Roman rrëqethës për luftën e fundit në Kosovë

Kultura

Roman rrëqethës për luftën e fundit në Kosovë

Nga: Ilir Muharremi Më: 8 tetor 2021 Në ora: 16:01
Roman rrëqethës për luftën e fundit në Kosovë

Imazhet reale të luftës, vaji i foshnjëve, klithma e nënave, lufta e pastër e UÇK-së dominon në romanin “Ti” të shkrimtarit Ilir Muharremi. Në vazhdim po ju sjellim një fragment prekës për luftën:

Shënjestrën e automatikut e mbaja të drejtuar në kokën e paramilitarit serb, doja ta shkrepja, shikoja komandantin, dora e tij prapë dha urdhër që asnjëri mos ta bëjë një gjë të tillë. Pyetja e paramilitarit ishte po e njëjta: “Ku është UÇK-ja? Është hera e fundit që po të pyes”. Automatiku drejtohej kah fëmijët, burri filloi të qante, po ashtu edhe gruaja.

“I ke dhjetë sekonda, dhjetë, nënëtë, tetë, shatëtë,gjashtë, pesë, katër, tre, dy dhe...” U dëgjua breshëria e automatikut. Plumbi i kishte përshkuar ballin vogëlushit, i cili ra përtokë afër këmbëve të nënës së tij. Burri qante, ponashtu edhe nëna e tij, ndërsa vajzat e traumatizuara shikonin dhe nuk dinin se si të vepronin.

Shikova komandantin, kurdisa automatikun, por komandanti prapë nuk dha urdhër. “Janë më shumë se ne, jemi pak në numër, dhe nëse i hyjmë luftës do të vdesin edhe ato vajzat, burri, gruaja, po ashtu, ndoshta edhe një pjesë e ushtarëve tonë.”, - tha me bindje komandanti. Sytë m’u mbushën me lotë. Tashmë dhimbja më kishte përshkuar të tërin dhe ishte hera e parë që pashë një fëmijë të vritej para syve të mi. Paramilitari nuk u ndal me kaq. Breshëria e plumbave pamëshirshëm goditi të gjithë, sidomos ëngjëjt e vegjël të cilët ranë përtokë, e shikimin e ngulitën kah unë, e në fytyrë iu ngri buzëqeshja e jetës...”

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat