Premiera e monodramës “Vetëharrimi”

Kultura

Premiera e monodramës “Vetëharrimi”

Nga: Skënder Zogaj Më: 6 prill 2021 Në ora: 12:47
Premiera e monodramës "Vetëharrimi"

Të gjitha luftat janë tragjike, mirēpo disa e kanë dimensionin e tragjikës më të veçantë, sepse janë manifeste të egërsisë shtazarake që disa specie njerëzore e kanë përbrenda vetes!

Të këtilla fëlliqësira të janë treguar serbët në luftën e fundit në Kosovë, që nuk ishte luftë por plojë, rrfi e zezë që nuk duhet të harrohet kurrën e kurrës! Kjo është porosia e monodramës "Vetëharrimi" e autorit Besim Rexhaj, i cili me zellin e një intelektuali dhe krjuesi të dëshmuar, iu ka rrekur trajtinit të makthit të zjarrtë të zemrës së gruas shqiptare, për t'ia shestuar kujtimet e shkrumta të vuajtjeve drakonike nga lufta, të cilat janë të rëndësishme për krijimtarinë artistike, jo vetëm për respektin ndaj sakrificës së gruas shqiptare, por edhe për hirë të fisnikërisë kombëtare që brezat e ardhshëm duhet ta ruajnë gjithmonë të pastër!

Ky, besoj unë, është i motivi kryesor që autori Rexhaj me përkushtim iu ka rrekur zbërthimit të gamës së ndjenjave të ankthit brenda zemrës së gruas së viktimizuar gjatë luftës, që edhe 20-vjet pas luftës lufton e vetme me vetveten e saj, duke e kërkuar ngushëllimin e munguar, që mbase është i pa arritshëm për shkak të ekstremit të vuajtjeve dhe sakrificave të jashtëzakonshme.

Nga teksti i interpretuar në skenë themi se Fadil Hysaj ka pasur nē duar një monodramë cilësore në sensin e qëllimit dramaturgjik, që i ka shërby mirë për lojë të bukur skenike, përkatëse me standardin e profesionalizmit të regjisë, skenografisë dhe kostume të mjeshtrit Fadil Hysajt, e njëherit edhe për kualitetet e larta interpretative të aktores së madhe Sheqerie Buçaj.

Pa dashur të paragjykojmë vlerat e veprave teatrore tē realizuara viteve të fundit, e veçojmë dhe e çmojmë posaçërisht premierën e monodramës "Vetëharrimi" që u dha në Teatrin "Dodona" dhe që pasqyroi pjesën e realitetit tonë më të trishtueshëm, fatkeqësinë e grave të dhunuara gjatë luftës, të cilat kanë mbetur në pengun e moszbardhjes së vuajtjes së tyre, prandaj edhe 20 vjet pas mbarimit të luftës ato jetojnë të helmuara!!

Njëra nga më shumë se 20 mijë femrat e viktimizuara, është personazhi i monodramës së Rexhajt: femra që në gjendje të dëshpërimit vazhdimisht jeton me klithmën e mbytjes: "oooo brenda meje e kanë vra gruan, nënën, bashkëshorten!" Ky është kumti i zi, që e deklaron me përjetim të thellë skenik, ashtu siç di ta bëjë vetëm një artiste e vërtetë e klalibrit të Sheqerie Buçajt, e cila më zërin e saj ngjethi mishtë e publikut, dhe pastaj ua theku edhe zemrat me dhimbjen mizore në shpirtin e nënë që kujton zërin e vajzës që e thërret, por nëna është e paqenë, në askund, një kufomë e gjallë të cilën as vdekja nuk e dëshiron!

Komponentë shumë shumë e rëndësishme e shfaqjes është edhe skenografia, që Fadil Hysaj ia ka përshtatur konceptit regjisorial, duke krijuar njē ambient shumë funksional skenografik, që arrihet me aplikimin e dizajnit të dritareve të Skënder Latifit, që janë gjetje shumë fine për lojën skenike të aktores Sheqerie Buçaj, e cila i zotëron me ekselencë dritaret dhe shpreh thellësinë e grrahmëve komplekse të personazhit letrar. Spektri i lojës dhe gjendja emocionale arrijnë në katarsis sidomos kur bashkëbisedon me hijen e vet të performuar në çelo nga Gresa Broqi, që e ravijëzon traumën e personazhit si shkas artistik dhe si realitet jetēsor, që kombinohen dhe kuptimësohen në persiatjet fluide të vetvetes së viktimizuar, që nuk e ka të qartë: "prej nga gjithë ky mallëkim?...për çfarë faji?..." prandaj në kulmin e dëshpërimit e të dëshirës për të vdekur, mllefshëm e rrëmben harkun dhe u sulet dhunshëm telave të çelos, që lëshojnë tinguj trishtimi të ngjajshëm me zërin e vajzave që e thërrasin për ndihmë!

Domosdo, dëshira për të vdekur është e para që i shfaqet, mirëpo, hidhet në çast nga absurditeti i vulës së turpit qē pameritueshëm iu ka ngarkuar mbi supe. E kupton se nuk duhet të vdes, por duhet të jetoj dhe të qëndrojë për të marrun hak! Kjo kthesë i jep kurorëzim tē fuqishëm përfundimit të dramës së gruas së dhunuar, e cila ngeh zërin e qëndresës: "Do të flas! Oooo, do të flas! Do të flas...,që gishti i turpit të bie mbi ta...! Do të flas për zërin e grave, nënave, bashkëshorteve që thërrasin nga thellësia e varreve! Do të flas për të treguar dorën e tmerrshme tē krimit..."

Monodrama "Vetëharrimi" e autorit Besim Rexhaj me regji të Fadil Hysajt, pos që sjellë një arritje të re suksesi në krijimtarinë tonë teatrore, është edhe kontribut shumë i vlershëm për sensibilizimin e publikut ndaj problemit më të ndjeshëm aktualisht në Kosovë, që ka të bëjë me dhunimet e mbi 20 mijë femrave gjatë luftës, e që janë mbajtur të heshtura, pa asnjë arsye dhe shumë dëmshëm, sepse grave të dhunuara, padrejtësisht u është ngarkuar hipoteka e turpit.

Monodrama "Vetëharrimi" shfaqet si thirrje e fuqishme e denoncimit të krimit. Prandaj, besoj që kjo shfaqje do të jetë pjesë integrale e të gjitha veprimtarive që i kushtohen sakrificës së grave dhe rehabilitimit të tyre, që është obligim institucional dhe moral gjithëkombëtar! Sheqerie Buçaj në monodramën "Vetëharrimi".

Image
Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat