Testament i jetës dhe drita artistike e së vërtetës

Kultura

Testament i jetës dhe drita artistike e së vërtetës

Nga: Baki Ymeri Më: 14 shkurt 2020 Në ora: 17:45
Koperina

Remzi Basha është një atdhetar i zjarrtë i mërgatës shqiptare në Suedi, poet, prozator, publicist, dhe mbi të gjitha patriot dhe luftëtar fisnik për kauzën shqiptare dhe kultivimin e vlerave kombëtare në diasporë. Respekti dhe mundi janë vyrtyt i bëmirësisë së këtij njeriu të palodhshëm. Poezia e Remzi Bashës është testament i jetës dhe drita artistike e së vërtetës. Me një aktivitet të bujshëm letrar, poeti vjen para nesh, gjithmonë i ngarkuar me valixhet e një gjuhe të bukur amtare, i pandarë nga tematikat e një sentimenti autentik dhe gjithëpërfshirës, nga idetë e analizuara me qartësi, pa paragjykime ballkanike dhe pa pornografi nordike. Remzi Basha njihet si mbrojtës i një bote të zbukuar me ngjyra të llojlloshme, me siguri ekzistenciale dhe lumturi familjare, me idenë se çdo fjalë duhet të të ofrojë dashurinë për jetën, për tokën, për atdheun, për flamurin, për respektin, për vlerësimin për të tjerët, për ndjenjën që bashkon dy zemra. Poezia për Remziun është një instrument themelor i komunikimit, një ilaç i mrekullueshëm që e shëron trupin dhe shpirtin.

Nëpërmjet shprehjeve të bukura lirike të një jete të mrekullueshme në veri të kontinentit, Remzi Basha arrin në zemrën e lexuesit, duke e hedhur poshtë idenë se poezia qenka një mjet i zgjedhur vetëm për disa. Me një gjuhë të thjeshtë e të drejtpërdrejtë, poeti na ofron edhe në këtë vepër të re, një shumëllojshmëri emocionesh, një lloj ditari në vargje që hap dyert e reflektimit ndaj temave intime dhe ekzistenciale. Idetë e autorit gërshetohen me fjalët përmes një kujtimi, përmes një imazhi, përmes një mendimi, të gjitha të përshkruara në mënyrë kaq të saktë, saqë e lejojnë lexuesin të deshifrojë shpirtin e poetit, jetën dhe identitetin e tij.

Vetëm për ty jetoj, i thot autori të dashurës së tij: “E kam një ëndërr për ty dhe me të jetoj/ Në shtjellën e kujtimeve që nuk degdisen/ Më mbetet çasti me ty të ngrej kupa/ Mrekullinë e fuqisë së artit për gjallërim/ Ma ke dhuruar gjithmonë si ushqim!” Është e çuditshme të vësh re, çdo herë, se si shpirti i poetit është në dialog i vazhdueshëm me veten dhe gjithnjë gati për t’i lënë vend mahnitjes dhe mrekullisë brenda e jashtë saj. Kjo përmbledhje e re me poezi dëshmon binarin në të cilin lëviz koha e jetës së saj: e kaluara, e tashmja dhe e ardhmja, të filtruara nga sytë e shpirtit.

Motivet e poezive janë të ngarkuara me një atmosferë nostalgjike dhe romantike. Poeti i adhuron çastet e gëzimit duke i kërkuar ato në mënyrë të vazhdueshme, duke mos e harruar vendlindjen e ngarkuar me ngjarje ngjarje të vështira sociale, gjithmonë duke i dhënë prioritet urtësisë, qetësisë, paqes, lumturisë dhe dashurisë. Është ky një kërkim i qëndrueshëm dhe këmbëngulës i rrethanave të jetës së ngarkuar me lot dhimbjesh e durimesh për disa, dhe me shkrepëtima buzëqeshjesh për ata që dinë ta përjetojnë jetën e vërtetë. Çdo gjë që i përket natyrës dhe dashurisë, krijon tek Remziu një ankorim ndjenjash pozitive që përfaqësojnë një gërshet im të bukur të relacioneve humane, shpeshherë të papritura, të rrufeshme dhe të mahnitshme.

Ja se si e përshkruan fëmijërinë e dritës poeti i dashurisë! “Në kohën kur drita mëson/ Të endet në ëndrrat e veta mbi tokë/ Dhe vetëm ëndrra i bëhet dritë/ Ddrejt të qenit gjithçka që mbështetej/ Në shelqet mbi shpatije e shkrepa/ Njeriut i duhej të mungojë vetëm për disa ditë qiellore/ Derisa drita e njomë/ T’i hapë gjerë dritaret e ëndrrave/ Në drejtim të yjeve...” Është një nga poezitë më të bukura që buron nga një shpirt i vrullshëm, i zjarrtë dhe i joshur nga ëndrrat e rinisë dhe nga fëmijëria e fjalëve. Në disa nga poezitë e këtij vëllimi, poeti është i joshur nga butësia e femrës, i kapshëm nga magjia e saj, por edhe i rrëmbyer nga bukuria e natyrës që mban jehonat e një historie të gërshetuar me elemente pitoreske dhe dramatike.

Dardania, e banuar në lashtësi me dardanë, ish/provincë në lindje të Ilirisë (Kosova e sotme), konfigurohet si një hapsirë e mbrujtur me një shenjtëri të veçantë, të cilën poeti e pikturon dhe konzervon nën aspektin e një lirismi të dridhshëm: „I vetmuari/ Përmes pluhurit të yjeve/ Ende është i lirë/ Te Fontana të vijë e të pijë/ Dhe nëse krojet e Dardanisë/ Harrojnë se çka janë/ Përmbi to me padurim/ I mbledhin mendimet e dheut...” Magjia e poezisë së Remzi Bashës na vjen si një dhunti e veçantë e shprehjes me një çiltërsi të hijshme, të hapur e transparente, dhe assesi si një “eksploatim” semantik i mbyllur. Vargjet kanë një erotizëm plot shend e verë. Shëmbëlltyrat e një ndjeshmërie të mëndafshtë hiperbolizojnë objektin e dashurisë që zgjon admirimin e një mrekullie të veçantë: “Jemi vetëm ne si dy hyjni/ Në brigjet e hatashme/ Të kohës me shi/ Jemi vetëm ne të dy/ Në jetën e përbashkët/ Bërthama të një parajse/ Të çliruar nga faji elementar/ E të dëbuar në netët e ëndërrimit.”

Poezia e mërgimtarëve tanë është kënga e dashurisë dhe kënga qëndresës. Poeti din të qëndrojë në portën e dashurisë kur zbret heshtja në erë të furishme, të tjerrë me përmallim çaste kalimtare. Poeti kërkon fije të mëndafshit për unaza. Me to ai tenton të lidhet me përjetësinë. Sipas tij, fontanat e thara do ta gjejnë burimin, kurse sutat e plagosura në lëndina, do t’i shërojnë këmbët në barin e gjelbërt. Nuk do të jetë vonë, thotë poeti, ose shumë herët! “As lot të vargëzuar në rruaza nuk do të ketë/ Vetëm një hark e një zemër – violinë/ Duke vibruar sikur të ishte hera e parë!” Fjalët e poetit kanë fuqinë për t’i dhënë jetë universit të paskajshëm. Ato mund të sjellin në trojet e ekzistencës një regjistër të hatashëm ideshë dhe sentimentesh. Remzi Basha që nga libri i tij i parë, shquhet si një shpirt i ndjeshëm dhe delikat.

Dashuria në vargjet e tij ka një shkëlqim të mahnitshëm, gjenerator i energjive të mbara. “E kam një ëndërr për ty dhe me të jetoj/ Në shtjellën e kujtimeve që nuk degdisen,/ Më mbetet çasti vetëm me ty të ngrej kupa/ Mrekullinë e fuqisë së artit për gjallërim/ Ma ke dhuruar shpirtin gjithmonë si ushqim!” Vërehet këtu një infuzion i çliruar i elementeve folklorike që vijnë nga një lashtësi fabulative, nga përrallat e kulturës popullore, nga një e shkuar heroike e përjetësuar në kujtesën afektive, përzjerja e së cilës e pronëson artin poetik të krijuesit. Kjo ndjeshmëri lirike ndikon që të joshet nga ide dhe forma, duke i osciluar ndërmjet planit real dhe ireal. Ajo që është interesante, është se poeti i dashurisë jo vetëm që e ndjen dhe e sheh, por edhe e dëgjon botën. Duke e dëgjuar botën, jehona e vargjeve të tij kaplon përmasa reale të bukura lirike dhe artistike. Remzi Basha është një poet i botës moderne, por nuk mund t’i harrojë apo mohojë rrënjët nga të cilat poezia e tij e shkëput lëngun e përmbushur me vitalitet të përbujshëm. (Bukuresht, 15 Shkurt 2020)

VETËM PËR TY JETOJ

E kam një ëndërr për ty dhe me të jetoj

Në shtjellën e kujtimeve që nuk degdisen,

Më mbetet çasti vetëm me ty të ngrej kupa

Mrekullinë e fuqisë së artit për gjallërim

Ma ke dhuruar shpirtin gjithmonë si ushqim!

E kam një ëndërr të bukur me ty dhe për ty

Dashuria e gjallë mund të zgjasë një përjetësi

Askush s’mund të më gjunjëzojë para shpresës

Me ekuilibrin tim në drejtim të qëndresës

Për ty mund të sajoj ëndrra e udhëzime

Mund të shuaj zjarrin e ta shkrij dëborën

Mund ta ftoj pranverën me luleborën

Për ty mund të fluturoj deri në qiell

Eja e dashur se vetëm ty të kam

Pranverë e zjarr dhe hënë e diell!

DY ËNDRRA KALIMTARE

Pemët mbajnë lotë mbi gjethet që vdesin

Zogjtë mbajnë në flatra dëshirën për fluturim

Jeta e dashuria janë dy ëndrra kalimtare

Dhimbja e shpirtit të butë përdëllimtar

Pemët e zogjtë dhe dashuria që vdes

Më dhembin përjetimet e tyre kaluese

Unë ty të kam zanë e ti më ke mua urë

Shpresat dhe idealet nuk vdesin kurrë.

HORIZONT I ËNDËRRIMIT

Në zemrën time troket një zemër

Por nuk dëgjohet e nuk dëgjohet

Ëndërrim e tringëllim…

Nga syri im po shikon një sy

Kundron kuq e kundron blertë

Shikon bardhë, në të zezë degdiset

Kundron duke përgjuar

Me dashuri duke dashuruar…

Në shpirtin tim përpëlitet një shpirt

Tik-tak e tik-tak më pulson

Më pushton e ma ëndërron

Zilen e zemrës, dritën e syve

Por nuk duken e nuk dëgjohen

Unë ty të dëgjoj, zemrën tënde

E dëgjoj në zonën e përvetësimit

Dhe në horizontin e ëndërrimit.

DEKLARATË DASHURIE

Më vjen keq dhe tani pse s’të thash se të dua

Me buzët e ngjitura të shikoja ty, dashuria ime

Dhe mundohesha mos të shembem

Duke të harruar dikund…

Drita e diell, zëra, një melodi e qiellit të butë

Një ndruajtje mos të të humb e bie n’humnerë

Desha të të them asokohe se të dua shumë

Por nuk munda e dashur, nuk pata mundësi…

Duke rrëshqitur lehtë rashë përtoke

U shkëputa nga krahët tu dhe u linda…

NË POEZI NUK KA VDEKJE

Në poezi nuk ekziston vdekje

Ngjet vetëm që vargu të degdiset

Në një metaforë si shenjë libri

Duke të shpëtuar për të satën herë.

Kur e lexon me buzë të dridhshme

Përfytyrime duke gërshetuar ëndërrime

Duke mos dashur të degdisesh pa fitore

I harruar në botën e ftohtë pa faltore.

Në poezi janë drita e janë qiejt

Kurse ura është kufiri i largësisë

Që asnjëherë nuk mund ta ndajë

Dashurinë prej dashurisë…

DASHURI E PASHPREHUR

Jemi vetëm ne si dy hyjni

Në brigjet e hatashme

Të kohës me shi

Jemi vetëm ne të dy

Në jetën e përbashkët -

Bërthama të një parajse

Të çliruar nga faji elementar

E të dëbuar në netët e ëndërrimit.

Ti dhe unë jemi të mbështjellur

Me pëlhurat e direkut të anijes

Në nostalgjinë e kohës që vjen

Ne të dy, një univers yjesh

Në qiellin e netëve të verës

Dy shikime që mbështeten mes vete

Në peshën e paskajshme të viteve.

Unë jam atomi

I qelisë sate primordiale

Kurse ti je njeriu

I blindimeve të mia me gjerdan të artë.

Dhe sa kisha për të thënë se e bukur

Vetëm ti je në ditët e mia të kthjellta

I dashuri yt isha - dashnor i pashprehur

Që të tha para se të njihemi:

Ki kujdes për shpresat e mia!

EKUILIBËR

Vetëm pemët ende nuk kanë ekuilibër

Ata mbështeten me forcë në rrënjët e veta

Të thella, si një lumë që mihet në shkëmb

Thellë të lidhura, për të mos i lënë të huajtë.

Vetëm njerëzit lindin të mësojnë ekuilibrin

Për tepër të mbështetur në eshtra, si rrënjët përpjetë

Të ndëshkuar të mbajnë gërshetimin në shtegtimin

E lindjeve të shumëfishta, drejt të njëjtit perëndim.

Me rrënjë të këputura, pema sapo vdiq

Kurse ne, të gërshetuar në ëndrra të shpërndara

I kujtojmë çastet kur ishim të dashuruar

Ishim porsi pylli, pa kurfarë mëkatesh…

DARDANIA METAFORA IME

Në një botë me rimë, nganjëherë me ritëm

Në një botë të gjerë me përjetime kujtimesh

Ku zanat mblidhen të ta japin yllin e jetës

Ti atdheu im i dashur, ti metafora ime…

Je një poezi ku n’strofën e parë janë stërgjyshërit

Së bashku me popullin e pluhurin e barotit

Ne kemi qenë e do të mbetemi vetëm të Zotit.

Poezi, poezi, poezi, lumturi dhe bukuri e butë

E urtë, e padrejtë diku, here-herë e dhimbshme

Kjo je ti për mua ndërsa inë për ty jam përjetësia

Poezi, poezi dhe poezi, e dashura ime Dardani!

UNË E PREFEROJ LUMTURINË

Unë e preferoj lumturinë

Të prurë nga mosqënia,

Përralla ime e dashurisë

Është përplot të pathëna.

Unë derdhem nëpër destine

Në një tokë të hijeve

Dhe të bukurisë sublime

Duke ikur nga mendimet e zymta

E tuboj në sy blatimin

E harruar nga ne në parajsë

Dhe ndjej duke u dridhur bukuria

Që duket si gjithçka që ke.

Dhe qarku po mbyllet

Në mendimin tim të dashurisë

Madje dhe me shikimet e ndruajtura

Jam duke e preferuar lumturinë.

LUMTURI

Ç’prej moti guxoj të luftoj me të kaluarën

Duke patur për ideal lirinë dhe qiellin

Ëndërroj te frakcioni i vetëm i sekondës

Për mirësinë e furishme të njerëzimit.

Duke e ditur se infiniti është aq i vogël

Atëherë kur nga hiri mundohem të ngritem

Në sytë e mi, deri te ngjyra e tyre puro

E kaltërt, e sinqertë, pavdekësi e brishtë.

Muk di mund të mësoj lehtë ta braktis

Shpresën që jetën e kupton si diç tjetër

Më mban universi në madhsëhtinë e tij

Dhe siguria se jeta është ëndërrim...

Ëndërrimi ndërmjet idealit të përjetësisë

Stuhi e gërshtuar në bishtin e horizontit

Ëndërrim për rrumbullakësimin e spirales

Me lumturinë e pastërt e të pashprehur...

AJRI I ATDHEUT TIM

Ajri i atdheut tim

Është balsam e ledhatim

Siç është e natyrshme

Një dhuratë kombëtare

Nga pluhuri i rrugëve

Dhe aroma e luleve

Nga malet, nga lumenjtë

Nga cicërrimat e lahurive.

I jap një fërgëllimë të fshehtë

Varreve të stërgjyshërve

Frytet e tokës

Mirësjellja e mendimit

Tringëllima e kambanave

Tingujt e buçitjeve

Shenjat e paraardhësve

Njerëz të mirë dhe të bukur...

IDENTITET

Çapkënj, nipër e stërnipër

Prindër, gjyshër dhe stërgjyshër

Paraardhësit dhe pasardhësit

Po ju jap një identitet këtu.

Nga ky varg bën dhe ti pjesë

Dhe duke e parë atë n’pafundësi

Nga të dy skajet e tij

E përfiton forcën e granitit.

Gjuha amtare dhunti hyjnore

Natyrshmërisht e adhuruar

Gjithmonë të rri në disponim

Me tërë fjalorin e saj magjik.

Traditat, zakonet e doket

Me prejardhje stërgjyshore

Të identifikon mes njerëzve

Nga po vjen dhe kush je.

Dhe kudo ku do të këndosh

I lodhur nga kaq shumë ecje

Mbase i befasuar, do të konstatosh

Se e mban atdheun në shpirtin tënd.

GJUHA AMTARE

Është një muzikë hyjnore

E filtruar ndër breza

Gjuha jonë amtare

Që i ribashkon vëllezërit.

Ajo na mban bashkë

Është vula e fisnikërisë

Është një përjetim i lartë

Kënaqësi, dhe bukuri.

Është atdheu shpirtëror

Shenjë e identitetit

Krenari kombëtare

Dhuratë nga diviniteti.

Fjalët janë gjethe të ëmbla

Nga pyjet e kreshnikëve

Dhe rrobat e festave

Për njerëzit vertikalë.

E shenjtë shtëpia e trashëguar

Me gjithë thesarin që kemi

Por edhe detyra e shenjtë

Ta rruajmë dhe ta mbrojmë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat