Feniksi i Çamërisë

Kultura

Feniksi i Çamërisë

Nga: Vullnet Mato Më: 21 shtator 2021 Në ora: 13:15
Rrustem Geci

Era e fortë e lirisë së këtij mileniumi,

ndezi në Hagë yllin e sinjalit të blertë:

Gjaku i martirëve të zgjohet nga gjumi,

Feniksi i Çamërisë ngrihet nga hiri i vet.

 

Psherëtinë thellë eshtrat ndër varre,

bubulluan kudo muret nën rrënoja,

oshtinë rënkimet dhjetëra vjeçare,

oxhaqeve me blozë, u erdhi goja...

Çelën lastarë trungjet e prerë të ullirit,

shpirtrat e nënave rindezën vatrat,

zërat e therur të foshnjave të gjirit,

shkundën pendët e Feniksit nga baltërat.

Osman Taka u ngrit për vallen e vjetër,

në dosjen e krimeve, fustanella me dritë,

kishte dyzet palë, të qepura në letër,

për të kërcyer i lirë, pa litar në grykë...

 

Bubulina bubulloi përmes reve të zeza,

Nga Gumenica në Filat e tej Paramithisë,

Lumi Kalana*, nisi deri tutje nga Preveza,

t’i këndojë me valë, këngën e trimërisë.

Gjin Bua Shpata e Mërkuri, heronj luftëtar,

pastruan shpatat nga millet e ndryshkur,

dhe filluar mbi gurët e Çamërisë së parë,

shekujve të shkuar t’u kruajnë myshkun.

 

Hasan Tahsini i madh e Marko Boçari,

grisën thëniet e rreme në faqet e historisë,

me prova shkencore dhe medaljone ari,

kërkuan emrin e vërtetë, bij të Çamërisë.

Haxhi Mehmet Dalani shkuli emrin, Mihal,

ndërruar në libër, nga Kazanzaqi romancier,

duke thirrur, sa tundi shkëmbinjtë në mal:

Emrin çam, brez pas brezi, e kam për nder!...

 

Dodona Pellazgjike u zgjua nga shekujt,

dhe gjëmoi me zërin shkëmbor të rëndë:

në tempullin e mermertë, urdhëroi dishepujt:

Bijtë e Çamërisë të kthehen në vatanin tënë!

Bilal Xhaferri shkroi vargun e ri në rrugë:

për të gjithë muhaxhirët, strehuar në Veri:

Erdhi koha të kthehemi përsëri në Jug,

Mirë se të gjejmë, o nëna jonë, Çamëri!.-

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat