Baca i qytetit tim

Kultura

Baca i qytetit tim

Nga: Sylejman Salihu Më: 8 korrik 2020 Në ora: 07:51
Baca

Ai është 86 vjeç. Në gojën e tij nuk e ka asnjë dhëmb.Sigurisht se do të donte të kishte por ata kushtojnë. Del në qytezën F. dhe zë një vend në bankën pranë postës dhe shikon, vështron, mediton. Kalimtarët shkojnë sa andej, sa këndej. Ai pret edhe ndonjërin që t' i afrohet dhe të këmbej ndonjë fjalë me të. Por jo me këdo. Ka jetuar në Gjermani por edhe " s' ka ndejtur rehat".E kush mund të rrinte rehat atëherë kur Kosova me kryq në shpinë ecte rrugës së gjatë të Kalvarit. Nuk kishte takim atdhetarësh ku nuk ishte edhe Baca.

Vuante Kosova dhe vuante edhe Baca. Në demonstrata me pankarta, me pamflete, me gazeta dhe me libra nën sqetull. Por ndonjëherë edhe me nagant në brez. Shkollë të madhe nuk kishte por kishte dashuri, fantazi dhe guxim e atdhedashuri. Dhe kur i ke këto, a nuk je i përmbushur për të pasur shumëçka?
Ndaj nuk linte gur pa lëvizur që të bënte diçka për Kosovën.

Me Jusuf Gërvallën, Bardhosh Gërvallën, Kadri Zekën, Enver Hadrin dhe me atdhetarë të tjerë. Madje me Kadriun ishte më i dashur e më miqësor. Ku kishte një zë për Kosovën, aty ishte edhe Baca. Sa në Bruksel, sa në Gjenevë, sa në Paris, sa në Bon e në Dyseldorf. Në rreshtat e parë. Në vijat e para të frontit. Me fjalë, me punë, me aksione, me para. Edhe me netë pa gjumë. Se gjumin, gjumë s' e bënte. Pastaj UDB- ja i ra në fije. E kërcënuan, e torturuan në mënyra të ndryshme: fizike, psikike, politike. E ai nuk ndalej. Ecte drejt lirisë. S' kish si të ndalej. Zemra i thoshte: ec! Pastaj vjen ndëshkimi dhe ndalesa e madhe: 17 vjet nuk e sheh Kosovën. Gati si "Mojsiu në mal" i Nolit, kur fliste me antiteza: "Atje sa bukur, këtu sa zi, o Mojsi". Por ai punon për të edhe pa e parë. Edhe pa shkelur me këmbë në tokën e shenjtë. Ishte misioni i tij bashkë me shumë të tjerë. I pabindur dhe kryeneq që të veprojë ndryshe. S' kishte menduar kurrë t' i shmangej asaj rruge. Asaj rruge plot rreziqe, plot gropa. Pastaj në agun e lirisë, erdhi. Mjaft kishte vuajtur nga larg. Mjaft kishte pritur.Tash do që ta shijojë bukurinë dhe madhështinë e lirisë. E pa atë që s' e kishte parë 17 vjet. Atë që e kishte dashur me jetë, me shpirt, me ëndrra.Atë që e kishte parë vetëm me zemër. I gëzuar që edhe ai kishte vënë një gur në ndërtesën e lirisë, fytyra i qeshte. Por ngadalë edhe vjen edhe zhgënjimi. E sheh se shteti mungon. Jo se ai kishte bërë një sakrificë, por se të tjerët që janë në pushtet, nuk bënë atë që pritej. E ky i qorton. Me guxim, me atdhetari. Pa kompromise. Por atyre aq u bën.

Madje edhe i thonë:"Eja me ne, fol mirë për ne që të jetë mirë edhe për ty". Ç' hipokrizi? Ç' ironi?Por ai atë nuk e bën. Nuk do që të jetë as papagall, as telall i askujt. Boll ka bërë për Kosovën dhe nuk do që t' i shkelë idealet e tij.

E ai mund të ishte i kamur, i mbajtur, i nderuar. Por ai nuk e do as mbajtjen, as kamjen, as nderimin e atyre që kanë shkelur mbi idealet e atdhetarëve. Ndaj rri në vetminë e tij, ndonjëherë pa pasur lekë edhe për një pako cigare, apo edhe për një bukë në sofër në banesën e tij të vockël. A nuk e meriton Baca një pension kombëtar, apo një hapësirë më të madhe banimi,sa për të jetuar vitet e pleqërisë me dinjitet bashkë me nipër e mbesa që e presin te dera gjyshin e përvuajtur por që i qëndroi stoikisht furtunave që kaluan mbi trupin e tij? Por shteti nuk ka as sy, as veshë, e Baca nuk ka gojë të flasë për vete!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat