Marjeta SHATRO RRAPAJ është një shkrimtare bashkëkohore nga Saranda.
Poezia ka qenë një pjesë e pandashme e jetës së saj, një pasion që do të kurorëzohej me shumë botime në gazeta,revista të ndryshme periodike dhe antologji letrare të huaja. Ajo është autore e shtatë librave me poezi: "Në detin e syve të mi" në shqip, "Shtegtim me muzgun "në shqip," Të jesh gjithnjë buzëqeshje e Zotit "në anglisht," Nerthus "në gjuhën frënge dhe shqipe," Hestia "në frëngjisht," Vesta "në anglisht dhe spanjisht," Larg iluzioneve "në pesë gjuhë :shqip, anglisht, frëngjisht , gjermanisht dhe italisht.Ajo është shfaqur në rrugën e poezisë me pjekuri artistike. Ajo ka shkruar në prozë: "Regëtima pulëbardhash".
Ka përkthyer në shqip 50 autorë të huaj në Antologjinë "Espalier me erën" .
Ka përkthyer nga frëngjishtja librin e një poeti algjerian: "Poezi nga Abdelghani Rahmani" . Vjen në tre gjuhë (shqip, anglisht dhe punjabi) me një poet indian Jernail Singh Anand në Antologjinë : "Melodi poetike" .
Librat e saj gjenden online në kompanitë botërore" AMAZON" dhe "LULU".
Ajo është një poliglote.
Ka 30 video-poezi në You tube me recitime nga vetë ajo dhe autorë të huaj.
Ka gati për botim 2libra të rinj.
Cikël poetik
nga Marjeta Shatro Rrapaj
Dashuritë e mëdha
Dashuritë e vërteta,
nuk i gërryen ankthi,
nuk i tret as koha,
janë eterne,
fluiditet ajri
përthithur shpirtit.
Dashuritë e mëdha
nuk kanë nevojë për betime,
janë të pavdekshme,
lindin vetëm një herë
rriten shenjtësisë jetë
e vdesin bashkë me dhimbjen.
Nuk njohin dënesje,
as klithma verbimi.
Përjetësisht mbeten dritëza të bardha
që ndriçojnë errësirën,
në nanurimë dehëse.
përgjithmonë përndritje.
JAM ME TY
Unë gjithmonë jam me ty,
në çdo shkronjë,
fjalë, varg a rresht,
në faqet e librave që lexon.
Jam rrezja e parë që të puth sytë e bukur,
shkëlqimi i hënës që të josh,
yll që të fton në tjetër hapësirë
e përherë të bën të ëndërrosh.
Jam pranverë mbushur me të gjitha lulet,
borë mali që të freskon,
verë që të deh me ëmbëlsi,
ngjyrë ylberi që ngre urat kolorit.
Portreti im është përshfaqje,
e një deti, qielli e dielli,
ndaj zemra ime ndihet pezm i mbrëmjes
e fal në shpirt, përgjithmonë prarimin.
Nuk di ti përhumb tëndit vështrim
jam shpirti binjak që brenda teje fle!
Gëzoju dritës kur feks në dritare
e një tjetër ditë të troket pa zë.
Pafundësisht e ëmbël!
Dielli më mbështjell me mantelin e artë të rrezeve
e një ritëm i gëzuar fantazish më rrëmben.
Ora e lumturisë kumbon në veshë
e zjarri i ëndrrave për jetën ndizet.
Cicërima zogjsh bëjnë rezonancë me shpirtin
e natyra me gjymtyrë e trup zjarrmon
nga dëshira e çmendur e mosndaljes së vrullit,
mrekullisht e bukur, pafundësisht e brishtë!
Humbas ngjyrave e aromave,
përqafuar nga krahët e pasionit.
Me buzëqeshje në buzë, këndoj me shpirt
vargjet që digjen brenda meje që nga antikiteti,
magjepsur prej madhështisë natyrë e heshtur,
rilind tek unë një tjetër njeri.
Të duam!
Të mendosh për dashurinë, të bën të jetosh,
se të duash është lumturi hyjnore,
ku magjitë e jetës i ndiejnë të gjitha shqisat,
dehur, harruar pas vezullimit të ngjyrave,
ku rrezja e shpirtit shkëlqen në sy
e shpirti fluturon mbi re.
Ku deti i mendimeve bëhet
pasqyrë e thellë e siluetës së ditëve,
kur era e kohës trazon me këngën e saj
e alkimia e zjarrit të shenjtë përshkon si vetëtimë
e ndez etjen për puthje dashurie plot kënaqësi e ethe.
Nga emocionet frikësohet arsyeja e heshtur,
kurse fati zbukuron ekzistencën e dhimbjes
e nga vuajtja lind shpresa e ëndërruar .
Të duam është sekreti i kësaj bote.
Pranverë?!
Pranverë që i fshehet vetes.
Prej qerpikëve të syve pranverorë
pikon vesa e ëndrrave të prillit
e rrjedh faqeve të trëndafilta të qershive të egra.
Njom buzët e etura prej natës
dehur prej puhizës së shpirtit,
e padukshmja shpërndan grimca misteri
e në ajër ndihet aromë lulesh.
Jeta në ekzaltim përtejreve
të qiellit të tejdukshëm shndërrohet
si stina që harbohet me drithërima
prej përkuljes së dritës mbi bukuri ëndërrore
e filizi i frymëzimit rritet mbi pllajat
e pashkelura të mendimit,
nën ritmin e përjetimeve ndryshe
të përthithjes së formave të blerimit
për të dalë jashtë lëkurës ,
prej gjirit të butë të tokës,
ku fryma e delirit për jetën bëhet muzë,
e brishtë pafundësisht e bukur,
në krahët e pasionit hipnotik tjetërsohet
e sundon magjepsjen e heshtjes
si reflektim i ndjenjës së zjarrtë
nën shoqërinë e fjalëve të shpirtit.