I rrita fëmijët me Pixar-in dhe ua shkatërrova ndjesinë për kinemanë klasike

Kultura

I rrita fëmijët me Pixar-in dhe ua shkatërrova ndjesinë për kinemanë klasike

Më: 2 dhjetor 2020 Në ora: 19:33
Foto ilustrim

Fëmijët e sotshëm kanë zero tolerancë për gjërat pa ritëm dhe për zbavitjet e lehta, shkruan gazetarja Zoe Williams.

Kohët e fundit i shihja reklamat e filmave të Krishtlindjes, në kinemanë përballë shkollës së fëmijëve, dhe i paramendoja skenat e lumtura kur papandehur do të jem pranë portave, më 17 dhjetor ose aty dikur, duke mbajt brirë të ndritshëm dreri në kokë e duke i hequr ato veç për ta parë filmin “Jeta është e mrekullueshme” (It’s a Wonderful Life) të cilin fëmijët pastaj do ta mbanin mend gjatë gjithë jetës së tyre. Natyrisht, jam duke e paramenduar një familje tjetër, pasi nuk lejohem të rri afër shkollës, sepse edhe mënyra se si e mbaj telefonin i shqetëson ata. Pos kësaj, ata nuk duan ta shohin asnjë film të bërë para vitit 2005.

Ky nuk është i vetmi burim i brengës sime, sepse dhembja vjen pas viteve të tëra të insistimit dhe gabimit tim për t’i parë ata filmat “Hedhërët” (Heathers), “Bejvis dhe Bat’hed” (Beavis and Butt-Head) dhe “Ka diçka në lidhje me Marinë” (There’s Something About Mary) e për t’ju thënë: “Prisni, prisni, kjo pjesa tjetër është me të vërtetë qesharake”, e për të kuptuar pastaj se e kam mbajtur mend gabimisht filmin dhe se është një shaka brenda 40 minutave, e pjesa tjetër, megjithëse njerëzore, mund të jetë qesharake për mua po nuk është qesharake në kuptimin modern.

I edukova gabimisht. Duhej t’ua kisha shfaqur “Magjistarin e Ozit” (ejani fëmijë e provojini 102 minuta me njerëzit që kërkojnë diçka e që nuk e gjejnë deri në minutën 99) dhe “Tingullin e muzikës” (nazistët bëhen të këqij tek në pjesën e katërt, ndërsa ky film ka më pak ritëm se vet lufta). Në vend të kësaj, unë ua tregoja atyre “Rrëfimin e lodrave” (Toy Story) që ka më shumë shaka se gjithë fëmijëria ime, dhe “Lart” (Up) që mbërthen të gjitha mrekullitë dhe imtësitë e gjendjes njerëzore në 40 sekondat para se të shfaqen titrat e para. Pixar-i e ka shkatërruar këtë brez: nuk kanë vëmendje dhe kanë zero tolerancë për gjërat e lehta; nëse nuk keni grafikë të hamamtë kompjuterike që t’ua zgjoni interesimin, as mos ia nisni muhabetit.

Meqë ra fjala, kundërpërgjigjja e 13-vjeçarit është se fëmijët janë në rregull dhe se të rriturit janë ata që janë shkatërruar nga “Lufta e froneve” (Game of Thrones). Tani nuk mund të përqendrohemi në asgjë nëse nuk është aty një dragua dhe nëse gjysma e aktorëve nuk janë të zhveshur gjatë gjysmës së kohës. Është shumë vonë për mua që t’ua mbushi mendjen. Por, nëse keni fëmijë në moshën kur ndikohen – që do të thotë se ata ende nuk mund të flasin – nuk është vonë për ta shpëtuar veten. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat