Në qytetin e Shkodrës, që ndryshe quhet edhe djepi i fotografisë shqiptare, sapo është hapur galeria e artit ODA.
Arti i fotografisë në Shqipëri pati fillimet në vitin 1858, kur mjeshtri Marubi hapi studion e parë fotografike, në shtëpinë e tij në Shkodër.
Mbase ky ngjan të jetë pikërisht misioni i të gjithë atyre që e duan fotografinë dhe mbase kjo e nxiti Rozafën ta inaugurojë galerinë, që hapi në shtëpinë e saj, me një ekspozitë ndërkombëtare fotografie, me pjesëmarrjen e 19 artistëve fotografë nga disa vende të botës.
Rozafa Shpuza, e cila njihet si poete dhe fotografe me një karrierë dinjitoze artistike, shprehet se qëllimi i saj është të mirëpresë sa më shumë fotografë, në mënyrë që t’i japë vendin e merituar artit të bukur të fotografisë në qytetin e Marubit dhe ta çojë përpara këtë traditë të mrekullueshme të Shkodrës.
Galeri ODA është ngritur në një nga shtëpitë e vjetra shkodrane dhe kjo e bën edhe më tërheqëse dhe emocionuese prezantimin e fotografive në ekspozitat e ndryshme që do të hapen nga artistët fotografë.
Të gjithë artistët kudo në botë janë të mikëpritur në galerinë ODA në Shkodër.