Kujtime nga fëmijëria - Vizita

Kultura

Kujtime nga fëmijëria - Vizita

Nga: Dibran Demaku Më: 7 maj 2021 Në ora: 00:49
Dibran Demaku

Nuk di në ishte pranverë,verë apo vjeshte.Di vetëm se ishte viti 1967.Gjithandej u dha lajmi se më i madhi i vendit do t‘i bënte vizitë Kosovës.Filluan përgaditjen për pritjen e tij.

Mësuesit në shkollë na thanë se ne nxënësit(ata që thuhej se ishin më të mirë në mësime)do të duhej të mësonim përmendësh vjersha të shkruara për më të madhin e vendit dhe t‘i recitonim para tij në momentin që treni do të ndalonte në stacionin më të afërm dhe ai do të na përshëndeste.Ato ditë të pritjes së madhe flitej vetëm për të dhe thuhej se ai,pra më i madhi i vendit na donte shumë dhe kishte vendosë që të na vizitonte.Thuhej gjithashtu se edhe ne duhej ta prisnim si është më së miri,në mënyrë që dashurinë e madhe që kishte ai për ne, të ia kthenim edhe ne me dashuri.Kështu na thonin për çdo ditë mësuesit në shkollë,ndërkaq në shtëpitë tona jeta rridhte si edhe më parë pa asnjë ndryshim.

Kishin mbetur vetëm edhe pak ditë kur më i madhi i vendit do të vinte tek ne kur ndryshoi gjithçka në jetën tonë.Rreth hekurudhës nga thuhej se do të kalonte treni me më të madhin e vendit u vendosën qindra ushtarë të armatosur. Të gjitha rrugët që kalonin rreth hekurudhës dhe ato që kalonin mbi të u mbyllën.Askush nuk mund të kalonte nëpër ato rrugë.Ushtarët nuk linin asnjë njëri të gjallë të kalonte andej e këtej hekurudhës.Fshatarët niseshin të shkonin për të bluar në mulli dhe ktheheshin pa bluar drithin;bujqit niseshin të shkonin të punonin në arat e tyre dhe ktheheshin pa punuar asgjë sepse ushtarët i kthenin mbrapsht. Të gjithë të rriturit ishin disi të hutuar dhe të indinjuar për çfarë po ndodhte.Të vetmit që i gëzoheshim ditës kur do të vinte më i madhi i vendit ishim ne fëmijët,sepse atë ditë do të vishnim rrobat më të mira(ata që i kishin,ndërkaq ata që nuk kishin të tjera do të vinin me ato që i vishnin përditë).

Në ditën e caktuar ne nxënësit e shkollës tonë të renditur si reparte ushtarake me mësuesit dhe drejtorin në ballë ia mësymë vendit ku ishte stacionini trenit,nga do të kalonte treni me më të madhin e vendit.Meqë vendi ku duhej të arrinim ishte një orë larg,ne i bëmë dy orë e më shumë rrugëtim,në rrjesht dy nga dy dhe duke kënduar.

Kur arritëm në vendin e caktuar,ishim pothuajse të fundit,sepse nxënësit dhe mësuesit e shkollave të tjera kishin arritur para nesh,sepse shkollat e tyre ishin më afër.

Pritëm e pritëm dhe treni nuk po vinte.Dikur na mori uria dhe kërkuam nga mësuesit që të hanim bukën që kishim me vete.Pothuajse që të gjithë kishim vetëm nga një copë bukë e pak djath(ishim të varfër,të varfër të këputur).

Duke ngrën atë bukë që kishim dikujtë nga nxënësit më të rritur do t‘i shkonte në mendje një pyetje dhe ai me zë të lartë do të shqptonte:-Athua ky më i madhi i vendit,që po e presim tash sa orë,me çfarë e ha bukën?!

Ne të tjerët si në kor,sikur të ishim marrë vesh që më parë ia kthyem njëzëri:-ai,më i madhi e ha bukën me sheqer!-dhe ne nxënësit shpërthyem në një buzëqeshje të qiltër fëmijërore.Së bashku me ne qeshën edhe disa mësuesë të tjerë deri në momentin kur disa nga kolegët e tyre së bashku me drejtorin i panë shtrembër dhe atyre u ngeli e qeshura përgjysmë.

Nuk dihej se sa orë pritëm trenin,por ai nuk erdhi!Para se të nisnim kthimin drejtori na tha se treni me më të madhin e vendit nuk erdhi dot,sepse diku në hekurudhë qenka shtrembëruar njëri nga shinat.Më i madhi i vendit paska marrë rrugêtim tjetër,jo nëpër hekurudhë dhe me tren,por me automobil nëpër rrugë automobilistike që ishte shumë larg nga ndodheshim ne...

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat