Letër shkrimtarit të shquar Ismail Kadare

Kultura

Letër shkrimtarit të shquar Ismail Kadare

Nga: Thanas L. Gjika. Më: 16 prill 2021 Në ora: 23:18
Thanas L. Gjika.

I dashur Ismail,

u gëzova që ju pashë në foto bashkë me Zonjën Helena te gazeta Panorama, dt. 12-14 prill, ku ishte botuat dhe shkrimi kushtuar takimit tuaj me gjimnazistët e Vlorës.

Mendova se ky takim në moshën që jeni ju do të kishte si bosht transmetimin e ndonjë mësimi për të ardhmen e të rinjve, si dënimin e krimeve të komunizmit dhe kërkimin e të faluri për gabimet që keni bërë në jetën dhe veprat tuaja të kohës së diktaturës komuniste.

Mendova kështu sepse ju para disa vjetësh u shprehët në shtyp se duhen dënuar krimet e komunizmit dhe se në fillim të viteve 1990-të në skicën “Prometeu” shtuat pjesën “Prometeu i pajtuar” të cilën unë si lexues dhe studjues e përshëndeta si kërkim të faluri nga ana juaj që dikur ishit pajtuar me diktatorin e i shërbyet. Mirëpo pasi e lexova këtë shkrim ndjeva një mërzitje të thellë. Ndjeva mërzitje të thellë sepse ju gjatë asaj bisede nuk shprehët asnjë vrarje ndërgjegjeje për faktin se në veprën tuaj të kohës së diktaturës nuk u keni dalë në mbrojtje të dënuarve të ndërgjegjes, si Musine Kokalari, Lek Pervizi, Trifon Xhagjika, Visar Zhiti, Jozef Radi, Lekë Tasi, Havzi Nelaj, etj.

Takimi juaj u organizua në Vlorë dy javë para zgjedhjeve dhe dëgjuesit tuaj do të votojnë për herë të parë më 25 prill. Ju si një personalitet i shquar, mendova se do t'i këshillonit dëgjuesit që të votonin kandidatë të ndershëm që nuk janë përlyer me korrupsion, me krime e shitje droge. Mirëpo kalimi në heshtje i këtij problemi në Vlorë ku kandidojnë disa kuadro të vjetër të Partisë Socialiste të njohur për krime dhe shërbime ndaj diktaturës komuniste dhe planit Katovica, tregoi se ju shkuat atje në shërbim të fushatës së P.S-së.

Ma do zemra, që ju të mos largoheni nga kjo jetë si Dritëro Agolli, pa shkuar në Librazhd për të vënë një tufë me lule mbi memorialin kushtuar poetëve Genc Leka dhe Vilson Blloshmi të pushkatuar prej diktaturës për disa poezi dhe pa thënë atje dy fjale. Kjo vizitë do të jetë mësimdhënëse dhe fjalët që do të thoni për kërkim të faluri, do të mbeten historike.

Një vizitë e tillë do të shërbejë si kapak floriri për jetën suaj.

Me respekt,

Thanas L. Gjika.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat