Fahrije Hoti: Filmi “Zgjoi” m’i riktheu vuajtjet e para 20 vjetëve

Kultura

Fahrije Hoti: Filmi “Zgjoi” m’i riktheu vuajtjet e para 20 vjetëve

Më: 18 shkurt 2021 Në ora: 06:28
Filmi "Zgjoi"

Fahrije Hoti nga Krusha e Madhe e Rahovecit është personazhi kryesor (i luajtur nga aktorja Yllka Gashi) në filmin “Zgjoi” të regjisores Blerta Basholli që fitoi tre çmime kryesore në Festivalin e Filmit “Sundance Festival”.

Në këtë film bëhet fjalë për vuajtjet dhe sakrificat e grave që humbën më të dashurit e tyre. Por, që dhimbjen e kthyen në forcë dhe vazhduan përpara.

Hoti, në një intervistë për Edicionin Special, tha se është e hidhëruar me shtetin e Kosovës se nuk ka bërë aq sa duhet në ndriçimin e fatit të të pagjeturve gjatë luftës.

“Sot kemi festë. Kemi 13 vjet që jemi bërë shtet. Ndoshta shteti më i ri. Fatkeqësisht dihet historia e grave të Krushës e ndoshta edhe krejt Kosovës. Dhe kjo histori më prek edhe mua. Ndoshta nuk është gjithmonë barra ndaj shtetit, por në rast se ne e japim vetë kontributin tonë duhet çdo njeri të japë kontributin e vet në vendin e vet”.

“Sa i përket pyetjes se sa na u është gjendur shteti? Nuk mund të them se asnjëherë. Ka pasur raste të veçanta që e kemi pasur përkrahjen edhe të shtetit, por ndoshta jo aq sa duhet. Duke marrë parasysh se jemi shtet i ri, kemi veç 22 vjet që kemi dalë nga lufta, ka qenë e vështirë të fillosh jetën nga fillimi”.

“Ajo çka më hidhëron është fati i personave të pagjetur Tash e 22 vjet Krushës i mungojnë edhe 64 persona, në mesin e tyre edhe burri im. Akoma nga shteti familjarëve të personave të pagjetur nuk na njihet statusi si familjarë të personave të pagjetur”.

Ajo ka theksuar se në Kosovë ka përparim në disa fusha, por që duhet të punohet edhe më shumë.

“Në korniza të gjata unë nuk e shoh Kosovën edhe shumë keq. Ka përparim, por jo aq sa duhet. Duhet të punojmë edhe më shumë për të vlerësuar dhe ditur vendin tonë. Ndoshta me kohë përmirësohemi”.

Ajo foli edhe për filmin që dokumentoi vuajtjet dhe tragjedinë që iu ndodhi grave të Krushës dhe në përgjithësi edhe të Kosovës.

“Është fakt që një film në tragjedi të vërtetë personazh kryesor i së cilës kam qenë unë. Kemi punuar gjatë në këtë film. Që 10 vjet. Por, unë nuk e kam menduar se tragjedia që më ka ndodhur mua dhe grave të Krushës dhe Kosovës do të dokumentohet 20 vjet pas luftës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për ta parë bota që në Kosovë ka pasur me të vërtetë luftë. Që gratë edhe përkundër vuajtjeve dhe sakrificave e kanë marrë veten dalëngadalë”.

Fahrije Hoti tha se filmi “Zgjoi” i riktheu vuajtjet që ajo i kishte përjetuar para 20 vjetëve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat