektore, krahinore, madje dhe thjeshtë lokale, gjuhë rrugësh( po e them për kuptimin negativ, se në rrugë flitet edhe gjuha standarde). Sa mund është bërë deri në krijimin e gjuhës standarde. Dhe tashmë ka kaluar një gjysmë shekulli. Kuptohet se gjuha e letërsisë ka në vete edhe gjuhën standarde e cila është krijuar nga dialektet, por me kalimin e kohës ajo bëhet mbizotëruese, i afron dialektet dhe i çon drejt zhdukjes. Prandaj unë mendoj se gjuha e letërsisë duhet ta ketë si bazë gjuhën standarde, duke i respektuar veçoritë e gjuhës së letërsisë me rastin e individualizimit të personazheve, të situatave etj. Kuptohet ne s’mund t’ia vëmë në gojë një bariu gjuhën e akademikut. Nuk është sot koha e Buzukut dhe Jul Varibobës, as e Naimit dhe Fishtës, por kemi një gjuhë të normuar, një kod rrënjësor gjithëkombëtar që duhet respektuar.

Edhe shkrimet e bëra pa respektuar asgjë nga elementet e vjershërimit, pa respektuar shenjat e pikësimit, na ofrojnë shkrime të varfëra. Ne edhe kur mendojmë, edhe kur flasim, edhe kur shkruajmë, i përdorim shenjat e pikësimit. Mungesa e tyre është varfëri. Varfëria nuk është pasje. Pasjen nuk po e duam.

Lazgush Poradeci, mbreti i poezisë shqiptare, kishte deklaruar me një rast se poeti krijon për ta kënaqur vetvetën në radhë të parë e pastaj lexuesin. Sikur bilbili që këndon në degë dhe nuk është i vetëdijshëm se nën pemë është njeriu që e dëgjon dhe kënaqet; ai këndon për çejfin e vet. Por a janë të gjithë krijuesit bilbila(poetë, prozatorë, shkencëtarë) apo janë radhitës fjalësh? Ne do të përgjigjemi se diferencimin e bën pikërisht ecja nëpër kohë. Këto vepra dalin nga duartë e autorit dhe startojnë në jetë si atletët që shkëputen nga pika zero e startit. Shumë prej tyre nuk e kalojnë as rrethin e parë sepse janë të lodhura, disa vazhdojnë me dihatje për një kohë, ndërsa të tretat e përpijnë kohën, leht e kalojnë cakun dhe futen thellë në jetë, e mbajnë gjatë e gjatë nivelin e rekordeve dhe nderohen. Këto të fundit janë pak. Shumkush nuk ka mundësi t’i blejë. Bibliotekat, ku libri merret për t’u lexuar dhe kthehet, nuk kanë fonde për t’i blerë. Edhe nëse dhurohen, dhurohen në pak ekzemplarë dhe rrallë në ndonjë bibliotekë. Kemi pak ose aspak shkrime dhe debate mbi trendet e poezisë bashkëkohore që do të merreshin si nivele dhe udhërrëfyese për krijuesit e rinj. Ajo që të impresionon janë Klubet e lexuesve që praktikohet në Shqipëri. Shumë të rinj, talentë, heshtin pas veprës së parë. A thua shterren kaq shpejt, apo nuk kanë përkrahje? Një numër i vogël, mjerisht, shkojnë në degradim, thuase po shkruajnë poezi më se modere, moderniste…

Ky numër kaq i madh botimesh ka shkaktuar një turbullim që deri sa të kullohet trendi kulturor “nuk duken në sipërfaqe veprat me vlerë”.

Nuk po e përmendi me nostalgji kohën e njëpartishmërisë, e cila i kishte anët negative të theksuara: dënohej çdokush që nuk shkruante brenda binarëve kah ecte Lokomotiva e Partisë: i ndalohej të botonte, shpallej krijues me ide mikroborgjeze, shpallej armik i populit, burgosej, izolohej, diagnostifikohej për t’u edukuar ideologjikisht etj. Por, botoheshin vetëm vepra me vlerë, pate a nuk pate para. E pranojmë se kishte edhe atëherë autorë të llastuar, të favorizuar dhe zëdhënës të pushtetit. Kishte dhe konformistë për t’u ikur ndëshkimeve.

Çeshtje në vete është edhe vetë promovimi i veprave. Sado që organizatorët mundohen të sjellin elemente të reja për ta bërë më tërheqës këtë akt solemn, prapëseprap ata sillen në një rreth ku ripërsëritën gjërat: lexim i disa vargjeve (shumë herë dhe dobët), pika muzikore për ta freskuar artin me art si një atavizëm kulturor që na e përkujton bashkëjetesën e poezisë me muzikën dhe vallëzimin-koha e sinkretizimit), një a më shumë vlerësime kritike për veprën, fjalët e rastit për autorin, se për veprën jo (dhe vërtet janë të rastit se nuk thuhet gjë me rëndësi), lule për autorin nga nipërit, mbesat apo farefisi, ndonjë telegram(që nuk është nisur e ka arritur) sepse sot në vend të tyre janë kumtet(mesazhet), ndonjë dhuratë autorit, zakonisht libra personale për të treguar se edhe ata janë poetë, fjala e autorit dhe një spektakël familjar: fotografime pa kufij, etj.

Në fjalët e recenzentit dhe të kritikëve kemi aq shumë teprime lavdimesh sa nuk janë thënë as për shkrimtarët e famshëm botërorë dhe shqiptarë. Bëhemi tepër të pasinqertë ndaj autorit dhe atëherë kur në veprën e tij ka fare pak apo aspak shkencë, poetikë. Kuptohet që çortimet e ashpëra nuk kanë vend në këto raste solemne as në shkrimet për autorët që botojnë për të parën herë, por në rastin e dytë e pastaj, po, si ishte rasti me një krijues tonin, që kishte humbur në kohë dhe në kohën moderne e lavdëronte me nostalgji dhe e preferonte idilën baritore dhe kritiku i ndjerë, Hasan Mekuli, i kishte thënë :”Mos grij ujë në havan..”

Me këto ekzagjërime jemi takuar shpesh edhe ne. Me një rast u bë promovimi i një vepre të një autori të rinj dhe premtues në Prizren, në një mulli që ishte konservuar dhe kthyer në lokal afarist dhe ambijenti ishte mjaftë tërheqës. Kisha nostalgji dhe unë se me gjyshin në fëmijëri isha aty për të bluar me kalë. Pati shumë publik nga farefisi, por edhe nga baballarët e kulturës që nuk e lënë pa e ngjyer gishtin në asnjë çervish që zihet në qytet. Dhe këta aq shumë dërdëllisën duke e promovuar vetvetën sa më erdhi dhe thashë vetëm për të më dëgjuar rrethi i afërt: “Bluani, bluani ! Këtu dikur është bluajtur grurë, misër, thekër, elb dhe është situr me kujdes, me sitë maxhare, nga magjetorja e mirë e sot po bluani dhe bollgur e tërshërë; tërshërë që njeriu modern vonë e zbuloi që është shumë e preferuar për të, ia mori kalit idaren dhe tash është vënë në trendin e tij.

E keqja është se promovimi bëhet para një auditoriumi që nuk e kanë lexuar librin dhe për të flasin shumë vlerësues duke e proklamuar vetveten, mbajnë ligjërata për të treguar se “dinë shumë”, e publiku për ta tejkaluar duron e duron këtë pompozitet banal.

Në një tjetër promovim për një vepër vjershërimi(se jo poeti) të një autori që në pleqëri i kish rënë në mend për poezi dhe ofronte vlera fillestare u thanë aq vlerësime të mëdha sa nuk janë thënë as për më të mirët. Autori u impresionua dhe shpërtheu në vaj. Mësuesi dhe miku im i ndjerë, Rexhep Smailaj, më pyeti se pse qante ai njeri. I thashë se qante se sot e ka kuptuar se sa i madh është. Qeshi me loçkën e zemrës. Mirë kishte thënë në këtë kontekst poeti françez Andre Zhid: “Kur i lexoj shkrimet e kritikëve për veprat e mia, them: uf, sa i madh që jam!”

Në shkrimet e recenzentëve pak herë hasim ndonjë vërejtje për veprat e autorëve. Më në fund ne kot flasim për to nëqoftëse ato nuk flasin për vetvetën (nuk flasin vetë), nuk flasin me lexuesin. Prej atyre autorëve që nuk i gjejmë në duartë e lexuesve ka shumë. Nuk ecin larg, i mbulon pluhuri i harresës nëpër rafte, dhe të dëshpëruara përfundojnë në shportën e mbeturinave.

Të pamëshirshëm janë dhe redaktorët që asnjëherë nuk e marrin guximin t’i thonë autorit që ta përpunojë dhe më tutje veprën se nuk është për botim. Veprës ia bëjnë vetëm një grim letrar sa për t’i zhvatur disa euro.

Shumë prej autorëve krekosen se kanë botuar shumë vepra. Asnjëherë nuk e vërejnë se nuk kanë bërë asnjë avansim sa vepra e fundit nuk dallon fare nga e para dhe se sasia nuk e përcakton vlerën.

Fjalët përshëndetëse dhe falenderuese shumë herë janë qesharake. Emitohen fjalët falenderuese të artistëve kulminantë botërorë, të muzikës, filmit, të nobelistëve etj. E këta ku janë ngat tyre? Bashkëshortet e tyre vetëm nëse i kanë penguar ndonjëherë duke u thënë: “ Lëre shkrimin e ec e laji enët!”, duke i përjashtuar rastet e veçanta e këta i lavdojnë e ec e mos i lavdo…

Në ndeje nëpër kafene i emitojnë shkrimtarët boemë: mbajnë kamish, çibukë, cigarëllëqe. Në kokë mbajnë republikë. Disa prej tyre e endin librin rrugëve për ta shitur ose nëpër shkolla duke e shfrytëzuar autoritetin dhe frikën e nxënësit prej profesorit.

Në fund kur është fjala për foto, ky është kulmi i alegorisë. Plaka me taka e pleq hajidreq palohen si adoleshentë para shkrepjeve selfije të celularëve për të treguar se për asgjë tjetër nuk janë aty.

Kur në fund mendojmë se të gjitha këto i bëjmë për dijen, për librin, ngushëllohemi dhe urojmë: Lum libri për ne e lum ne për librin!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat