Pse duhet lexuar George Friedman - Bota Sot
Pse duhet lexuar George Friedman

Kultura

Pse duhet lexuar George Friedman

Nga: Azem Parllaku Më: 4 prill 2020 Në ora: 12:26
Azem Parllaku

"Për atë që e sheh botën nga lart në mënyrë racionale, bota nga ana e saj paraqitet një aspekt racional, mardhënia është e ndërsjellë".

Këtë sprovë e ka qasur në vitin 2009 Xhorxh Fridman (George Friedman), i cili ka bërë një parashikim se çfarë do të ndodhë me superfuqitë dhe shtetet e tjera gjatë këtij shekulli. Themelues dhe drejtues ekzekutiv i grupit të parashikimeve me bazë në Teksas të quajtur "Stratfor" ai është nga ekspertët më provokativë për çështjet strategjike në Shtetet e Bashkuara.

Prirjet që ndjek Fridman janë ato gjeopolitike, teknologjike, demografike, kulturore, e ushtarake. Për ta bërë secilin nga ne të kuptojë më mirë metodën e tij, George Friedman e çon atë mbi 100 vite pas në kohë, në fillim të shekullit XX dhe e ve në pozitën e atij njeriut që jetonte në vitin 1900 dhe përpiqej që të kuptonte se si do të shkonte bota në 100 vitet e ardhshme deri në vitin 2000.

Me këtë Friedman kërkon që ta bëjë lexuesin e tij, të kuptojë se nuk duhet të habitet nga parashikimi i gjërave më të çuditshme, të tmerrshme, dhe që duken të pamundura.

Shqetësimi i parë i Friedman është për të gjetur se kush do të jenë sfiduesit e SHBA në shekullin XXI. Ndryshe nga shumë studiues të tjerë të njohur, nuk e vlerëson Kinën si sfiduesen e madhe të SHBA në këtë shekull. Për të Kina është një “tigër prej letre” për shkak të problemeve të brendshme që ka. Ai nuk shikon as Rusinë si një rrezik për SHBA, se për të Rusia do të hyjë në kaos në vazhdim të shekullit XXI.

Fridman identifikon si sfiduesit kryesorë të SHBA tre vende, Japoninë, Turqinë dhe Meksikën. Për të Japonia është sfiduesi kryesor i SHBA në shekullin XXI dhe Turqia do të jetë aleati kryesor i Japonisë. Madje autori parashikon se rreth vitit 2050 do të bëhet një luftë botërore midis SHBA nga njëra anë dhe Japonisë e Turqisë nga ana tjetër. Në këtë luftë aleati kryesor i SHBA do të jetë Polonia. Sipas Friedman, politika amerikane në Europë, në shekullin XXI do të mbështetet tek Polonia, për shkak edhe të rënies së Gjermanisë.

Autori hyn në hollësi të përshkrimit të kësaj lufte, me një stil tërheqës, duke përshkruar plane ushtarake, beteja, manovra diplomatike, aq sa të duket se je duke lexuar një libër historie, për ngjarje që tanimë kanë ndodhur dhe jo parashikime për të ardhmen.

"Me traktate apo pa traktate, aty ku shkon njerëzimi shkon edhe lufta. Meqenëse njerëzimi do të hyjë në hapsirë, në hapsirë do të ketë luftë".

Në vazhdim të librit autori parashikon dhe një luftë mes SHBA dhe Meksikës në fund të shekullit XXI. Ai shkruan: "Idea se shekulli XXI do të kulmojë me një përplasje midis Meksikës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, sigurisht që është e vështirë për t’ u përfytyruar. Por fuqizimi i Meksikës, që do të kërkojë të rifitojë territoret që SHBA ia ka marrë me forcë dikur, rritja e madhe e emigracionit meksikan në SHBA, do të çojë në konfliktin mes dy vendeve të mëdha fqinje".

Përveç këtyre linjave kryesore të librit, atje lexuesi do të gjejë edhe shumë faqe me përshkrime interesante për atë që do të ndodhë gjatë shekullit XXI në Rusi, në Kaukaz, në Ukrainë. Autori përshkruan në mënyrë mjaft tërheqëse se si do të shkojë konflikti i SHBA me ekstremistët islamikë dhe se cila do të jetë e ardhmja e botës islamike.

Në libër gjejmë edhe përshkrime interesante për Ballkanin, ku përmenden edhe shqiptarët. "Historikisht, Ballkani ka qenë një vatër zjarri në Europë. Ai ka qenë rruga e romakëve për në Lindjen e Mesme, si dhe rruga e turqve për në Europë. Blloku polak do të përplaset me turqit në Adriatik, ku problem do të jetë hyrja për në Mesdhe, kjo gjë do të varet nga kontrolli i Ngushticës së Otrantos. Turqia do të ketë marrdhënie të ngushta me vendet myslimane në Ballkan, me Shqipërinë dhe Bosnjën…kontrolli i Otrantos do të jetë shumë i nevojshëm"

Autori në librin e vet përqendrohet tek gjeopolitika, dhe këtë e bën duke nxjerrë një mësim nga shekulli XX, kur thotë: "Askush nuk mund t’ i përfytyronte detajet e sakta, por konturi i përgjithshëm i shekullit XX mund të kuptohej. Kjo është ajo që unë jam përpjekur të bëj në këtë libër: të konceptoj shekullin XXI me gjeopolitikën si guidën time parësore".

Për të krijuar një ide, për atë se sa interesant është libri, janë këto temat e kapitujve të tij: "Agimi i epokës amerikane", "Tërmeti: Lufta Xhihad-SHBA", "Popullsia, kompjuterët dhe luftërat kulturore", "Linjat e reja të rrëshqitjes", "Kina 2020: Tigri prej letre", "Rusia 2020: ndeshja e dytë", "Fuqia amerikane dhe kriza e vitit 2030", "Shfaqet një botë e re", "Vitet 2040: preludi i luftës", "Përgatitja për luftë", "Lufta botërore: një skenar", "Vitet 2060: një dhjetëvjeçar i artë", "Viti 2080: Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Meksika dhe Beteja për Qendrën Globale".

Në fund të fundit secili është i interesuar për mënyrën e jetesës dhe sjelljen në botën ku do të jetojnë pasardhësit e tij. Fridman na kujton se: "Institucionet e vjetra shoqërore janë shkallmuar, por institucionet e reja nuk kanë dalë ende. Shekulli XXI do të jetë periudha në të cilën një gamë institucionesh të reja, sistemesh morale dhe praktikash do të nisin përpjekjen e parë të tyre për dalje. Gjysma e parë e shekullit XXI do të shquhej në mënyrë globale nga një konflikt i madh shoqëror. E gjithë kjo rajëvizon betejat ndërkombëtare të shekullit XXI".

Autori i librit shkruan në përfundim të tij se: "Thelbi i metodës që kam përdorur në këtë libër ka qenë që t’ u hedh një vështrim shtrëngesave që u dalin njerëzve dhe kombeve, për të parë se si ata detyrohen të sillen në përgjithësi, për shkak të këtyre shtrëngesave, dhe pastaj të përpiqem të kuptoj rrjedhojat jo të pikësynuara që i sjellin këto veprime".

A nuk është kjo sfida për mendimin shqiptar në shekullin XXI, në Shqipëri dhe tek shqiptarët në përgjithësi? Proceset për të cilat flet Friedman në librin e vet janë procese globale të cilat do të prekin edhe Shqipërinë dhe shqiptarët në përgjithësi, prandaj mendimi shqiptar duhet të ketë edhe aspektin e vet për ardhmërinë.

E ardhmja në fund të fundit u përket brezave të rinj, kështu që ndoshta ata që kanë më shumë nevojë për librin e Friedman janë studentët e shkencave të ndryshme, që prej atyre të shkencave politike, sociologjisë, filozofisë, historisë, shkollave ushtarake etj.

Por libri i Friedman mbi të gjitha ka vetinë se ai i përket një lexuesi universal, i cili dëshiron të mësojë sa më shumë gjëra për të ardhmen, në një libër me shumë informacion.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat