​FemArt shtyhet për tetor

Kultura

​FemArt shtyhet për tetor

Më: 18 prill 2020 Në ora: 12:59
FemArt

Shkaku i pandemisë Covid-19 që e ka kapluar gjithë globin tokësor, Qendra për Art dhe Komunitet – Artpolis ka njoftuar se festivali FemArt 8 do të shtyhet për datat 15 – 20 tetor të këtij viti.

Qendra për Art dhe Komunitet - Artpolis organizon festivalin FemArt për të 8-ën herë radhazi në Prishtinë, me moton "Çka nëse gratë do të kishin më shumë fuqi?!".

“FemArt është festivali i parë dhe i vetëm feminist në Kosovë, njëherësh edhe më i madhi në rajonin e Ballkanit që vazhdon të bashkojë artistë dhe aktivistë nga e gjithë bota në zemër të Kosovës për tetë vite. Për çdo vit ne angazhojmë mbi dyqind gra artiste dhe aktiviste nga e gjithë bota që shfaqin punën e tyre kreative përmes shfaqjeve teatrale, filmave, dokumentarëve, leximeve skenike, arteve vizuale, ekspozitave, performancave në rrugë, koncerteve, promovime librash, ligjëratave, poezive, punëtorive, pane le diskutimesh, konferenca dhe prezantime, murale dhe shumë forma të tjera arti. FemArt – Festivali Ndërkombëtar për Artiste dhe Aktiviste është një platformë për inicimin dhe prezantimin e ideve dhe krijimeve që sjellin përpara konceptet feministe dhe zhvillimet e tyre në Kosovë duke u angazhuar për të drejtat e barabarta të grave si dhe urë lidhëse për ndërtimin e paqes në rajon.

Programi do të përzgjidhet nga një grup i artisteve dhe aktivisteve të cilat kanë përvojë në fusha të ndryshme të artit dhe të drejtave të njeriut. Për hapjen e thirrjes zyrtare, për aplikimin e pjesëmarrëseve, artisteve dhe aktivisteve nga vendi dhe nga mbarë bota, me punët e tyre artistike, ne do t’ju informojmë me kohë. Urojmë që kjo situatë e shkaktuar nga Covid-19 të kalojë sa më parë me sa më pak viktima përderisa normaliteti të zë vend sërish në punët tona të përditshme”, thuhet në njoftim. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat