Arkitekti Vezgishti përfaqëson Kosovën në Itali me projektin “Containporary”

Kultura

Arkitekti Vezgishti përfaqëson Kosovën në Itali me projektin “Containporary”

Më: 30 mars 2020 Në ora: 12:50
Maksut Vezgishi

Prej javës së parë të janarit, arkitekti Maksut Vezgishi, kurator i Pavijonit të Kosovës për edicionin e 17-të të Bienales Ndërkombëtare të Arkitekturës në Venecie, po qëndron në Kosovë. Kishte ardhur nga Brukseli dhe njëlloj si qytetarët e tjerë të vendit, tani është i detyruar që të mos lëvizë prej vendit e të respektojë masat e marra nga Qeveria e Kosovës për ndalimin e përhapjes së koronavirusit.

Nga banesa e tij ai po kryen përgjegjësitë që i ka marrë për ta përfaqësuar Kosovën në ngjarjen me të madhe të arkitekturës në Venecie. Gjatë kësaj kohe është në komunikim të vazhdueshëm me pjesën tjetër të ekipit, përfshirë këtu komisaren e Pavijonit, Jehona Shyti, e emëruar po ashtu nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në janar të këtij viti. Projekti i tyre duhet të

përthekohet brenda konceptit kuratorial “Si do të jetojmë së bashku?”, që ka zgjedhur presidenti i Bienales së Venecias, Pablo Baratta, së bashku me kuratorin e edicionit të 17-të të ekspozitës ndërkombëtare të arkitekturës Hashim Sarkis. Një përgjigje kësaj teme do të mundohet t’ia japë edhe arkitekti nga Prizreni, Maksut Vezgishi. Për KOHËN ka zbuluar se projekti me të cilin do të përfaqësohet

Republika e Kosovës në këtë ngjarje do të titullohet “Containporary”, dhe se mjedisi do të jetë tema që ai do të mundohet ta zbërthejë. Vezgishi ka treguar se ideja për këtë projekt i kishte ardhur nga një kontejner. Edicioni i sivjetshëm ishte paraparë që të mbahej prej 23 majit deri më 29 nëntor. Mirëpo, për shkak të virusit COVID-19, Bienalja Ndërkombëtare e Arkitekturës është zhvendosur më 29 gusht deri më 29 nëntor. Hapja për media do

të bëhet më 27 dhe 28 gusht. Është hera e katërt që Kosova përfaqësohet në këtë ngjarje. Hashim Sarkis me titullin e ekspozitës “Si do të jetojmë së bashku?” (How will we live together?) u ka bërë thirrje arkitektëve që të imagjinojnë hapësira për të jetuar së bashku. Arkitekti Maksut Vezgishi ka thënë se me të dëgjuar temën ai ishte i sigurt për drejtimin që do t’ia jepte Pavijonit të Kosovës. “Veten e pashë në detyrim se qasja duhet të jetë domosdo mjedisi”, ka thënë ai, duke shtuar se gjithmonë i ka interesuar “urbania e thellë”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat