Anekdota për gjendjen aktuale në Kosovë!

Kultura

Anekdota për gjendjen aktuale në Kosovë!

Nga: Beqir Elshani Më: 29 mars 2020 Në ora: 12:16
Prishtinë

1. LAJM I VITIT

- Cili lajm i vitit ju ka mërzitur më së shumti? – e pyeti gazetari kryeredaktorin e faqes popullore albaniapress.

- Dihet, lajmi për liberalizimin e vizave ka qenë mizë kali për Kosovën, pasi që sipas proverbit shkova me kalë, erdha me gomar, Kosova as macen nuk e fitoi, - tregoi kryeredaktori i albaniapress-it.

2. INTEGRITETI

- Çka po kërkon me fener në dorë? – e pyeti shoku i dhomës gjatë natës.

- Më ka humbur integriteti… nuk e gjej dot, - tha shoku i tij.

- Lëre… e gjen nesër për drite, se nuk të ikën, - ia ktheu i pari.

3. REVOLTA

- Cilit duhet besuar, kryetarit që bërtet në kuvend, apo popullit që revoltohet në rrugë? – pyeti i biri babain e tij.

- Popullit që revoltohet në rrugë, pasi që kryetarit ia sheh më mirë hilet, - ia ktheu babai.

4. MOCIONI

- Xhaxha, a u trondite kur mocioni i kuvendit e rrëzoi Albin Kurtin, kryeminstër? – e pyeti me keqardhje nipi.

- Përkundrazi, do të tronditesha po të mos e rrëzonte mocioni i hajdutëve Albin trimin, - tha me gjakftohtësi xhaxhai.

5. UJQ APO LEPUJ?

- A më shumë ka ujq në Kuvendin e Kosovës, apo lepuj? – e pyeti qytetari i dëshpëruar avokatin e popullit.

- Po të kishte ujq në Kuvendin e Kosovës, Serbia moti do ta njihte pavarësinë e Kosovës, - ia ktheu avokati i popullit.

6. REVOLTA

- A gjendet ndonjë trim që Isës dhe Hashimit ua thyen hundët? – pyeti një zonjë e revoltuar.

- Po janë gazetarët, që me shkrimet e tyre ua thyejnë jo vetëm hundët, por edhe këmbët, në mënyrë që kurrë të mos ngjiten në kuvendi republikan, - shtoi tjetra.

7. FJALË TË PANJOHURA

- A keni hasur ndonjë fjalë të panjohur në teve dhe në shtypin tonë? – i pyeti arsimtari nxënësit.

- Si jo, arsimtar, nuk dimë çka domethënë fjalët “gjinja” dhe “gjaja”? - thanë njëzëri nxënësit.

- Ehe, “gjinja dhe gjaja” janë arkaizma që shpeshherë i përdorin deputetët në kuvendin e Kosovës, prandaj shqip thuhet “njerëzit dhe kafshët”, - shpjegoi arsimtari.

- Prandaj ne jemi njerëz, kurse ata… janë kafshë, - ia kthyen nxënësit me zemërim.

8 TARANTELA

- Ç’do të bëje nëse në shtëpi e has tarantelën? – e pyeti njëri mikun e tij.

- I lajmëroj ekipin shpëtimtar, - tregoi miku i tij.

- Mirëpo tarantela nuk është kafshë helmuese, - ia ktheu i pari.

- Ku marrë vesh unë nëse është tarantela apo akrepi, - tha miku i tij.

9. PROTESTA FISNIKE

- Për çka po protestojnë qentë? – pyeti kryetari i bashkisë, kur pa qentë duke lehur me ritëm në rrugë.

- Qentë protestojnë kundër përtacëve për shkak se gjelave po ua ndalojnë kikirikun. Prandaj nëse gjelat dënohen, atëherë edhe qentë nuk do të lehin kur ujku ua sulmon bagëtinë, - tregoi veterinari që e njihte gjuhën onomatopeike të kafshëve.

10. KORONAVIRUSI

- Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës është matematikan i aftë, - tha një qytetar.

- Nga e di që Ministri i… është matematikan i aftë? – ia ktheu tjetri.

- 20 persona të infektuar me koronavirusin i ka shumëzuar me 10, dhe rezultati katërçipërisht ka dalë me 200 persona të infektuar, - tregoi i pari.

11. BAKTERIA

- Sa qeliza i ka një baktere? - e pyeti nxënësin arsimtari i biologjisë.

- Arsimtar, të them një qelizë, ma shënon njësh në ditar, të them pesë, mbase marrë pesëshe… prandaj po them pesë qeliza, - u përgjigj nxënësi.

- Më vjen keq, po të thoshe të parën, do të merrje notën pesë, - ia ktheu arsimtari.

12. SHTERPËSIA

- Toka që nuk prodhon, bimët dhe pemët që nuk lidhin kokrra, pela, dhia dhe lopa që nuk pjellin dhe gruaja që nuk lind fëmijë, quhen mashkullorë, - tregoi një plak.

- Unë mendova se quhen shterpë, - ndërhyri tjetri.

13. DALLIMI I GJYKATËS

- Ku është dallimi i Gjykatës së Kosovës me Gjykatën e ShBA-së? – e pyeti gazetari avokatin.

- Dallimi është se në Gjykatën e ShBA-së vrasësi i bashkëshortes apo vrasësja e bashkëshortit dënohet me burg të përjetshëm, kurse në Gjykatën e Kosovës dënohet 10 vjet burg, pastaj kryetari i qeverisë ia falë gjysmën, - tregoi avokati.

- Prandaj kryetari i shteti në vend se ta ulë vrasjen, e nxit, - shtoi gazetari.

14. HUMBJA E BESIMIT

- Unë as bari nuk e kisha besuar Edi Ramën, jo më kryeministër të shtetit, për shkak se delet do t’ia jepte ujkut, pulat dhelprës, kurse bereqetin do t’ia jepte derrit të egër, - tha tiranasi i revoltuar ndaj bëmave të zeza të Edi Ramës.

- Siç po shihet, Edi Rama di të flasë serbishten e Dervish Goxhulit, - ia ktheu tjetri.

15. TAJFUNI

- Çka duhet bërë nëse tajfuni ta merr kulmin e shtëpisë? – e pyeti njëri fqinji e tij.

- Duhet lajmëruar zjarrfikësit për shpëtim, - tha fqinji.

- Jo, duhet të mbahesh për trungun e pemës, që të mos fluturosh pas kulmit, - ia ktheu i pari.

16. SHTËPIA E MADHE

- A mund të dish, cila është shtëpia e kryetarit? – e pyeti prishtinasi fqinjin.

- Shumë lehtë. Shtëpia e madhe është e kryetarit, e vogla e kryeministrit, - u përgjigj i dyti.

- Kujdes, kryeministri nuk ka shtëpi, - kundërshtoi i pari.

17. GOJËZA PËR LUANIN

Kur edukatorja e pyeti fëmijën parashkollor se a është më mirë që njeriu të vishet si prift dhe të qëndrojë me luanin, apo t’i vë gojëzën në turinj, fëmija tha:

– Më mirë është që luanit t’i vësh gojëzën turinjve, pastaj vishu si të duash.

18. MAÇOKU TRIM

- Ky maçok është shumë i zoti, në shtëpinë time e ka mbytur gjarprin, - tregoi pronari për shitjen e maçokut.

- Mirëpo unë dua të blejë një maçok që gjuan minj, jo që shet trimëri, - ia ktheu myshteriu.

19. EPOKA E GURIT

- Cila epokë është më e vjetër: e gurit, e bronzit apo e hekurit? – e pyeti arsimtari nxënësin.

- Epoka e hekurit është më e re, - u përgjigj nxënësi.

- Të lumtë, përgjigje me stil, - e vlerësoi arsimtari.

20. CINIZMI

- Unë legenit nuk i bie me dorë, i bie me shkop, - tregoi me krekosje një pacifist.

- Mirëpo me se e mban shkopin? – ndërhyri tjetri.

21. FESTË PËR VDEKJEN

- E di që ka festë kombëtare dhe fetare, mirëpo a mund të ketë edhe festë për vdekjen e njeriut? - e pyeti nxënësi arsimtarin.

- Po, pikërisht vdekja e tradhtar Morinës festohet, - tregoi arsimtari.

22. VRASJA

- Ku është dallimi në mes politikanëve dhe narkomanëve? – e pyeti gazetari publicistin.

- Politikanët vrasin popullin, narkomanët vrasin njëri-tjetrin, - u përgjigj publicisti.

23.AGAMEMNONI

- A të pëlqeu filmi “Lufta e Trojës”? – e pyeti një grua fqinjën e saj.

- Më pëlqeu kur Klitemnestra e vrau Agamemnonin egoist me gjithë Kasandrën, - tha fqinja.

24. PROVOKIMI

- Cili prej tyre është tradhtar i vendit: Hashim Thaçi apo Isa Mustafa? – e pyeti arsimtari i gazetarisë studentin.

- Të dy janë tradhtarë, - u përgjigj studenti.

- Po të thoshe për të parin, do kaloje provimin, - tha arsimtari.

- Atëherë të tre jeni tradhtarë të vendit, - ia ktheu me zemërim studenti.

25. KORONAVIRUSI

- Ç’është koronavirusi? – e pyeti arsimtari i mikrobiologjisë studentin.

- Koronavirusi është njësi e vogël biologjike që zhvillohet në organizmat e gjalla dhe shkakton sëmundjen ngjitëse, - u përgjigj studenti.

- Kujdes, djalosh! Koronavirusi është armë biologjike që vret dhe bën kërdi në popull, - e qortoi arsimtari studentin.

26. DIPLOMACIA ME VIRUSIN

 - A duhet të ruhemi prej diplomacisë serbe apo prej koronavirusit? – pyeti njëri shokun e tij.

- Të dyja janë me pasoja të rrezikshme, prandaj prej të dyjave duhet të ruhemi, - u përgjigj i dyti.

27. VESI I KEQ

- Kam një ves të keq, me gishtin pushkës e kruaj hundën, - tregoi njëri para mikut të tij.

- Mos deshe të thuash me gishtin e shëllirës?! – e qortoi miku i tij.

28. HEM…HEM

- A dëshiron ta kesh shtëpinë afër mjekut, apo afër Sokratit? – e pyeti njëri mikun e vet.

- Afër Sokratit… ky i fundit është hem mësues, hem mjek, - u përgjigj miku i tij.

29. FRAZA E LUTJES

- Nëse dikush në qendrën tregtare bërtet: “Zoti është i madh”, çka duhet bërë? - e pyeti njëri fqinjin e vet.

- Është shenjë e shpërthimit të bombës, prandaj duhet t’ia mbathësh këmbëve, - ia ktheu fqinji.

- E ke gabim, sepse është lutje ndaj zotit, jo shenjë e bombës, - ndërhyri fqinji.

- Megjithatë do të ikja sa më larg, - ia ktheu i pari.

30. MACJA DHE LEPURI

Tre njerëz bisedojnë.

- A më mirë është të jesh mace lypsare apo lepur frikacak? – e pyeti i pari.

- Më mirë lepur që ik se mace lypsare, - përgjigj i dyti.

- Jo, më mirë është të jesh ujk që i sulmon të dytë, - ndërhyri i treti.

31. GJUMI I BRESHKËS

- A dëshiron të bësh gjumin e lepurit apo të breshkës? – e pyeti xhaxhai nipin.

- Të breshkës, sepse është më e kujdesshme dhe nuk fle sikur lepuri gjumash, - ia ktheu nipi i zgjuar.

32. GJUMI NË KUVEND

- Shpeshherë deputetët në kuvend i zë gjumi, duket se po lodhen shumë, - tha një mik kur e pa fotografinë në shtypin ditor.

- E, more mik, po flenë (…), sepse janë lodhur duke hapur me qindra artizanate në Kosovë, dhe duke përcjellë të rinjtë në kurbet, - ia ktheu me ironi i dyti.

33. AUTOBUSI I PDK-së

- A e di pse po e shtyjnë autobusin deputetët e pëdëkësë? – e pyeti fshatari fqinjin kur i pa disa deputetë duke shtyrë autobusin në rrugë.

- Mbase ka mbetur pa karburant, - tha fqinji.

- Nuk ka mbetur pa karburant, por është mbushur me rrena për dy dekada me radhë, - ia ktheu fqinji.

34. VËLLA E MOTËR

- Çka janë frika me pacifizmin? – pyeti njëri mikun e tij.

- Janë fqinj, - tha i dyti.

- Nuk janë fqinjë, vëlla e motër janë, - ia ktheu i pari.

35. AFËRSIA

- Cila prej tri synimeve është më afër mjekësisë: feja, shpresa apo shkenca? – e pyeti gazetari mjekun.

- Shkenca, - tha shkurt mjeku.

36. PROFESIONI

- A e di, ç’profesion ka Hashim Thaçi? - e pyeti një qytetare fqinjën.

- Mendoj se është astrolog… - u përgjigj e dyta.

- Jo, astrolog është i biri, ndërsa Hashimi është agronom, - ia ktheu e para.

37. ANKIMI I AKTORES

- O zot, pse s’e more kryeplakun mizor që po e shkatërron vendin, por e more aktoren tonë që ta kënaqte shpirtin me humor, - u ankua një grua.

- Më vjen keq, zonjë, kryeplaku e ka kundërhelmin jugosllav, prandaj vdekja ik prej tij, - kështu ia ktheu përgjigjen zoti.

38. DHURATAT

Një nënë kishte blerë tri dhurata në qendrën tregtare: një biberon për foshnjën, një lodër për fëmijën parashkollor dhe një album për vajzën në shkollën fillore.

- Asnjëri prej fëmijëve nuk i morën dhuratat, të gjithë e dëshironin mobiltelefonin tim, prandaj prej zemërimit dhuratat i hodhën në shportë, - tregoi e ëma e fëmijëve të revoltuar.

39. POGAÇJA DHE MAKINA

- Sot isha në provim për shofer. Për habi, komisioni në vend se të më pyeste si drejtohet makina në trafik, më pyeti si gatuhet pogaçja, - tregoi e bija sapo hyri në shtëpi.

- Prandaj, a kalove në provimin e shoferit? – e pyeti i ati.

- Natyrisht që jo, pasi që kurrë në jetën time nuk kam gatuar, - ia ktheu e bija e hidhëruar.

- Prandaj unë mund të bëhem shofere, pasi që jo vetëm pogaçe, por edhe gurabija me mjaltë di të gatuaj, - ia priti gjyshja.

40. EDUKIMI FAMILJAR

- A të pëlqeu shkrimi im për edukimin familjar, se si duhet të sillen të rinjtë ndaj prindërve? – e pyeti pedagogu mikun e tij.

- Më pëlqeu komenti i lexuesit, i cili në fund të shkrimit tënd tha se i takon së kaluarës, - ia ktheu miku me dëshpërim.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat