Atë Gjergj Fishta dhe komedia e Kadaresë

Kultura

Atë Gjergj Fishta dhe komedia e Kadaresë

Nga: Prof.dr. Eshref Ymeri Më: 29 dhjetor 2020 Në ora: 23:04
Prof.dr. Eshref Ymeri

Dihen mirë arsyet që e patën nxitur kryediktatorin dhe kryekriminelin e popullit shqiptar Enver Hoxha, për të sulmuar egërsisht Gjergj Fishtën, i cili ishte armik i betuar i shovinizmit serbosllav. Si argat i vënë kokë e këmbë në shërbim të atij shovinizmi që prej 08 nëntorit të vitit 1941, Enver Hoxha ka pasë marrë udhëzime të prera prej Beogradit për poshtërimin e figurës së Gjergj Fishtës. Dhe jo vetëm, por edhe të figurave të tjera të shquara të katolicizmit, mbrojtës të vendosur të nacionalizmit shqiptar. Ja një shembull për ilustrim për ato udhëzime që Enver Hoxha merrte nga Beogradi, të cilat ai i zbatonte me rreptësi, si urdhrat e agait për shërbëtorin e vet:

“20 shkurt 1946... Kallxon nji zojë e cila, asokohe bante punën si përkthyese në shërbim përsonal të sekretarit të Partisë Enver Hoxhës, në marrëdhanje diplomatike me ambasadën e Jugosllavisë në Tiranë, si nji ditë, me nji bashkëfjalim ndërmjet ambasadorit titist e Enverit, ky i fundit shend e verë i paska pasë kumtue përfaqësuesit të Beogradit gati-gati si tue u krenue:

“E mbytëm Patër Anton Harapin e me të kemi plagosë për vdekje Klerin Katolik!..”.

Simbas rrëfimit të grues, ambasadori, diplomat i vjetër pan-serbian, i paska pasë përgjegjë:

“Po, po! Po keni ende gjallë Patër Gjon Shllakun, i cili peshon shumë, duhet, - vazhdoi ai, - si mbas porosisë që kam prej qeverisë sime, të zhdukni Shllakun dhe të shkatrroni kulm e temel çerdhen e Klerit Katolik në Shkodër, me në krye Françeskanët!”” (Citohet sipas: Atë Daniel Gjeçaj. “Atë Gjon Shllaku, Martir i Fesë dhe i Atdheut”, përfshirë në librin me titull “Martirizimi i kishës katolike Shqiptare 1944-1990”. Shtypshkronja “Atë Gjergj Fishta”. Tiranë 1993, f. 36).

Në qëndrimin e kryediktatorit ndaj Fishtës, nuk ka asgjë për t’u habitur, sepse, përmes argatit të vetë Enver Hoxha, Beogradi e kishte shndërruar partinë komuniste në agjenturë të serbosllavizmit. Prandaj edhe i kishte dhënë urdhra të prera për shfarosjen e të gjithë nacionalistëve të shquar që e kishin demaskuar rëndë shovinizmin serbosllav për krimet e përbindshme që kishte kryer kundër kombit shqiptar dhe sidomos kundër popullit shqiptar të Kosovës. Dhe, siç dihet, në krye të nacionalistëve të tillë qëndronte Atë Gjergj Fishta.

Duke pasur parasysh sa më sipër, vetvetiu lind pyetja:

Cilat janë arsyet që edhe Kadarea, ashtu si kryediktatori, e ka sulmuar Fishtën me një egërsi të paimagjinueshme?

Mund të hamendësohet se dy janë arsyet e një sulmi të tillë:

Së pari, Kadarenë e ka pasë bluar smira për madhështinë e figurës së Fishtës, si një poet i përmasave kombëtare dhe me vlerësime jashtë vendit. Një intelektual i njohur i formatit nacionalist, ka theksuar:

“Patër Gjergjin e njihnin të gjithë akademikët si njerëz të kulturës botërore që ishin. E njihnin kryesisht si humanist të shquar, e njihnin për kulturën e tij pa anë e fund, e njihnin si gjuhëtar e si ballkanolog të shquar, e njihnin edhe për vlerësimin e rrallë që i ishte bërë në fushën e vargëzimit si “Homeri i Ri”, i përkthyer në shumë gjuhë të botës. E njihnin ata natyrisht edhe për dekoratat e titujt që i ishin akorduar: nga Austria “Ritterkreuz” më 1912, ose nga Turqia “Mearif” po më 1912, nga Vatikani “Medaglia al Merito” më 1925, nga Greqia “Phoenix” më 1931, etj. etj., e pse jo, e njihnin edhe si kandidat i propozuar për çmimin Nobel!” (Citohet sipas: Mërgim Korça. “Atë Gjergj Fishta - Filozof, Ideolog Kombëtar dhe Vizionar”. Faqja e internetit “Radi and Radi”. 15 dhjetor 2017).

Së dyti, Kadarea e ka sulmuar me egësi Fishtën për shkak të servilizmit të tij proverbial ndaj kryediktatorit. E pata theksuar edhe në esenë me titull “Servilët e Kadaresë janë si fara e gramit” (të botuar në internet më shumë se dy muaj më parë) se në librin e Petraq Kolevicës me titull “Autobiografia e Kadaresë në vargje”, dëshmohet në mënyrën më të shkëlqyer se deri në ç’nivele të larta kishte arritur filozofia e servilizmit të neveritshëm të Kadaresë ndaj diktatorit.

Sulmin më të egër kundër Fishtës, Kadarea e ndërmori në janarin e vitit 1974. Shtrohet pyetje: pse pikërisht atëherë? Përgjigjja është e thjeshtë: në dhjetor të vitit 1972 u zhvillua Festivali i 11-të i këngës në Radiotelevizion. Në atë festival u ndie një prirje për më shumë frymëmarrje të lirë, për më shumë liri mendimi. Kjo nuk i pëlqeu kryediktatorit, i cili, për shkak të murit të paprekshmërisë që kishte ngritur rreth vetes me bastionin e servilëve të të gjitha kategorive, fill pas nëntorit të vitit 1944, qe shndërruar në personin e vetëm me imunitet në Shqipëri, ndërsa të tjerët rreth dhe poshtë tij figuronin si materiale inerte. Në këto kushte, pas atij festivali, kryediktatori përgatiti truallin për thirrjen e Plenumit IV që i zhvilloi punimet më 26-28 qershnor 1973, një plenum ky që mund të vlerësohet pa asnjë mëdyshje si njëra nga faqet më kriminale dhe më të zeza në historinë e komunizmit shqiptar. Në atë plenum, kryediktatori mprehu thikat për thellimin dhe ashpërsimin e luftës së klasave në fushën e kulturës, të ekonomisë dhe të mbrojtjes, si “domeni” i gjeneralëve të ushtrisë, çka u pasua me arrestime, burgime dhe pushkatime të shumë figurave të njohura, pa i thënë asgjë mbarë opinionit publik se çfarë veprimtarie antikombëtare kishin kryer ata njerëz. Muaji janar 1974 ishte njëra nga periudhat më kulmore të histerisë që kishte shpërthyer kundër figurave të njohura të fushës së kulturës. Pikërisht sulmi që Kadarea ndërmori kundër Fishtës në atë muaj,ishte mbështetja më e fuqishme që ai i jepte kryediktatorit për krimet që ky po kryente në fushën e kulturës dhe mundësia më fantastike për ta shpëfaqur me një zell të jashtëzakonshën filozofinë e servilizmit të vet ndaj kryediktatorit.

Me zëvendësimin e sistemit komunist me sistemin neokomunist pas demoshmëtisë dhjetoriste, Kadaresë i janë bërë pyetje për sulmet e egra që pati ndërmarrë kundër Fishtës. Dhe Kadarea, në përgjigjet e veta, është munduar të përdridhet me një “shaka serioze”, duke luajtur një komedi të shpëlarë. Në njërën nga ato përgjigje, në gazetën “Korrieri” të datës 06 janar 2002, ai ka deklaruar:

“... Si shenjë dhe si provë e ndryshimit tim ka qenë kerkesa publike për botimin e Fishtës në Shqipëri. Ka qenë e para kërkesë e bërë në shtyp. Kjo ka ndodhur më 21 mars 1990, kur Shqipëria ishte ende komuniste”. (Citohet sipas: Indrit Bardhi. “Kadarea i ka borxh Gjeniut të letrave Atë Gjergj Fishtës një pendesë të besueshme”. Faqja e internetit “Proletari.com”. 25 shtator 2015).

Po atëherë si shpjegohet që një vit më vonë, në fillim të vitit 1991, Kadarea botoi librin me titull “Ardhja e Migjenit në letërsinë shqipe”, në të cilin, tashmë disa vite pas largimit të kryediktatorit për në botën e përtejme, sulmet kundër Fishtës shpalosen me të njëjtën egërsi, si në vitin 1974? Përgjigjja përsëri është e thjeshtë: filozofia e servilizmit ndaj diktatorit dhe smira përvëluese ndaj Fishtës kishin pushtuar çdo pore të qenies së tij. Prandaj komedinë për gjoja ndryshimin e qëndrimit ndaj Fishtës, Kadarea le t’ua bënte dalje fëmijëve të kopshteve dhe jo opinionit publik.

Në një tjetër intervistë, Kadarea thotë

“… Mendoja se heshtja totale, fshirja nga kujtesa e shkrimtarëve të ndaluar, ishte ndalimi më i keq, ishte pikërisht dëshira e vërtetë, qëllimi final i diktaturës. Ndaj kam kërkuar një zgjidhje tjetër, që e mendoja më të favorshme për shkrimtarët e dënuar e, natyrisht, për të vërtetën. Ideja ime ishte: të përmendeshin ata, me çdo kusht, qoftë edhe duke i përcjellë me kritika të rrepta. Ç’kritika mund të përdoreshin si taksë për përmendjen e emrit? Ishin pak a shumë dy modele: njëri tepër i skajshëm, si për shembull, kriminel, hienë e zezë, spiun i fashizmit, shërbëtor i pushtuesve etj. Të tilla unë nuk kam përdorur kurrë. Modeli i dytë, më i moderuar: reaksionar, konservator, patriarkal, primitiv, nacionalist, folklorist, shovinist etj”. (Citohet sipas: “Kadare: Gjykimet e mia për Fishtën dikur, të gabuara”. Faqja e internetit “portalb”. 29 dhjetor 2015).

Pra, sipas Kadaresë, që shkrimtarët e ndaluar të mos harroheshin, ata duheshin sulmuar. Vajmedet, o Kadare! Çdo komedi e ka një kufi, por kjo është komedi mbi komedi.

Pra, Kadarea deklaron se në sulmet e veta, Fishtën nuk e paska etiketuar si “spiun i fashizmit, shërbëtor i pushtuesve etj”. Po si është e vërteta?

Le të shfletojmë tribunën e mashtrimit të diktaturës komuniste “Zëri i Popullit” të datës 13 janar 1974. Aty Kadarea, i mllefosur keq kundër Fishtës, për të shpalosur filozofinë e vet të servilizmit ndaj diktatorit, shkruan:

“Në pleniumin e 4-të të Komitetit Qendror të Partisë shokuEnver, në një mënyrë thellësisht marksiste, zbërtheuesencën e vërtetë konservatore të borgjezisë dhe tërevizionistit të sotëm”.

Më poshtë vazhdon furinë e egërsisë kundër Fishtës dhe jep këto vlerësime për të:

“Filoitalian ipapërmbajtshëm, agjent i Vatikanit, emisar i pushtimitfashist, partizan i çkombëtarizimit dhe i romanizimit tëkulturës sonë”.

Pra, në përgjigjen e vet, Kadarea i mashtron lexuesit pa iu dridhur qerpiku, duke menduar se ata e kanë kujtesën të shkurtër dhe kanë harruar se çfarë ka deklaruar ai në vitin 1974,se shprehjet “agjent i Vatikanit, emisar i pushtimit fashist”, nuk kanë ndonjë dallim nga shprehjet “spiun i fashizmit, shërbëtor i pushtuesve”.

Nëse Fishta do të kishte qenë agjent i Vatikanit dhe emisar i pushtimit fashist, ai me siguri që do të kishte pranuar dekoratën që kërkonte t’i akordonte Musolini. Po cili ishte qëndrimi i Fishtës ndaj dekoratës së Musolinit?

Në materialin e mëposhtëm, me autor intelektualin e sipërcituar Mërgim Korça, një figurë mjaft e nderuar nga radhët e nacionalistëve shqiptarë, flitet për përpjekjet e fazhizmit italian për ta joshur dhe për ta bërë për vete Fishtën, si një intelektual me shumë autoritet i kombit shqiptar. Aty thuhet:

“Pikërisht Ai duhej fillimisht mikluar e pastaj tulatur. Dhe hapin e parë qeveria fashiste italiane e bëri: i akordoi Patër Gjergj Fishtës, Provincialit të Françeskanëve të Shkodrës, me Dekret Mbretëror, një nga dekoratat më të larta që akordonte fashizmi italian! Por përgjigjja e Titanit qe e papritur, po aq sa dhe e pabesueshme. Ajo qe e prerë: ia refuzoi Duçes Dekretin Mbretëror të qeverisë Italiane duke u shprehur: “Kjo dekoratë nuk âsht për mue!””. (Citohet përsëri sipas: Mërgim Korça. “Atë Gjergj Fishta - Filozof, Ideolog Kombëtar dhe Vizionar”. Faqja e internetit “Radi and Radi”. 15 dhjetor 2017).

Kadarea e akuzonte Fishtën se ishte nacionalist. Vallë të mos e dinte Kadarea që nacionalizmi, në thelb, përfaqëson në vetvete një ideologji dhe një orientim të politikës që ka si parim themelor tezën për vlerën e kombit, si formën më të lartë (më supreme) të unitetit shoqëror në procesin e shtetformimit? Nacionalizmi, si një lëvizje politike, ka si pikësynim mbrojtjen e interesave të bashkësisë kombëtare në raport me pushtetin shtetëror. Në themelin e vet, nacionalizmi predikon besnikërinë ndaj kombit, pavarësinë politike dhe punën në të mirë të popullit, ngritjen kulturore dhe shpirtërore të tij, bashkimin e vetëdijes kombëtare për mbrojtjen e kushteve të jetesës së kombit, të territorit ku ai banon, të resurseve ekonomike dhe të vlerave shpirtërore. Ai mbështetet mbi ndjenjën kombëtare, e cila do të thotë atdhetari. Si ideologji, nacionalizmi ka për qëllim të bashkojë shtresat e ndryshme të shoqërisë, pavarësisht se ato mund të kenë edhe mospërputhje interesash, të krijojë marrëdhënie dinjitoze dhe të ndërtojë një politikë me autoritet me shtetet e tjera, duke mbrojtur atdheun nga agresionet e mundshme të shteteve shoviniste. Pra, me etiketimin e Fishtës si nacionalist, Kadarea është lodhur kot, se shqiptarët me vetëdije kombëtare janë shumë krenarë që Fishta ka qenë nacionalist.

Filozofi gjerman Shopenhauer (Arthur Schopenhauer - 1788-1860), thotë:

“Nacionalizmi është krenari për vendin, të cilit ti i përket”.

Kadarea e akuzon Fishtën dhe, ashtu si edhe kryediktatori, thotë një gënjeshtër të madhe kundër tij, duke e quajtur shovinist. Vallë nuk e dinte Kadarea që shovinizmi është ideologji që synon të përndjekë dhe të shtypë popujt e tjerë ose kombësitë e tjera? Fishta asnjëherë nuk është shprehur për përndjekjen dhe shtypjen e fqinjve serbosllavë. Ai vetëm i ka demaskuar publikisht për urrejtjen që ushqenin ndaj kombit shqiptar, të shoqëruar me epshet shoviniste për pushtimin e territoreve shqiptare dhe për shfarosjen e popullit shqiptar.

Kadarea shpif kundër Fishtës, duke e akuzuar si “partizan të shkombëtarizimit dhe të romanizimit të kulturës sonë”.

Fishta jo vetëm nuk pati folur dhe nuk pati shkruar ndonjëherëpër shkombëtarizimin e shqiptarëve, por pati ngritur edhe zërin e tij të fuqishëm për ribashkimin e trojeve tona etnike. Vallë nuk e kishte lexuar Kadarea veprën “Mrizi i zanave”, në të cilën ushtojnë vargjet gjëmimtare në vijim:

Po, por nesër, me ndihmë t’ Zotit,/ Do t’a bajm prap Shqypni t’ lir/Prej Prevezet m’ Leqe t’Hotit,/Prej Tivarit m’ Monastir.

Valë nuk e dinte Kadarea që Fisha ka qenë autor i tekstit të Himnit Kombëtar, me muzikë të Palok Kurtit, të cilin nxënësit e këndonin nëpër rrugët e Shkodrës që prej vitit 1913?

Edhe më e marrë është akuza e Kadaresë ndaj Fishtës për romanizimin e kulturës. Romanizim apo shkombëtarizim i kulturës, do të thotë shpërbërje deri në shkombëtarizim të gjuhës shqipe, sepse gjuha shqipe është trualli i shëndetshëm, mbi të cilin ngrihet kultura shqiptare mbarëkombëtare. Por gjuhën shqipe, gjuhën e perëndive, siç e quan Naim Frashëri, Fishta, po ashtu, e quan gjuhë e Perëndisë dhe e ka trajtuar si fëmijën e vetme, si sytë e ballit. Prandaj në poezinë ma titull “Gjuha shqype” vargjet në vijim kanë një rrezatim shkëlqimtar në mbarë trojet tona etnike: Pra, mallkue njai bir Shqyptari, /qi këtë gjuhë të Perëndis’, / trashigim, që na la i Pari, /trashigim s’ia len ai fmis.

Po Kadarea, qoftë edhe një herë të vetme gjatë këtyre 30 vjetëve që jeton në Paris, pse nuk e ndoqi shembullin e Fishtës në qëndrimin ndaj Perëndimit evropian, i cili, nën ndikimin e fuqishëm të shovinizmit rusomadh, armikut të betuar tradicional të kombit shqiptar, na copëtoi trojet etnike. Fishta i madh, duke veshur petkun e politikanit me vetëdije të lartë kombëtare, duke iu drejtuarpërfaqësuesve të fuqive të mëdha në Konferencën e Paqes në Paris në vitin 1919, deklaroi burrërisht:

“Po qe se përnjimend parimi i autodeterminacionit asht marrë prej Konferencës së Paqes si karakter themelor për trajtimin e shteteve si dhe përcaktimin e kufijve të tyne, e drejta e lypë që Shqipnia të qitet shtet më vete përmbrenda kufijve të vet etnikë dhe gjeografikë… Konferenca e Paqes kishte me ba nji paudhni të përgjakshme, po nuk e nxuer e nuk ua ktheu Shqipnisë ato toka që, Konferenca e Londonit, kundra çdo gjyqi e drejtsije, në vitin 1913 ia shkëputi Shqipnisë, për me ua lëshue grekve dhe serbve”.

Vallë nuk e di Kadarea që fjala e një shkrimtari të madh në mjetet e huaja të informimit masiv, peshon shumë më tepër sesa pesha e një shkëmbi hijerëndë? Shqiptarët me vetëdije të lartë kombëtare kanë shpresuar shumë se Kadarea do ta thotë fjalën e vet në Perëndimin evropian për krimin e rëndë që bëri Kongresi famëkeq i Berlinit dhe Konfereca edhe më famëkeqe e Londrës me copëtimin e trojeve tona etnike për interesat e klyshëve të Rusisë - grekosllavizmit. Ka kaluar më shumë se një shekull që grekosllavizmi vazhdon t’i mbajë të pushtuara trojet tona, prandaj ato duhet t’i kthehen dikur atdheut amë. Atje në Paris Kadarea është dekoruar me një medalje të Legjionit të Nderit. Për çfarë meritash para Francës i është akorduar Kadaresë ajo dekoratë? Sigurisht për interesat e Francës. Që Kadarea të mos e thotë as edhe një fjalë të vetme kur politikanë francezë sulmojnë popullin shqiptar të Kosovës dhe, rrjedhimisht, mbarë kombin shqiptar?Prandaj Kadarea s’është ndier fare për i gjallë për rastet e mëposhtme Le të ndalemi në disa fakte konkrete:

Së pari, në mars të vitit 2015, mbarë opinioni publik shqiptar u njoh me një deklaratë skandaloze të një eurodeputeti, një shovinist francez ky në parlamentin evropian, i quajtur Emerik Shoprad (Aymeric Chauprade - 1969). Ky tellall i shovinizmit rusoserbomadh, nga tribuna e parlamentit në fjalë, shprehu tërë urrejtjen e vet për Kosovën, të cilën e etiketoi si “çerdhe të krimit”, duke deklaruar se Parisi na paska bërë, demek, një “gabim historik” me njohjen e pavarësisë së Kosovës.

Sipas këtij shovinisti të regjur me dashurinë përvëlimtare për Serbinë dhe me urrejtjen shembullore për Kosovën, “Kosova kurrë s’mund të hyjë në Bashkimin Evropian”. Se Kosova, sipas këtij injoranti me gramë të madhe,jo vetëm që na qenkej “çerdhe e krimit”, por mbakej përgjegjësi edhe “për spastrimin etnik të serbëve dhe të popullatës tjetër joshqiptare” (Citohet sipas: “Europarlamentari francez: Kosova çerdhe e krimit, njohja e saj gabim historik”. Marrë nga faqja e internetit “BalkanWeb”. 02 mars 2015).

Eurodeputeti shovinist francez Aymeric Chauprade, nga tribuna e parlamentit evropian, sulmoi edhe NATO-n dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës për bombardimin e Sebisë në pranverën e vitit 1999. Me këtë deklaratë, ky eurodeputet shovinist francez, radhitej përkrah skifterëve ushtarakë francezë, të cilët, domosdo, me bekimin e politikës franceze, i jepnin të dhëna paraprake Beogradit për bombardimet e NATO-s.Gjenerali rus Leonid Ivashov ka deklaruar:

“Shefi i shtabit të përgjithshëm të forcave të armatosura të Francës, gjeneral-armatë Zhan Pjer Kelsh [Jean-Pierre Kelche (1942)], me të cilin unë kam marrëdhënie shumë të mira,.. nuk ka qenë përkrahës i bombardimeve kundër Jugosllavisë... Me rastin e 10-vjetorit të bombardimeve, ish-këshilltari i de Golit, gjenerali Pjer Galua [Pierre Marie Gallois (1911-2010)], pati dërguar në Beograd një videoregjistrim të një fjalimi të tij, në të cilin kishte zbuluar disa sekrete të NATO-s… (Citohet sipas:“Intervistë me gjeneral kolonel Leonid Ivashov”.Revista “Itogi”. Marrë nga faqja e internetit “russmir.info”. 27 gusht 2010).

Por shqetësim kryesor për mbarë shqiptarët atdhetarë, nuk përbënte deklarata armiqësore e një eurodeputeti francez me një formim kulturor gjysmak. Shqetësim kryesor për ta përbënte heshtja e krejt eurodeputetëve të tjerë, midis të cilëve nuk u gjend asnjë burrë për be që t’i jepte përgjigjen që Aymeric Chauprade meritonte për shpifjet që po nxirrte nga goja në adresë të Kosovës. Heshtja e eurodeputetëve vërteton më së miri deklaratën e vitit 2011 të Shefit të UNMIK-ut në Kosovë, Lamberto Zanieri. Në atë deklaratë, ai është shprehur:

“…pas ndërhyrjes ushtarake, një pjesë e bashkësisë ndërkombëtare mori anën e Serbisë”. (Citohet sipas: Lamberto Zanieri. “Pas ndërhyrjes ushtarake, një pjesë e bashkësisë ndërkombëtare mori anën e Serbisë”. Marrë nga faqja e internetit “Voal”. 16 prill 2011).

Së dyti, gjatë fushatës së fundit zgjedhore për zgjedhjet presidenciale në Francë, “kandidatja presidenciale Marine Le Pen pati deklaruar se kur të bëhet presidente e Francës, do ta nisë anulimin e njohjes së Kosovës. Le Pen, kryetare e Frontit Demokratik, gjatë një interviste për gazetën serbe “Srpski Telegraf”, ka thënë se “Kosova është tokë e shenjtë serbe”, prandaj shteti i saj “do ta tërheqë njohjen e Kosovës”. Po ashtu, ajo tha se ndaj “serbëve është bërë padrejtësi e madhe në vitet ’90 dhe se Evropa është e obliguar të përmirësojë këtë padrejtësi”” (Citohet sipas: “Shokon Le Pen: Nëse e fitoj Francën, anuloj njohjen e Kosovës, tokë e shenjtë serbe”. Faqja e internetit “voal”. 20 mars 2017).

A mendon Kadarea se Fishta do të heshtte sikur këto deklarata amiqësore kundër kombit shqiptar të ishte e mundur t’i shkonin në vesh në botën e përtejme? Me siguri që eshtrat nga ishin e nga s’ishin andej nga i flaku kryekrimineli Enver Hoxha, do të mblidheshin bashkë dhe do të vinin ulërimëm.

Me heshtjen e tij, Kadarea është bërë palë me kastën politike shqiptare, servile e pështirë e brukselizmit, është bërë palë me brukselizmin, paçka se ky ka 20 vjet që po mban qëndrimin izolues ndaj Kosovës. Është bërë palë, sigurisht, për shkak të filozofisë së servilizmit që e mban të mbërthyer në vend. Prandaj, për t’iu servilosur Perëndimit evropian, popullin shqiptar të Kosovës e sulmoi shumë ashpër pas ngjarjve të marsit të vitit 2004, kur kriminelët serbë mbytën tre fëmijë shqiptarë në lumin e Ibrit, çka u bë shkak për shpërthimin e revoltave antiserbe në mbarë vendin. Asokohe Kadarea u pati kushtuar një artikull atyre ngjarjeve. Zëvendësi i Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës gjatë periudhës mars-qershor 1999, njëkohësisht dhe oficeri që bashkërendoi bashkëveprimin midis Ushrisë Çlirimtare të Kosovës dhe Aviacionit të NATO-s për rreth 10.000 operacione ajrore brenda 78 ditëve, nga 36.000 opercione gjithsej që kreu NATO-ja gjatë asaj lufte. Koloneli Dilaver Goxhai kujton:

“Të gjithë prisnin natyrshëm reagimin e shkrimtarit të madh shqiptar me reputacion ndërkombëtar, reagimin tuaj, zoti Ismail Kadare. Më falni, jo të gjithë, por ajo pjesa që quhet popull. Dhe, ja! 1 Prill 2004, të gjitha gazetat e Kosovës botuan shkrimin tuaj, me titullin shpresëdhënës: “Riparimi i së keqes”, në të cilin ju analizonit ngjarjet e 17 dhe 18 Marsit të vitit 2004 në Kosovë. Nuk mbeti gazetë pa u shitur. Si asnjëherë. Populli i lutej Zotit, besonte dhe shpresonte se mbase Kadareja nuk do të anonte nga… pikpamjet e Solanës. Por frika se Kadarea do ta dënonte popullin shqiptar në Kosovë, sikundër bëri edhe me Ushtrinë Çlirimtare Kombëtare në Maqedoni, për fat të keq, u vërtetua.... Ndoshta folët kështu, se nuk mund të bënit ndryshe, ndoshta vetë pozita juaj shoqërore dhe ndërkombëtare iu vuri në vështirësi, iu diktoi dhe iu detyroi të ishit në një zë e në një valë me Holkerin, Solanën e kompani. Shumëkush e kupton këtë pozicion delikat tuajin. Por unë jo, të më falni. Unë mendoj se kishte një rrugë tjetër, shumë më dinjitoze, për të mos rënë në këtë lloj detyrimi: mund të mos flisnit fare dhe kjo do të ishte më e ndershme. Ose mund të flisnit në përgjithësi, si shumë të tjerë, në mënyrë që askush të mos mendonte, me ose pa të drejtë, se Ismail Kadareja kërkon të fitojë kapital politik, shoqëror e moral edhe mbi fatkeqësinë e një populli... Nuk iu besoja syve kur lexoja në atë “analizë” se ngjarjet e 17 dhe 18 Marsit 2004 ishin, sipas jush,“zëmërim i verbër, vizion dritshkurtër, nga dufi katundaresk, ky sorrogat i keq i patriotizmit”. Vërtet mendoni kështu për popullin e Kosovës, zoti Kadare?... [Citohet sipas: Dilaver Goxhai (Shëtim Golemi)].“Edhe ti Kadare e mohove UÇK-në!?... Refleksione. Në vend të një polemike”.Fragment i shkëputur nga libri “UÇK-ja dhe Kadarea”.Prishtinë 2004,f. 24, 25).

Dhe në atë artikull, mllefi i Kadaresë kundër popullit shqiptar të Kosovës arrin deri në caqet e marrëzisë, kur gjërat i hiperbolizon deri në atë shkallë absurde, saqënxjerr nga pena një deklaratë pa kurrfarë përgjegjësie. Prandaj Koloneli Dilaver Goxhai shkruan:

“Në “analizën” për ngjarjet e marsit, ju, z. Kadare, shpreheni: “Brenda një nate u dogjën aq kisha sa ndoshta nuk janë djegur gjatë një shekulli në Europë” (po aty, f. 65).

Me sa duket, filozofia e servilizmit ndaj Perëndimit evropian, Kadaresë ia kishte fshirë nga kujtesa fjalët që i kishte shkruar dikur heroit të Kosovës Ukshin Hoti në librin “Bisedë përmes hekurash”:

“Ekziston tashmë një traditë jo e vogël e cinizmit europian kundër Shqipërisë. Është bërë zakon që të bëhen kundër saj deklarata të tilla pa drojën e ndëshkimit moral…” (po aty, f. 20).

Për t’iu servilosur Perëndimit evropian, Kadarea po me të njëjtin mllef, madje edhe më rëndë,sulmoi djelmoshat e Ushtrisë ÇlirimtareKombëtare në Maqeni, duke i etiketuar ata si “banditë”, “klyshë të Enverit”, “aventurierë”, “të papërgjegjshëm”, “naivë”, mendjelehtë”, “me qëllime të dyshimta”, “në shërbim të një loje antishqiptare”, “pseudopatriotë”, “mafiozë”. (Gazeta “Shekulli”. 10 mars 2001, f. 3).

Koha vërtetoi se këto epitete ishin sa të pahijshme, aq edhe të turpshme, për të cilat Kadarea nuk u pendua kurrë.

Pikërisht filozofia e servilizmit ndaj Perëndimit evropian ishte ajo që e bëri gati Kadarenë të shprehte gatishmërinë të binte në gjunjë para ambasadores së Bashkimit Evropian në Tiranë Romana Vlahutin, për kritikën që asokohe i pati bërë asaj një analist shqiptar, një diplomate kjo pa kurrfarë autoriteti, që i bënte fresk kryeministrit Rama, duke mos e thënë as edhe një fjalë të vetme për parcelat e drogës në mbarë Shqipërinë.

A ka menduar ndonjëherë Kadarea se për mbarë kombin shqiptar do të kishte qenë një mrekulli e vërtetë, sikur ai, ashtu si edhe Fishta i Madh para një shekulli, ta kishte thënë një fjalë me peshë për domosdoshmërinë e rishikimit të krimit që Perëndimi evropian kreu me copëtimin e trojeve tona etnike dhe për vënien në vend të drejtësisë, duke shtruar kërkesënpër ribashkimin e tyre në një shtet të vetëm, me një stemë dhe një flanmur? A nuk ishte rasti më i mirë gjatë këtyre 30 vjetëve që Kadarea, ashtu si edhe Fishta, për një kërkesë të tillë, të vishte petkun e politikanit dhe të dilte burrërisht në skenën e Perëndimit evropian me autoritetin e një shkrimtari, të njohur në mbarë botën, duke sfiduar klasën politike shqiptare, mercenare të grekosllavizmit dhe të brukselizmit?

N mbyllje dëshiroj të theksoj edhe një herë se Kadarea, me ato që ka deklaruar se gjoja kishte ndryshuar qëndrim ndaj Fishtës, ka mashtruar, ka luajtur një komedi, çka e ka vërtetuar me fakte edhe me qëndrimin që ka mbajtur ndaj një ish-shoku të tij të dikurshëm të letrave, shkrimtarit Nasho Jorgaqi, i cili ka zbuluar dyfytyrësinë e tij si më poshtë.

Lidhur me romanin e Kadaresë “Mjegullat e Tiranës”, të botuar në vitin 2014, për të cilin autori pretendon se e paska shkruar në vitin 1958 dhe sulmon Nasho Jorgaqin për novelën “Dashuria e Mimozës”, ky i është drejtuar Kadaresë me një letër, ku, ndër të tjera, shkruan:

“Tani, pas kaq viteve, ti miku im i dikurshëm, pa pritur e pa kujtuar, merresh me këtë vepër anonimisht, pra, pa përmendur as titullin e as emrin e autorit, jo për të treguar të vërtetën ashtu siç është, po për ta shtrembëruar në mënyrë flagrante në dobi të veprës tënde. Pra, nuk ka në këtë mes asnjë qëllim dashamirës, përkundrazi, mungesë totale respekti dhe një vetëmburrje vanitoze. Ballafaqimi tendencioz i dy veprave nga ana jote kërkon t’u tregojë lexuesve të brezit të sotëm se sa i zoti e largpamës paske qenë ti atëherë, kur me intuitën e një rioshi arrije të kapërceje barrierat e letërsisë socrealiste e të ideologjisë së rreptë të kohës dhe mbërrije të shkruaje një vepër krejt të lirë e të shpenguar nga ky realitet… Tek e fundit, ia vlen barra qiranë të mistifikosh qoftë edhe një moment nga e kaluara e largët për të dëshmuar me një vepër konkrete se ti nuk ishe ashtu si të njihnim në mendimet dhe shkrimet e tua, por dikush krejt tjetër. Paskëshe qenë katërcipërisht ky i sotmi, një antisocialist apo, më saktë, një antikomunist i lindur. Por, për fat të keq, harron se kryeveprat e tua janë të frymëzuara dhe i janë kushtuar një epoke që ti e përbalt dhe e mohon. Sinqerisht që është e vështirë t'i karakterizosh të gjitha këto me një emër të vetëm” (Citohet sipas: Nasho Jorgaqi. “Letër Ismail Kadaresë. E kaluara as shitet, as blihet”. Faqja e internetit “Voal”. 20 korrik 2014).

Reagimi i Profesor Nasho Jorgaqitmë solli përsëri në kujtesë esenë mjaft interesante të Profesorit Anton Nikë Berisha, me titull “Sa Ismail Kadare janë brenda Ismail Kadaresë?!”, të botuar në faqen e internetit “Syri” të datës 29 korrik 2019.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat