Universi i dashurisë së gërshetuar me vitalitet artistik

Kultura

Universi i dashurisë së gërshetuar me vitalitet artistik

Nga: Baki Ymeri Më: 11 dhjetor 2019 Në ora: 10:38
Kopertina e librit

Poezia është universi i dashurisë, drita e përjetësisë, çelsi i buzëqeshjes magjike dhe pasqyra e shpirtit. Artisti krijon me sytë e mendjes dhe të frymës së jetës e të dashurisë së sinqertë për lumturiminm e shpirtit. Art i vërtetë është ëndrra dhe shpresa për një jetë më të mirë. Filozofi mund të mos jetë poet, por një poet duhet të jetë para së gjithash një mendimtar. Arti është pronë e autorit dhe realitetit, e vetmja pasuri e një populli që nuk mund të degdiset. Fikrushe Podrimja na dhuron një libër të shkruar me shpirtin e fjalëve dhe zjarrin e dashurisë ndaj atdheut, vendlindjes, jetës, prindërve dhe fëmijëve. Fëmijët për të janë engjëjt e kësaj toke, stoli unike dhe gëzim i kësaj bote: Ata janë si hëna që botën e ndriçojnë/ ëmbëlsi zemrash aty ku frymojnë.

Vëllimi në totalitetin e tij sjell para lexuesve ndjenja, ide, mendime, shpresa dhe aspirata. Libri i mirë është ai që na e kultivon shpirtin duke na pajisur me një spektër mendimesh e ndjenjash të bukura. Poeti është një forcë e gjallë e vitalitetit artistik, një album meditimesh me tingujt e gjallë të ndjeshmërisë. Autorja dëshmon se e ka përvetësuar teknikën e artit dhe teorinë e letërsisë, duke e ndjerë gjuhën shqipe si një xeherore të florinjtë për të krijuar vlera adekuate. Poeti është mbret në atdheun e vet. Ai është mbret ngase e ndjen dhe e kupton letërsinë si një ansambël meditimesh sociale, patriotike dhe filozofike.

Në tekstet e Fikrushes ekziston një pikë takimi tokës dhe qiellit, ndërmjet ideve dhe emocioneve, cilësi kjo që i siguron autores një vend të veçantë në spektrin e krijuesve tanë nga mërgata shqiptare. Autorja shkëlqen me vlera letrare dhe artistike. Ajo vjen me ide dhe shprehje të reja të papërmendura nga dikush tjetër më parë. Poetët e mirëfilltë janë të prekur nga flatrat e engjëllit. Autorja shkruan duke ëndërruar, duke na prurë petale shpirti, fjalë dhe shprehje të reja, të skulptuara dhe të latuara, që e shpien lexuesin nga drita në dritë. Ajo e ëndërron botën e ritakimit me dashamirët e saj dhe harmonitë e jetës në krojet e fjalës. Shkëndija frymëzimi shpërthejnë në poezitë e saj, prezente në librin “Shkëmb i Tokës Dardane” (Meshari, Prishtinë 2015). Janë poezi të ndjera dhe të shkruara me një stil të bukur lirik, të kuptueshëm, të thjeshtë dhe të qartë.

Janë vargje të rimuara dhe të parimuara, që pasqyrojnë të gjitha kujtimet, frymëzimet, meditimet, ëndërrimet, shqetsimet, aspiratat, shpresat, iluzionet dhe pasionet e autores gjatë qëndrimit të saj në Kosovë dhe në mërgim. Jeta, vullneti, si dhe ndjenja e dashurisë dhe e atdhedashurisë i përshkon shumicën e vjershave të saj. Sentimenti patriotik dhe fryma lirike e Fikrushe Podrimjes vjen si një valëzim dhe trazim i detit të shpirtit, duke dëshmuar se autorja është një luftëtare e denjë në përmbushjen e misionit fisnik për kultivimin e poezisë shqipe në trojet e mërgatës shqiptare. Krahasuar me poetët tjerë, Fikrushe Podrimja ka një individualitet krejtësisht të veçantë, një frymëzim dhe figuracion tepër poetik, një natyrshmëri në rrjedhën e vargut dhe një botë emocionale të ndjeshme.

 Ndryshe nga poetët e tjerë, në poezitë që njohim prej saj, uni poetik është krejtësisht i identifikuar me autoren. Ajo s’është as fëmijë, as hero i panjohur që mëshiron një ndjenjë apo çështje të përgjithshme, por është poeti vetë që vuan, që përjeton situata të veçanta emocionale. Në frymën e përgjithshme ajo është e ngjashme me heroin romantik që s’ndjehet mirë në realitetin e kohës, që ka vuajtje dhe trishtim në shpirtin e saj. Vetmia për poetin është një dhunti hyjnore. Kështu, njësoj si romantikët e shqetësuar, edhe poetja jonë, here pas here ndjehet e vetmuar, sidomos në çastet e frymëzimit, por shpirti i saj kërkon prehje dhe mirëkuptim nga të tjerët.

Struktura e meditimeve është e pasur, e qartë dhe e thellë: “Dikush humb në mendime/ si shtëpi pa derë/ dikush humb si dallgë deti/ vrapon dhe ikë në pafundësi// Dikush mendimet i shndërron në vlerë…/ Dikush shkëlqen si hëna në qiell…/ Dikush mendon gjithmonë/ ta shuajë atë diell.” (Dikush shkëlqen si hëna). Dikush hedh para për botime librash, por mungojnë lexuesit? Pse? Ngase shqiptari hesh më shumë para për cigare se sa për gazeta e libra shqiptare. Kjo ndodh te ne, por jo edhe te popujt e emancipuar, si gjermanët, hebrenjtë, polakët etj.

Bujari brezash, Gjentilesë dhe arrogancë,  Në horizontin e pafund, Plagë shpirti, Ikja e mbrëmjes, Krushqit e lirisë, Loton qielli, Pranverë pa lot, Çiltërsinë ta shoh në sy, Horizont i pafund, Shqipe mali, Vendlindja ime, Burra të famshëm, Atje fle dhimbja ime, janë disa nga titujt e poemave më të frymëzuara të saj: “Në krah të heronjve/ nuk e ndalën këngën/ as shpresën e Bacës/ Mbetëm në Kosovë/ si agimi i kuq me ngjyrat/ e gjakut të lirisë”. Në botë ekzistojnë dy lloj njerëzish: poetët, dhe të tjerët. Poezinë e krijon vetëm një elitë, një pakicë. Për disa, fjala e tyre është e errët, që të tjerët s’e kuptojnë. Frymëzimet e zgjedhin shpirtin e njeriut të veçantë. Ato zbresin nga qielli mbi bjeshkët e Dardanisë, dhe prej atje vijnë te unë, te ti dhe te ata që e bëjnë botën më të lumtur. (Bukuresht, 28 Nentor 2019).

Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat