Varg perlat e shpirtit

Kultura

Varg perlat e shpirtit

Nga: Vera Istrefaj Më: 1 shtator 2020 Në ora: 20:02
Vera Istrefaj

Në fjalën tënde

i kam shkuar

perlat e shpirtit,

i kam varur

gjerdan në gushë.

 

E dhimbja,

po më përpëlitet

mbi prush

 

Pragut të shpresës

 

Nuk e di se si,

përherë,

eci mbi të njëjtën udhë

drejt pragut të shpresës

 

Fort trokas në derë,

se nuk e gjej dot

çelësin e zemrës

 

Ngjyrë e dhimbjes

 

M’i jep ngjyrë dhimbjes,

le të pikojë

edhe ngjyrë gjaku

 

Dhimbja pa ngjyrë

çfarë është?!

M’i jep kuptim, së paku

Se dhimbja

duhet të çelë,

qoftë edhe gjemba

 

Eshtë formë e jetës,

formë e shpresës

 

Gjembat e dhimbjes time

le të jenë

lule të një stine

 

Edhe në ardhtë një stuhi

do të sjellë ca pika shi

 

E kur shiu

të puthet me rrezen e dritës

gjembat do të bëhen rrëzëllitës

 

Ngjyra e dhimbjes

në petal të lules do të dalë

qoftë edhe për pak

e se dhimbja

do të jetë e vdekur

s’do të kem merak

 

Me gjuhën e heshtjes

 

Jeta

po m’i flet vjeshtës

me gjuhën e heshtjes

Dimrit

ia ka veshur

grinë e trishtimit

 

Kur vjen pranvera?!

Shtegëtimi i shpirtit

s’ka të sosur

 

Pasqyrë e jetës

ciflosur

Asgje nuk më ka mbetur

veç rreze-shpresa ndezur

 

Vitet varg e varg

po më lënë në prag

Takim me brymën

 

Një shall i afshtë

ma zë frymën

E në mëngjesin e hershëm

ndjesia ime takon brymën

 

Gjethnajës së shpirtit

 

Gjethnajës së shpirtit

fëshfërisin mendimet

 

Gjethe më gjethe

peshojnë dhimbjet,

e me pika vese

ujis sythe shprese

 

Puhizë e pranverës

freskon shpirtdjegien

 

Kohë mbi kohë,

dhimbje mbi dhimbje

mbjell fidanë të jetës

 

Me rrezet e diellit

përkëdhel ëndërrat

 

Pranverohet shpresa ime

çdo vit që ik!

 

Gjethnajës së shpirtit

fëshfërisin mendimet,

në pritje të vjeshtës

mbi gjethe mundimet

 

Rradhitmi dhimbjet!

 

Hej, ti peshkatar

që përkëdhel dy Drinat

ndalu pak!

 

Merri dhimbjet e mia,

rradhiti në varkë

 

Hidhi diku,

por jo në turbullirë

 

Dhimbjet e mia

të mbërrijnë të kristalta

gjer në det

 

Aty,

pafundësia i pret

 

 

 

Terri i brengës

 

Krahëlakuriqe

frika ime

 

Endet

territ të brengës

dridhja e zemrës,

në krahë të brishtë

si të trishtilit

 

Gëzimi po venitet

dritës së kandilit.

 

Përkundje gjumi

Krahët e tu të fortë

përqafuan

fatin tim të brishtë,

e jeta na fali

mot të trishtë

 

Je lodhur, e di

por, kur unë të buzëqesh

ti me qesh me sy.

 

I gjatë udhëtimi yne

halleve,

pesha e jetës,

peshë e maleve

 

Shpesh

krenarinë perkulim

 

Ti hesht

e në frymëmarrjen tënde

ma përkund gjumin.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat