Bota shqiptare e Branko Merxhanit

Kultura

Bota shqiptare e Branko Merxhanit

Më: 24 shtator 2020 Në ora: 15:38
Branko Merxhani

Me personalitetin e Branko Merxhanit jam njohur që në kohën e komunizmit, përafërsisht në mesin e viteve 1980. Unë në atë kohë kryeja ‘dënimin’ në minierën e Valiasit në Tiranë duke nxjerrë qymyrgur, nga ku në ritualin e jetës sime të përditshme, sapo mbaroja turnin e punës, i hipja autobusit menjëherë dhe shkoja në Bibliotekën Kombëtare për të bërë ‘turnin tjetër’ tetorësh të studimit. I ‘skllavëruar’ me këtë mënyrë jetese, tetorëshin e gjumit, të studimit dhe të punës së vështirë në minierë, kalova shumë nga vitet e pasioneve të rinisë sime, për të mësuar diçka më shumë dhe të dilja përtej perdes nga ajo çfarë na servirte propaganda e regjimit komunist.

Gjithmonë do ta kujtoj me nostalgji dhe mirënjohje të lartë Marian, bibliotekaren e urtë dhe njerëzore, e cila pasi më kishte njohur për vite me radhë në tavolinat e studimit, një ditë iu përgjigj me guxim interesimit tim për të shfrytëzuar në sallën e bibliotekës shtypin e viteve tridhjetë të shekullit të kaluar, i cili nuk ishte i lirë për t’u shfrytëzuar nga çdo njeri. Për hir të së vërtetës, të gjithë ndjenim diçka, se diktatura ishte dobësuar, por nuk kishte rënë. E shfrytëzova me etje këtë moment, kryesisht për shtypin e viteve tridhjetë, dhe një pjesë të literaturës së kësaj periudhe nëpërmjet së cilës kur e lexoja po ndjeja shijen e rilindjes sonë kulturore, për të cilën nuk kishim dëgjuar kurrë asgjë të mirë, përveç përçmimit të personaliteteve të saj. Në mes të atyre shumë e shumë njerëzve të ditur të kësaj periudhe, të cilët me idetë e përparuara kishin arritur të ngjiznin projektimin e një Shqipërie të re kulturore, arsimore dhe qytetëronjëse, profili i Branko Merxhanit ngjiti në mendjen time i vlerësuar si më përfaqësuesi.

Mbasi kalova shumë vite të vështira dhe të hallakatura pa pikë sigurie për jetën në fillimet e tranzicionit, fati më shpuri në profesionin e pasioneve të mia të kulturës. Studimet e mia të thelluara më bënë të ndërgjegjësohesha nga dita në ditë se Branko Merxhani jo vetëm duhej botuar, por duhej bërë i lexueshëm dhe i interpretueshëm për lexuesin e sotëm shqiptar. Një libër mbi jetën dhe idetë mjaft aktuale që ai zhvilloi mbi 70 vjet më parë do ta lidhte atë me lexuesin e sotëm dhe brezat e ardhshëm. Edhe pse librat nuk planifikohen, më dukej e nevojshme që ky libër të bëhej sa më shpejt që të ishte e mundur. Ndryshe nga një libër eseistik apo me letërsi të mirëfilltë, një libër studimor si ky, i shkruar në kushtet e jetës së sforcuar të pandemisë, ishte një sfidë tejet e vështirë. Por, mbresat dhe përjetimet e fituara që në kohën e censurës komuniste kanë pasur një rol mjaft nxitës në shkrimin e këtij libri.

“Për lexuesin shqiptar Branko Merxhani ka mbetur një emër mes së njohurës e së panjohurës: i ndeshur diku në një revistë të moçme, i ngatërruar ja me njëfarë Historie të Perandorisë osmane në Ballkan, ja me diç si përkthime mësimesh të Freud-it; emër i lidhur me një artikull të zhurmshëm titulluar Pse nuk jam Marxist?, a me një shkrim përkujtimor të paradokohshëm përfund një faqeje gazete. Këtë fat, të njohje-mosnjohjes, ia plotëson atij edhe prejardhja e vagullt: një qytet anonim i Turqisë, vitlindja e pasigurt aty nga fundi i shek. XIX, guvernantja (a nëna?) gjermane, kolegji anglez (a francez?) në Izmir, studimet për turkologji, studime të tjera në Gjermani (a Austri?), ardhja e parë në Gjirokastër, një shërbim i gjatë në Ankara, kthimi në Tiranë, një pinjoll i mendësisë lindore që u tregon shqiptarëve rrugët e Perëndimit, ikja përfundimtare, kështu gjithnjë: 1/2 mjegull – 1/2 njeri”.

Kështu shkruan një studiues i njohur i veprës së Merxhanit, ndërsa një analist do të shtonte: “Branko Merxhani është një personazh për t’u zbuluar. Ai vetë ka folur pak për jetën e vet, dhe nuk është bërë i gjallë pasi e la Shqipërinë, disa muaj pas pushtimit nga italianët… Pas përmbysjes së komunizmit, janë bërë ca përpjekje të njërit apo tjetrit për të davaritur mjegullën që e rrethon jetën e këtij personazhi të rëndësishëm të historisë së Shqipërisë, por rezultatet kanë qenë minimale. Ai jetoi gjatë, vdiq në vitin 1981, dhe pas, përveç emrit të mirë e punëve të mëdha, ka lënë dhe plot pikëpyetje. Pse s’u bë i gjallë? Pse nuk e gjeti një mënyrë për të përcjellë një sinjal, se ai ekzistonte? Pse s’e gjeti një mënyrë për të thënë se ç’mendonte për parantezën shqiptare të jetës së tij? Pse askush nuk dinte gjë për të? Pse edhe të bijat kishin një informacion me pikatore për të? A ish Shqipëria e shqiptarët pjesë e mejtimeve të tij në ditët e fundit të jetës? Si vdiq? Kush iu ndodh pranë në momentet e fundit? Pse na la neve të dimë kaq pak për të?”

Duket pra, se janë të shumta pikëpyetjet dhe aq të pakta informacionet rreth tij. Aq më tepër që në kohën kur ai u shfaq, pakkush dinte ndonjë gjë për Merxhanin dhe me siguri në kafe “Kursal” apo në mjediset e tjera kulturore kryeqytetase shfaqja e tij është pritur me shpërfillje, në mos në mënyrë armiqësore. Tirana ishte e mbushur me intelektualë të kësaj natyre, që kishin mbaruar shkolla jashtë e ktheheshin në Shqipëri me ambicien për të gjetur një hapësirë në sfondin kulturor e politik të Shqipërisë së atyre viteve. Ajo që e bënte të ndryshëm Merxhanin nga të tjerët ishte pikërisht fakti se ai nuk bëri asgjë për të sqaruar mjegullnajën që shoqëroi shfaqjen e tij. Ai nuk tundi diplomat kafeneve si të tjerët, nuk tregoi spaletat e gjyshërve të fituara nga shërbimet ndaj Stambollit. Merxhani mbeti deri në fund enigmatik dhe pa dëshirën për të shuar kureshtjen e thashethemexhinjve shqiptarë me të dhëna nga jeta e tij private.

Për të gjitha këto arsye, një dimension i studimit për Merxhanin do të jetë edhe zhvillimi jo vetëm i biografisë së tij, por edhe i natyrës intelektuale, pasioneve dhe ndikimeve socio-filozofike që spikatën në veprën që ai la për shqiptarët.

E për të kaluar në një tjetër rrafsh biografie, do të duhet të shqyrtojmë pikërisht përmbajtjen dhe cilësinë trashëgimore të produktit të tij më përfaqësues: doktrinës neoshqiptare. Kishte edhe parashtrime të tjera ideologjike që u shpalosën në atë kohë; atëherë, cila ishte vallë veçantia e neoshqiptarizmës që ajo arriti të linte, gjurmë të cilat mund të ndiqen edhe sot? Studiues të ndryshëm, krahas këtij etiketimi, kanë dalluar te kjo ideologji edhe “një shkencë që jep një përkufizim special të një shteti të pavarur”. Gjatë kohës që ai punoi, klerikët e veriut e përmendën veprën e tij si një sistem të mbaruar, ndërsa disa të tjerë si aspirues “për krijimin e një shkolle filozofike merxhaniane”. Për rrjedhim, është e natyrshme që një libër si ky që po ju sjell unë në këtë kohë pandemie, që studion trashëgiminë e tij mendore, t’u japë përgjigje edhe pyetjeve të tilla si: ‘A krijoi një shkollë filozofie, një shkencë apo një sistem?’. E më tej, ideologjia e tij, që asokohe konsiderohej si jorealiste, sot është vallë ende një utopi, një kundër-botë, një botë tjetër, apo një botë ndryshe për shqiptarët? Përgjigjja e pyetjeve të tilla do të përbënte dimensionin e dytë të rëndësishëm të këtij trajtimi.

Megjithatë, gjithkush që do të dojë të trajtojë temat e mëdha që mendimi shqiptar i midis dy luftërave botërore projektoi për ardhmërinë e shoqërisë shqiptare, nuk do të mjaftohej në një qartësi të paraqitjes ose njohjes së thelluar të autorit më përfaqësues të kësaj epoke. Do të duhej edhe një vëmendje e veçantë në proceset historike nëpër të cilat kaloi shteti shqiptar i këtyre dekadave për t’u krahasuar me epokën e tranzicionit qw shteti ynë po kalon pas shembjes së regjimit komunist. Pasi është pikërisht ky paralelizëm ai që na intereson për të ballafaquar aktualizimin me kohën e sotme të doktrinës neoshqiptare.

Për këtë arsye, njëra nga mënyrat e “rrugëtimit” të kësaj doktrine do të qe paraqitja e tërësisë filozofiko-shoqërore ku ajo mund të përmblidhet në një seri “sprovash”, që të bashkojnë brenda vetes prurjet e një plejade të caktuar autorësh, që i lidh diçka e fortë, kryesisht me doktrinën bazë, me njëri-tjetrin, por edhe me historinë e secilit prej tyre. Vetëm se këto sprova nuk mund t’i përshtaten modelit të “portreteve” ose “tablove” që paraqiten bukurisht më vete. Ato duhet të arrijnë të lidhen së bashku nga një logjikë që priret të dëshmojë diçka evoluese dhe të koordinuar deri në fund, e në këtë rast një sistem, një ideologji, një tendencë do të qe filli më i mirë lidhës në mes tyre. Veçse për synimin tonë kjo nuk mjafton, pasi synohet të krijohet një vijueshmëri, një rrugëtim i intelektualitetit shqiptar të këtyre viteve dhe tezave që ata trajtuan apo parashtruan deri në kohën tonë, duke marrë për nisje pikëpamjet e Merxhanit dhe të neoshqiptarëve. Kërkohet, kësisoj, një dimension i ri i trajtimit të korpusit të këtij mendimi, duke dëftuar se si mund të “zhytet” dimensioni historik ku ai punoi në një analizë sociologjike të kohës ku ne po jetojmë, për të përfituar kështu sa më shumë nga rezultatet që arrin të na japë një disiplinë e tillë si sociologjia historike.

Ky dimension do të përqendrohet gjithsesi tek e tashmja, pavarësisht se do të ndërmarrë një “rrugëtim të njëmendtë”, para së gjithash mbi vlerësimet klasike sociologjike dhe filozofike që ai formuloi, pastaj mbi masën e madhe të librave dhe studimeve më të spikatura që citoi dhe shpjegoi në këto studime, e së fundi, në qëndrimin që ai mbajti në po të njëjtën “gjatësi vale” me prirjet dhe teoritë më bashkëkohore të kohës, por edhe në mënyrë krejt të pavarur prej tyre. E gjitha kjo, përveçse një “vijimi të natyrshëm”, do të ravijëzonte njëkohësisht, për herë të parë, edhe hapësirën e caqet, formën dhe përmbajtjen, fushat e shtrirjes dhe metodologjinë e zbatimit të një sociologjie historike të mendimit shqiptar, të cilit mendimi merxhanian do të provojmë se është themelues.

Për ta realizuar një qëllim të tillë, padyshim që nevojitet një mbështetje e fortë shkencore dhe social-historike, pasi një disiplinë e tillë, në identitetin e vet ka lidhje edhe me zhvillimin e një antropologjie kulturore të këtij mendimi. Kjo shpjegon faktin pse shpesh, përgjatë hulumtimit do të ndiqen disa vija të caktuara hierarkie që kanë të bëjnë me realitetin e sotëm historik, me problemet dhe zhvillimet e tij, të kryqëzuara ose të mbivendosura, aty ku do të shihet e mundur, me pikat e përbashkëta apo zgjidhjet paralele që ky mendim dha ose ideoi për po të njëjtat tema. Këto pikëpjekje do të na bëhen më pas gurët kilometrikë të ndërtimit të themeleve të sociologjisë historike shqiptare në dimensionin e saj ontologjik. Kjo nuk nënkupton përdorimin e qenësishëm të dijeve të caktuara historike apo një prani të vazhdueshme të rrëfimit historik përgjatë zhvillimit të analizës së të gjitha sprovave në tërësi. Përkundrazi, synon përdorimin gjatë këtij rrugëtimi të urave që historia dhe sociologjia ndërtojnë sa herë që arrijnë të bashkëpunojnë me njëra-tjetrën.

Një metodologji e këtij lloji dhe strukture nuk është as e shtrirë në skajet e antropologjisë kulturore dhe as e konsiderueshme si një rrymë e caktuar e historiografisë, pavarësisht se e “ngjyen penën e studimit edhe në bojën, termat dhe konceptet e tyre”. Është më tepër një formë, mjaft e njohur sot, e prodhimit të dijes që lind nga ndërgjegjja e plotësuar, se shoqëria dhe kultura e një vendi apo e një populli janë gjithmonë të “kredhura në një kohë historike”, e cila nuk përkon me konceptin e një kohe homogjene, të matshme dhe të drejtpërdrejtë. Shoqëritë lëvizin në brendësi të kohëve të ndryshme, duke përpunuar, riformuluar, huazuar apo nxjerrë për përdorim koncepte të kohëve dhe historive të ndryshme. Ja përse, shpesh na ka ndodhur që të jemi ndeshur me paralelizma të kohës dhe problemeve të realitetit tonë me kohën e viteve ‘30. Për këtë arsye, kemi gjetur, që mjaft zgjidhje, fenomene e deri dhe procese të tëra historike të mbetura pa u zhvilluar dhe pa përfunduar që atëherë, të shfaqen si kontribute dhe si çështje të shtruara për zgjidhje në kohën tonë. Është ky një tjetër kusht që na shpie në vlerësimin sa më të madh të aktualitetit të këtij mendimi edhe në botën e intelektualitetit të sotëm shqiptar, duke përbërë njëherësh edhe dimensionin më të rëndësishëm që mund të paraqesë për lexuesin e sotëm një libër i tillë mbi Merxhanin. Ai është një studim i shkruar duke pasur parasysh shqiptarët e sotëm, shqiptarët e shekullit XXI dhe një botë reale, konkrete për ta, me të cilën të arrijnë të realizojnë në frymë, në germë dhe në lëndë, brumin e së ardhmes së tyre.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat