Edgar Allan Poe, një jetë e trishtuar

Kultura

Edgar Allan Poe, një jetë e trishtuar

Më: 6 janar 2021 Në ora: 22:36
Edgar Allan Poe

“Leximi i një libri me tregime nga Edgar Poe kërkon vullnetin e lexuesit për ta pranuar të tmerrshmen dhe të mrekullueshmen ta ngjethë dhe që edhe në kohë të nxehtë t’i kujtojë se dimri nuk pyet për kufij stinësh”. – Charles Baudelaire  

Poe është shkrimtar dhe poet amerikan, ndër më të njohurit dhe më të përkthyerit. I famshëm për poezinë e tij të zezë, të rrethuar nga mjerimi dhe misteri, quhet poeti që krijoi letërsinë kriminalistike dhe atë fantastike-shkencore. Poe ishte i pari shkrimtar i njohur amerikan, i cili provoi të fitonte jetesën vetëm nëpërmjet shkrimeve të tij, gjë që i solli një jetë dhe një karrierë me shumë vështirësi financiare. Cilësohet si një tragjedi e gjallë. Jeta e tij ishte shtrëngatë e ngjarjeve të pafata, të cilat frymëzuan edhe disa nga shkrimet e tij më gotike, romantike e të errëta.

Trishtimet më të mëdha të tij janë:

– Jetim: I lindur në vitin 1809, ishte fëmija i dytë i aktorëve Eliza dhe David Poe. Në vitin 1810, babai i tij braktis familjen. Në vitin 1811, mamaja vdes nga tuberkulozi i mushkërive, duke e lënë jetim. Ky do të jetë fillimi i jetës së tij mizore.

– I papërkrahur: Teksa Poe jetonte në familjen birësuese Allan, patriarku John Allan, një tregtar skocez, e nënvlerësonte në të gjitha mënyrat emocionale dhe financiare. Ai madje nuk u adoptua kurrë legalisht. Në kohën kur Poe shkonte në shkollë, babai i tij birësues nuk i dha kurrë para të mjaftueshme apo mbështetje dhe shumë shpejt Edgari u detyrua të niste kumarin. Edhe pse John Allan kishte trashëguar para të shumta nga xhaxhai i tij, paratë që i çonte Poesë për veshje ishin të shënuara si borxh. Pavarësisht të gjitha përpjekjeve të Poesë, ai mori rrugën për t’u bërë shkrimtar i uritur.

– E dashura e parë martohet me një tjetër: Përpara se Poe të shkonte në shkollë, ai u lidh me një vajzë të quajtur Sarah Royster, por kur ai u largua për në Universitetin e Virxhinias, vajza, e detyruar nga babai i saj i cili i shkatërroi të gjitha letrat e Poesë, u martua me një të pasur. Ata dukeshin të lumtur dhe kishin dy fëmijë, por në vitin 1844 bashkëshorti i saj vdes, duke i lënë familjes një pasuri prej 100 mijë dollarësh me kushtin që gruaja të mos rimartohej.

– Nëna birësuese vdes: Gjatë kohës kur babai birësues nuk i kthente asnjë nga letrat që Poe i shkruante, Franceska, nëna birësuese e tij, u sëmur dhe vdiq në vitin 1829. Shkrimtari nuk u lajmërua për këtë fakt dhe as për varrimin. Vdekjen e saj ai e mori vesh rastësisht kur shkoi për vizitë.

– I mohuar: John Allan u martua përsëri dhe vazhdoi jetën e tij, duke e shpërfillur plotësisht Poenë. Kur gruaja e tij zbuloi se Allan kishte fëmijë jashtëmartesor, ajo kërkoni që Johni ta mohonte djalin. Kështu ndodhi: e gjithë trashëgimia e tij i kaloi fëmijëve të ligjshëm, ku Poe nuk bënte pjesë, pasi nuk ishte birësuar kurrë.

– Vëllai i vdes nga alkooli: Pasi Poe u mohua nga familja e tij e dytë, ai u përpoq të lidhej me të afërmit e tij të familjes biologjike dhe me vëllain e tij Henry. Ky i fundit, për fat të keq, kishte vdekur nga problemet me alkoolin. Alkooli ishte një shqetësim dhe i Poesë, prej të cilit kishte humbur shumë shpesh punën.

– Gruaja e parë i vdes nga tuberkulozi: Gjatë kohës kur ai u kthye tek të afërmit, dashurohet pas Virginias, kushërirës së tij 13-vjeçare. Ata u martuan në mënyrë të fshehtë në Baltimor, duke gënjyer për moshën e vajzës. Poe atë kohë ishte 26 vjeç dhe ceremoninë e dasmës e bën pasi shkrimtari arriti të siguronte disa para nga shkrimet e tij. Fatkeqësisht, teksa një ditë Virginia këndonte dhe luante piano, zbuloi se kishte tuberkuloz. Vdiq kohë më pas, duke e lënë Poenë e dëshpëruar.

– Romanca të dështuara: Pas humbjes së Virginias, Poe ndihej bosh dhe këtë boshllëk vendosi ta mbushte me alkool dhe femra të tjera. U fejua me poeten Sarah Whitman, fejesë që u prish prej teprimit me alkoolin nga ana e Poesë. Pas kësaj ai i hodhi sytë nga e dashura e tij e shkollës së mesme, me të cilën u fejua, por nuk arriti të martohej, pasi jeta e tij u shua.

– Një vdekje mizore: Arsyeja e vdekjes së tij nuk dihet, por ka ndikuar alkooli, kolera, droga, sëmundjet e zemrës, epilepsia, tuberkulozi dhe faktorë të tjerë. Ai u gjet në rrugët e Baltimorit i çmendur dhe i veshur keq. Një kalimtar e dërgoi në spital, ku edhe vdiq. Fjalët e tij të fundit thuhet se kanë qenë: “Zot, ndihmoje shpirtin tim të varfër!”

– I poshtëruar nga rivali i tij në letërsi: Sikur të mos mjaftonte jeta e vuajtur dhe vdekja mizore e Poesë, rivali i tij në letërsi vazhdoi ta poshtëronte edhe pas vdekjes, për shkak se Poe kishte shkruar disa kritika të ashpra për të. Rivali Rufus Grisuord shkroi nekrologjinë dhe biografinë e parë të Poesë, të cilat i mbushi me gënjeshtra dhe poshtërime. Ai e quajti atë një pijanec, të droguar, feminist dhe njeri të pamoralshëm i cili nuk kishte asnjë mik. Biografia e ashpër që rivali i bëri atij, rezultoi se kishte dhe anën e saj pozitive, pasi veprat e Poesë filluan të shiteshin dhe të lexoheshin më shumë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat