Pragu mishëron deri në sakrificë lidhjen e shqiptarit me shtëpinë

Kultura

Pragu mishëron deri në sakrificë lidhjen e shqiptarit me shtëpinë

Më: 1 qershor 2020 Në ora: 14:06
Foto Ilustrim

E kanë dëshmuar qindra herë qytetarët e pafajshëm, të vrarë e të djegur me gjithë shtëpi nga pushtuesit.

Të ngulitura thellë i kanë kujtimet ata që më të dashurit iu vranë në mbrojtje të pragut të derës nga paramilitarët e kasapit Slobodan Milosheviq.

Për shqiptarin, shtëpia, pos rolit të strehës, e ka kryer edhe funksionin e fortesës. Kjo faktohet gjatë historisë, prej udhëpërshkrimeve të studiuesve të huaj e deri te raportimet nga gazetarët e huaj e shqiptarë për betejën e familjes Jashari në marsin e vitit 1998. Shqiptarët ranë heroikisht ose u vranë pafajshëm vetëm pse nuk ua kthyen shpinën shtëpive.

Shtëpia ishte fortesë, shkollë, universitet, ambulancë, shtab ushtarak e shumëçka tjetër gjatë dekadës së fundshekullit të kaluar, pasi shqiptarët u dëbuan nga të gjitha objektet zyrtare. U shtrënguan edhe njëherë t’u ktheheshin shtëpive për ta vazhduar organizimin paqësor e luftarak. Në kulmin e shtëpive të reja valonin flamujt kuqezi, edhe atëherë kur për vendosjen e tyre pronarët rrezikonin të dënoheshin me burg. Shtëpia u bë përsëri zemra e luftës së një populli për liri. Kështu i kishte mësuar historia, shkruan KOHA.

“Çdo shtëpi është një lloj fortese”

“Çdo shtëpi është një lloj fortese dhe bastioni me vrima që shërbejnë si dritare. Shumicën e kohës janë të mbyllura dhe hapen vetëm gjatë betejës”, vërente udhëpërshkruesi Ibrahim Manzouri më 1827, derisa po përshkruante Shqipërinë dhe traditat e popullit të saj nën pushtimin osman. Kanë shkruar edhe të huaj të tjerë gjatë epokave të ndryshme historike.

Etnologu Valon Shkodra thotë se në kulturën shqiptare, hulumtimi dhe studimi për arkitekturën popullore kanë qenë të kënaqshëm dhe në mesin e studiuesve të cilët kanë shkruar për këtë fushë përmend disa si: Fejaz Drançolli, Drita Statovci, Florina Jerliu, Flamur Doli, Mark Tirta, Ukë Xhemaj, Shpresa Siqeca, Mark Krasniqi, Emin Riza, Njazi Haliti, Qazim Namani, Ali Muka, e të tjerë. “…këtu një ndihmesë të mirë e kanë dhënë edhe udhëpërshkruesit e huaj me interpretimet e tyre në mënyra të ndryshme”, thekson Shkodra, hulumtues në Institutin Albanologjik të Prishtinës.

Shtëpitë e mëdha nëpër Kosovë do t’i linin përshtypje vjet gazetares spanjolle Tulbure Corina, derisa po shkonim nga Prishtina në Gjakovë për të intervistuar nënat gjakovare, Nesrete Kumnovën e Ferdonije Qerkezin. Në një ditë të ngrohtë fundvjeshte, Qerkezi i tregonte në shtëpinë-muze se si serbët ia rrëmbyen katër djemtë dhe burrin në fillimpanverën e vitit 1999. Ngjashëm, në dhomën e djalit e dërgoi edhe Kumnova. Për to, pavarësisht dhimbjes, dhomat e më të dashurve u kthyen në burim force.

Shtëpitë e tyre, me të gjitha orenditë e veshmbathjet e paprekura të fëmijëve, ishin dëshmi për Corinën që po shkruan për drejtësinë transicionale në shtetet e dala nga prishja e përgjakshme e ish-Jugosllavisë. Një prej shpjegimeve që ka dëgjuar gjatë qëndrimit në Kosovë, thotë se shqiptari gjithnjë investon shumë në shtëpi, sepse historikisht shtëpia ishte njëfarë lloj shteti në miniaturë, në Kosovën e pushtuar për shekuj me radhë.

“N’shpi, a po harron me shku?”

Rinor Islami ishte i vogël në pranverën e vitit 1999 kur në shtëpi ia arrestuan dhe ia vranë baba Idrizin. Kufomën ia kishin hedhur përgjatë rrugës Ferizaj-Prishtinë. Tani, si arkitekt i ri, nuk e ka të vështirë që nëpërmjet mureve të lexojë edhe historinë shumëdimensionale të banorëve të shtëpive. Por, edhe të shoqërisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat