5 librat që jua bëjnë më të lehtë qëndrimin në shtëpi - Bota Sot
5 librat që jua bëjnë më të lehtë qëndrimin në shtëpi

Kultura

5 librat që jua bëjnë më të lehtë qëndrimin në shtëpi

Më: 23 mars 2020 Në ora: 06:11
Ilustrim

Në këtë kohë kur të gjithë këshillojnë qëndrimin në shtëpi, ne po përpiqemi të gjejmë alternativa në mënyrë që izolimi të jetë sa më i lehtë - ai mendor edhe më shumë. Shumë prindër e kanë të vështirë që t’i bindin fëmijët për të mos dalë nga shtëpia, ndaj u duhet të gjejnë çdo ditë një aktivitet të ri me ta, në mënyrë që kjo periudhë të mos jetë e lodhshme mendërisht për fëmijët, por, natyrisht, edhe për të rriturit.

Në listën e mëposhtme, keni 5 libra për të rritur dhe fëmijë, propozuar nga shtëpia botuese Pegi, të cilët do t’ju largojnë nga realiteti e do t’ju bëjnë të jetoni një botë tjetër më të bukur, plot aventura e histori interesante.

Si të përballemi me vetminë – Sara Maitland

Një shoqëri si jona, e cila ecën me ritme të shpejta, nuk e pranon vetminë. Të jetuarit vetëm shihet si veprim antisocial, madje për disa është diçka kërcënuese. Përse ndodh kështu, kur autonomia, liria personale dhe individualizmi vlerësohen më shumë se kurrë më parë? Kësaj pyetjeje, autorja Sara Maitland i përgjigjet nëpërmjet hulumtimit të qëndrimeve të ndryshme që ka mbajtur shoqëria njerëzore gjatë historisë. Ajo propozon eksperimente dhe strategji për të mposhtur frikën që kemi ndaj vetmisë, na ndihmon t'i praktikojmë ato pa ndjenjën e ankthit dhe na nxit të shohim sa e dobishme është vetmia për njeriun. Duke e përjetuar plotësisht përvojën e të qenit vetëm, mund të frymëzohemi për të zbuluar fuqinë tonë të brendshmë dhe të jetojmë një jetë më të pasur e më të plotë.

Sara Maitland thekson se çdo qenie njerëzore ka nevoja spirituale dhe mistike, të cilat veç izolimi apo vetmia mund t'i përmbushë.

Cironka – Lisa Brennan Jobs

Lisa Brennan-Jobs erdhi në jetë aty nga fundi i viteve '70, nga lidhja e dashurisë mes prindërve të saj, artistes Chrisann Brennan dhe Steve Jobs-it. E ëma ishte një grua ëndërrimtare, që ndiqte idealet e hipive për një jetë të çlirët, kurse i ati, para se të ndryshonte botën përgjithmonë, ishte njeriu që bëri të mundur komunikimin falas përmes telefonit. Jeta e Lizës së vogël nuk qe e lehtë me një baba që vetëm pas testit të ADN-së arriti t'i jepte atësinë. Në sytë e saj fëminorë, Stive Jobs-i ishte një figurë mitike, jo fort i pranishëm në jetën e saj. Marrëdhënia me të atin do të mbetet gjithnjë komplekse dhe e mundimshme, me shumë keqkuptime dhe bashkëpunime, me nofka përkëdhelëse dhe heshtje të gjata, me afrime të përkohshme dhe gjeste thellësisht simbolike, por të heshtura: ndër të cilët, emërtimi Lisa i kompjuterit të parë pikërisht në nder të së bijës, siç pranon Jobs-i përpara Bono Vox-it (këngëtarit të njohur të grupit U2) gjatë një darke në Bregun e Kaltër. "Cironka" është historia e një vajze në kërkim të identitetit të saj, gjithnjë në përpjekje për të ruajtur ekuilibrin mes dy botëve të kundërta të prindërve. Gjithashtu, është një portret i fuqishëm dhe emocionues i Steve Jobs-it, i ndershëm dhe i pamëshirshëm, larg çdo klisheje, një pamje intime e njeriut që gjendet pas mitit.

“Sot e shoh qartë se ne kishim qëllime të papajtueshme. Për atë, unë isha veçse një njollë në shkëlqimin e karrierës së tij, sepse historia jonë nuk përputhej me rrëfimin e madhështisë dhe të virtytit që kishte dashur të ndërtonte për veten. Ekzistenca ime prishte vargun e sukseseve të tij të njëpasnjëshme. Ndërsa për mua ishte e kundërta: sa më afër tij të isha, aq më pak ndihesha e turpëruar; ai ishte pjesë e botës dhe do të përshpejtonte daljen time në dritë.”

Gjiganti i fjetur – Kazuo Ishiguro

E shkruar si një përrallë, plot realizëm magjik, me një mjeshtëri të jashtëzakonshme rrëfimi të thjeshtë, por po aq i thellë për simbolikën që Ishiguro përcjell përmes personazheve të frymëzuar nga epoka e mbretit Artur, “Gjiganti i fjetur” është padyshim një nga romanet më befasues dhe më të bukur të shkrimtarit që mori Nobelin në 2017. “Gjiganti i fjetur” është një reflektim i hollë e melankolik për kujtesën dhe harresën, si dhe për rolin që luajnë ato jo vetëm në jetën e individëve, por edhe të vendeve e popujve. Sepse vendet, popujt, vetë njeriu, është hiçgjë pa kujtesën; asnjëri prej tyre nuk do të ekzistonte. Ishiguro e di se vetia e njeriut për të kujtuar dhe mbajtur mend, por edhe dhuntia për të harruar detaje, çaste, sensin e kohës, emra e mbiemra, janë elemente të lidhura ngushtë me secilin prej nesh, e pikërisht këtu e gjen materialin për të mbrujtur një nga romanet më të mira që ka shkruar.

Tre ujqit e vegjël – Evjenios Trivizas

"Tre ujqit e vegjël" është, në fakt, një përmbysje e versionit të përrallës "Tre derrkucat e vegjël", një legjendë tradicionale e botuar për herë të parë në shekullin e 19-të.

Të gjithëvë u kujtohen ‘’Tre derrkucët’’ e famshëm dhe aventurat e tyre për të ndërtuar një shtëpi të bukur e të sigurtë për t’i shpëtuar ujkut të pabesë dhe dinakërive të tij. Kësaj radhe, rolet janë ndryshuar. Tre ujqit e mirë janë ata, që duhet të gjejnë lloj-lloj mënyrash për t’i mbijetuar ligësisë së Runi-Runit, derrit të keq e dinak. Rrëfimi përfshin disa prej kafshëve të xhunglës, të cilët ndihmojnë tre vëllezërit ujq dhe qasja e përrallës me sendet e jetës moderne të përditshmërisë e bën eksperiencën e leximit argëtuese, po aq sa të mbushur me mësime të bukura. Ky libërth përcjell mesazhe dashurie, paqe e mirësie.

Nuk jam një supermiush - Jeronim Stilton nr. 36

Jeronim Stiltoni është një prej personazheve më të dashura për fëmijët, si në Itali, në vendin e tij të origjinës, ashtu dhe në gjithë botën. Ai është një miush frikacak në pamje të parë, por kur vjen çasti për t’u përballur me vështirësitë, arrin t’i kapërcejë ato. Jeronim Stilton do të përballet me një kurs mbijetese në kushte ekstreme. Atij i duhet të kalitë guximin dhe do të përballet me kushtet e shkretëtirës, të xhunglës, shpellave e hapësirave të mbuluara nga akulli. A do të arrijë Jeronimi të bëhet supermiush?

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat