Poeti Gjergj Fishta, me të vërtetë atë…

Kultura

Poeti Gjergj Fishta, me të vërtetë atë…

Nga: Visar Zhiti Më: 30 dhjetor 2020 Në ora: 16:32
Gjergj Fishta

Kur themi Atë Gjergj Fishta, janë bashkë e të pandara emri i Poetit me fjalën parake, të lashtë sa vetë shqipja, “Atë”/ baba, që tashmë kanë marrë kuptimin më madhor, forcën shpirtërore dhe sigurinë e Fjalës të Patriarkut të letrave shqipe, që i ngriti në lartësitë botërore të eposit, duke u bërë sa ndërgjegje, po aq dhe kushtrim i shqiptarizmës në shekullin XX, në fillimet e të cilit ribëhej shteti shqiptar, pas një pushtimi mbi 4 shekullor dhe copëtimeve të rënda të trojeve.

At’ Gergj Fishta duhej të tejkalonte dhe tri vdekjet e veta, atë të pas kalimit në amëshim, vrasjen e Emrit dhe të Veprës dhe të Varrit. Edhe vdekjen donin t’ia vrisnin, por Ai mori pavdekësinë.

të thosha që u ringjall, por Ai ishte gjallë gjithmonë, djalli, armiqtë e Shqipërisë, kundërshtarët, s’e mposhtën dot. Mbetet triumfator. Me një lloj misteri përtej kritikës dhe harrimeve të qëllimta. At’ Gjergj Fishtës i ra barra të mbartte amanetet e kombit, kumtet e maleve tona si të mbetura në gojë shpellash, buzëve të plagëve të shekujve, duke u bërë dhe vetë zë i madh, me fuqitë hyjnore të Mujsit dhe të Halyllit (kupto: Muji dhe Halili). Mbarti kryqin e Krishtit dhe priu me gjuhën e popullit të tij kujtesën dhe ndërgjegjet.

At’ Gjergj Fishta u bë dhe vetë një legjendë moderne, ndërkohë ishte Poeti i gjallë, biblik, plot dije dhe urti, por që shungëllonte shqip si orteqet e maleve tona, onomatopeik dimrash e betejash e i lumenjve të gjakut. Akademik roman ndërkohë, që befas kthehej në lirik, me një romantizëm po aq dhe europian, Edhe dramaturg, prozator, mendimtar, kritik letrar, etj. Gjithmonë me një si zëmërim perëndish, që nga dashuria kristiane, si poet e kthen në satirë dashamirësë, ishte satiristi më i mirë në Ballkanin e kohës së tij, por që kumbon dhe sot aktual. Disa nga shpotitë e tij ngjajnë të porsa shkruara për ata që i kemi përreth dhe në krye

Átë Gjergj Fishta është veprimtari i lartë Kombëtar, patrioti i flaktë, deputeti në atdhe, opozitar dhe diplomati nëpër botë i çështjes shqiptare. Dhe nën pushtuesin, aspak bashkëpunëtor me të në dëm të vendit të tij, ai bëri politikanin e atdheut. Prift dhe poet. Me kryqin dhe Fjalën. I dekoruar dhe nga armiqtë për paqen që sillte. Ka të dhëna se është propozuar për çmimin “Nobel nga amerikanët.

At’ Gjergj Fishta është një fenomen në kuptimin metaforik, por dhe të zakonshëm, Ai u bë shumë i njohur qysh në gjallje, por dhe pas vdekjes, jo vetëm të tij, kur Shqipëria ishte në perandorinë komuniste, me diktaturën më të keqe të saj, ashtu varrprishur, me eshtrat e hedhur me një thes djalli në lumin Drin, Ai prapë gjallonte. Enciklopedia ruse dhe sllavët e Jugut e shikonin si rrezik dhe kundërshtar pasionant, por Ai ishte kundër shovinistëve sllave dhe kujdo, Europë qoftë, nëse ishin kundër atdheut të tij. Dhe At’ Gjergj Fishta vinte mistershëm. Më shumë se nga nëntoka, vinte nga Qielli, i vetëtimtë, me dritë të beftë, i pazhdukshëm ashtu si besimi, si me porosi nga Zoti.

sjell shembuj të thjeshtë, por me domethënie, sipas meje. Në festivalet folklorike, që bëheshin nën diktaturë, malësorët me lahutë këndonin me vargje të At’ Gjergj Fishtës, regjimi s’kuptonte gjë, se ato ishin bërë popullore, anonime. Poeti ia kishte kthyer borxhin popullit të vet duke arritur kështu atë që pak poetë e arrijnë në botë. Kur po binte diktatura dhe njerëzit guxonin të iknin, të takoshin, të shihnin Shqipërinë Jugë e Veri, për t’ju bashkuar protestave, kudo që bëheshin, në Shkodër, Tiranë, Kavajë, Lushnjë, Vlorë, Korçë, etj, në njërin nga autobuzët dikush kishte nisur të recitojë diçka nga “Lahuta e Malcis” e Atë Gjergj Fishtës, befas ndal, ndoshta pa diçka nga dritarja apo po mendonte gjë tjetër, por menjëherë të tjerët në autobus do ta vazhdonin recitimin, dukej sikur u krijua kori antik, njëri thoshte një varg, tjetri vargun tjetër… kështu kishte ndodhur gjithmonë me Atë Gjergj Fishtën nëpër popull, në teatër, në pllaja, në kuvende burrash, por dhe në burg.

Vepra e At Gjergj Fishtës është pjesë e Vargmaleve të Shqipërisë. Së bashku me pararendësin e tij, Naim Frashërin, që ai e adhuronte, të dy së bashku ata sikur bëjnë dy kokat e shqiponjës në Flamurin tonë.

* * *

bënë 80 vjet, që nga 30 nëntori i viti 1940, kur Atë Gjergj Fishta mbylli sytë përgjithmonë dhe mori udhën qiellore të amëshimit. Në tokë, me baltën që u hodh mbi të, u bënë statuja të tij. Më së fundi u ribë shtëpia e tij e lindjes në Fshatin Fishtë, e rrënuar si vetë kujtesa dhe ndërgjegjia jonë, u kthye në muze. Ai nuk është thjeshtë vlerë muzeale, por frymë Kombëtare. Shtëpia e Atë Gjergj Fishtës është në shpirtin e çdo shqiptari. Besoj se Presidenca, Shteti, Parlamenti, këtë vit e kishin shpalur si Viti Atë Gjergj Fishtës, s’e di a kështu dëshiroj të ketë qenë, dhe akademitë, bibliotekat, ajo e Françeskanëve së pari në Shkodër, botuesit, media, shoqatat, grupet etj, e kanë përkujtuar me botime e konferenca, manifestime e homazhe. Kritika letrare, studiuesit, shkrimtarët, poetët, sidomos të rinjtë, personalitetet e larta të venditi e kanë thënë fjalën e tyre siç dhe do të thonë. Kështu besoj… Ndërkaq, e di, më shumë është thënë dikur, nga më të shquarit e Kombit, nga personalitete të huaja, përkthyesit e tij në gjermanisht, italisht, anglisht, etj, etj. Gurra fishtiane nuk shterr, Unë dhashë emocionin tim sot, pa asnjë pretendim, thjeshtë fola. Ardhurimin ndaj Atë Gjergj Fishtës e kemi dhe të trashëguar, nga etërit. Babi im, që kur isha fëmijë, e kutoj që na recitonte vargje nga Naimi dhe nga Fishta, atëhere kur Ai ishte i ndaluar. Ja, pos jell një strofë nga poemat e tij botuar postume. Piktori Guljelm Mosi, i frymëzuar, kompozia dhe një tablo, im atë në takimin me Atë Gjergj Fishtën. Edhe unë kam shkruar poezi për Fishtën dhe në burg, edhe më pas, edhe në gegnisht. Të rinj dhe studentë sot e studiojnë, mbrojnë diplomat me tema për të. Kështu besoj. Dhe desha të thosha, që megjithatë, edhe kur nuk e dëgjojmë, zemra e At’ Gjergj Fishtës rreh mistershëm si zemër e popullit.

POEZITË TONA PËR POETIN

HEKURAN ZHITI

(Është quajtur dhe “Gjergj Fishta i Toskërisë” për poemat e tij dhe satirën..

Një strofë nga libri “Kryengritje shqiptare në parajsë”, shkruar në vitet 1943-44, vënë në skenë në ato vite, së pari në Berat, ku jetonte autori...):

GJERGJ FISHTA

(del nga një altar mermeri)

“Edhe hana do ta dije, edhe dielli do t’ket pa,

Se përqark kësaj rrokullie si Shqipnia’i vend nuk ka!

……….…………………………..

Atje lejnë, po, Toskë e Gegë, /si dy rreze n’flakë, t’një dielli:

Si dy rrufe që shkojnë tue djegë,/kur shkrep reja nalt prej qielli.”

………………………………………….

Jehona e Fishtës

Zani m’dridhet nga dashnia,

kryqat n’vorret tona.

Po s’u ba paradis Shqipnia,

nga Qielli do zbresin me jehona…

VISAR ZHITI

(Nga libri me poezitë e burgut “Hedh një kafkë te këmbët tuaja”)

DY VARRE PESËQIND VJET LARG NJËRI-TJETRIT

Përsëri erdhën nga larg, nga shkretëtirat. Kaluan

malin e fundit. Panë detin e madh, të huaj.

Si llahtarí të kaltër, harbonjëse shtynte dallgët,

si gjokset lakuriqe të grave të haremeve. Ja çadra

e tyre si trëndafil mes mijëra çadrave ushtarake, mes topave dhe kuajve nën rrapëllimën e daulleve dhe kazanëve, nën emblemat absurde. Pluhur i para

pesëqind vjetëve. Atje poshtë ishte qyteti i vogël, i pushtuar. Kisha dhe varri i Gjergj Kastriotit, i xhindit, që xhindosi Sovranin e madh. Do të suleshin ata, gjithmonë ata, të njëjtët ata, do të shkulnin pllakën e rëndë të varrit, do të nxirrnin eshtrat e heroit si eshtrat e vetë kombit. Pastaj

do t’i thyenin, copa-copa, eshtrat me baltë, të gjata

sa shpatat. Do të thyenin kafkën si kubenë e qiellit.

Të çmendur dhe makabër. Nga një copë kockë si hajmali

do të varnin në qafë ushtarët për të pasur fat

nëpër betejat si armiku i tyre i madh. Pesëqind vjet më parë, kur dhe varret tani janë varrosur në harresë. Ra nata. Nata e kombit. Me heroizma si me gërmadha, pa skelete heronjsh.Nata me britma robërish që digjeshin si pishtarë. Pesëqind vjet natë ballkanike. Frutat e pemëve ashtu si buka s’kishin shije. Rrënjët thithnin gjak të turbullt,

të përzier. Nëpër tokë kalbeshin trupa barbarësh dhe

dezertorësh, bejtexhinjsh dhe devesh, spiunësh

e kuzhinierësh të paqes më të kuqe se lufta. Njeriu

binte e malet bëheshin më të lartë nga kufomat.

Malet u mbushën me partizanët e luftës më të fundit të

botës, plot si me pyje. Gërmadhë u bë mishi

i historisë dhe ne kujtuam se erdhën ditë të reja.

Besuam tek urat. Besuam që deti u bë e dashura

e të gjithëve si liria. Kështu thoshin këngët. Pastaj, ah, pastaj kur u hap tymi i betejave, nëpër pellgje pamë pasqyrimin e sundimtarëve të ikur, të sundimtarëve tanë

që na udhëhoqën, u përzjehej pasqyrimi nëpër pellgje,

binin si pluhuri i pushtuesve të para pesëqind viteve.

Na merreshin mendtë si këmbët. Dhe u sulëm ne, vetë ne,

jo pushtuesit, te kishat tona. Thyem kryqin e

megjithatë nuk shpëtuam dot nga udhëkryqi ynë. Në një tjetër kishë gjetëm skeletin e Gjergjit... jo, jo të Kastriotit...

të Gjergj Fishtës, më të madhit rapsod të shekullit njëzet,

e fundmja lahutë e botës. Në zjarr i kishim hedhur librat

e tij. O Zot! Jo, jo, nuk do t’ju them që pushtuesit anadollakë na vodhën skeletin e kryetrimit dhe ne, vetë ne,

me duart tona, ditën me diell, humbëm skeletin e poetit,

(s’ua ndamë letrarëve të rinj si copa hajmalish

kockat e tij), e hodhëm në lumë. Në lumin që vinte

nga sllavët. Me brinjët e poetit mund të bëhen lira të bukura.

Spaç, 14 janar 1983

(Është botuar dhe në numrin e parë të revistës “Hylli i Dritës”, kur nisi të ridalë pas rënies së diltaturës... është përkthyer dhe italisht nga poetja arbëreshe Cate Zuccaro dhe është lexuar dhe në kishën San Atanasio në Romë, etj, )

SHKODËR, (RI)VARRIMI I GJERGJ FISHTËS

(Nga libri me poezi “Thesaret e frikës)

N’varrin e shembun dhe t’harruem u gjetën

copra kocash, mbetun nga mëkati i pakalbun.

Çka mund t’bahet me to, o At’, veçse skeleti i dorës,

që mbi dhė ka shkrue eposin e vdekun të t’gjallëve

e nan dhė eposin e gjallë të t’vdekunve? Baj kryq

dhe dora m’zhvishet, bien mishi, m’bahet skelet

si dora jote e kombit. E mbushim me zanin tand si

shpatën me millin. Se e gdhendëm drunin e fatit tonë.

Ranë bujashka fjalësh n’varrin që s’do të vdesi ma.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat