Me rastin e 26 vjetorit të vdekjes së Korifeut të Pajtimit të Gjaqeve Prof. Anton Çetta

Kultura

Me rastin e 26 vjetorit të vdekjes së Korifeut të Pajtimit të Gjaqeve Prof. Anton Çetta

Nga: Prof. Dr. Musa Limani Më: 4 nëntor 2021 Në ora: 09:42
Prof. Anton Çetta

P ë r k u j t i m

Me rastin e 26 vjetorit të vdekjes së Korifeut të Pajtimit të Gjaqeve Prof. Anton Çetta dhe 29 vjetorit të përfundimit të kësaj Lëvizje Gjithëpopullore

Pajtimi i gjaqeve i lindur në pellgun e gjakut dhe i larë me lotë-Program politik i kombit shqiptar. Pajtimi i gjaqeve paraqet betimin tonë për vetën, testamentin për brezat e ardhshëm dhe kemi para vetës një monument-Programin Kombëtar Shqiptar, të cilin nuk e konceptoi ndonjë Akademi e Shkencave si koncept spekulativ të paarritshëm, por e konceptoi dhe e ushqeu me gjak populli liridashës, shqiptarët për shqiptarin.

Prof. Dr. Musa Limani, me rastin e promovimit të librit: Lëvizja Gjithëpopullore shqiptare për Faljen e Gjaqeve 1990-1992, autor Prof. Dr. Muhamet Pirraku, Prishtinë, 1998.

Anton Çetta u lind më 01.01.1920, në Gjakovë në një familje patriotike. Vdiq më 04.11.1995 në Prishtinë, në moshën 75 vjeçare dhe u varros në varrezat në Prizren. Familja e tij kishte prejardhje nga Shqipëria-Fani i Mirëditës, të cilët në Kosovë migruan kah fundi i shek. XVIII, e cila periudhë njihej me procese migruese të mëdha nga Shqipëria në drejtim të Kosovës. Shkaku i migracionit kryesisht ishte presioni i turqve për ndërrimin (konvertimin) e fes të krishtere në fenë myslimane. Andaj, për t’i ikur kësaj të keqe numër i madh i familjeve të krishtere migruan nga Shqipëria në Kosovë, ndër to ishte edhe familja e Lazri Çettes. Kjo familje nuk qëndroi gjatë në Gjakovë, ajo për arësyera ekonomike më 1926 u shpërngul (u rikthye) në Shqipëri dhe u vendos në Tiranë. Babai i Anton Çettes z. Lazri një intelektual i mirënjohur si luftëtar i pa kompromisë për kauzën tonë kombëtare, patriot dhe luftëtar i denjë kundër okupatorit otoman, ku si i tillë ishte internuar në Itali, ku edhe vdes në këtë vend. Pas vdekjes së babait, Antoni mbetet jetim dhe si fëmijë kthehet te dajtë e tij në Gjakovë, ku pati një mbështetje dhe përkrahje prindërore nga ata, të cilët e rriten dhe e ndihmuan edhe në shkollimin e tij.

Koha pas vitit 1989, paraqet epokën më të dhimbshme, më drastike e më të rëndë të popullatës shqiptare në Kosovë. Siç dihet, më 1989, Serbia hegjemoniste me forcë ushtarake e suspendoi edhe atë pakë autonomi dhe e riokupoi Kosovën. Pas këtij viti filloi fushata e represioneve dhe diskreditimit, si kah aspekti politik, shoqëror, ekonomik, social, informativ, kulturor, ashtu dhe nacional ndaj dhe kundër popullatës shqiptare në Kosovë. S’ka dyshim, se këtë situatë shtypëse nga ana e armikut tonë shekullor, e rëndonte edhe një e keqe, që ishte plagë shumë e rëndë e jona, prezenca e së cilës ishte me shekuj në mesin e shqiptarëve, e kjo ishte gjakëmarrja, apo më mirë me thënë vëllavrasja. Andaj, duke i parë synimet hegjemoniste, aneksuese dhe uzurpuese e okupuese të Serbisë, si dhe masat represive ndaj shqiptarëve dhe riokupimin për të satën herë të Kosovës, tek shqiptarët u ngritë vetëdija kombëtare mbi egon individuale, familjare e farefisnore, që ndikoi në fillimin e aksionit (Lëvizjes) për faljen e gjaqeve. E gjithë kjo ndikoi në mobilizimin e rinisë studentore, profesorëve, intelektualëve dhe popullatës në tërësi, që më 2 shkurt të vitit 1990, Kosova të hyjë në “Vitin e Madhë 1990”, Falja e Gjaqeve, plagëve e ngatërresave në Kosovë e kudo që jetonin shqiptarët në ish Jugosllavi, duke përfshirë edhe diasporën. Është për të konstatuar se Pajtimi i Gjaqeve e përshpejtoi 2 korrikun dhe formimin e UÇK-së.

Siç dihet, gjakëmarrja ishte një varrë shumë e rëndë dhe ishte fut thellë në gjakun e popullit tonë, si kancer në organizmin e njeriut, e cila me të madhe nxitej e përkrahej nga okupatori jonë shekullor Serbia. Por, falë iniciativës së rinisë sonë dhe gatishmërisë së popullit që të flaket kjo e keqe dhe varrë shekullore ndër ne, filloi pajtimi (falja) i gjaqeve, ku në krye të kësaj Lëvizje u vu i madhi Prof. Anton Çetta, me bashkëpunëtoret (“luftëtarët-ushtrinë”) e tij.

Tubimi më i madh dhe më madhështor gjatë Pajtimit të Gjaqeve te Verrat e Llukës

Image

Shtrirja e duarëve simbolizon faljen e gjaqeve, siç bëjnë burrat e fortë pa kurrfarë kushti

(Nuk është trim ai që ngre gishtin e krimit, por është trim ai që zgjatë dorën e pajtimit: Adem Demaçi)

Kjo Lëvizje i dha shkëlqimin dhe epitetin human e njerëzor kombit tonë. Prijësi i kësaj Lëvizje Gjithëpopullore për Faljen e Gjaqeve u vu intelektuali i mirëfilltë, atdhetari, punëtori i devotshëm dhe vigjilent, i cili nuk kurseu as shëndetin e tij si luftëtar pa kompromis për kauzën tonë kombëtar Prof. Anton Çetta. Ai ishte vizionar, i urët e humanist, i ditur dhe guximtar, me diapazon të gjerë, që të gjitha këto virtyte i sublimoi dhe i zbatoi në jetën praktike, duke e luftuar dhe evituar një plagë që rëndonte mbi kurrizinë e kombit tonë, siç ishte vëllavrasja, përkatësisht gjakmarrja. Madhësinë dhe personalitetin e tij, e karakterizon modestia që është veti e njerëzve të urët e të mëdhenjë, siç ishte edhe Prof. Anton Çetta, i cili i priu kësaj Lëvizje me përkushtimin më të madh edhe pse ishte në moshë të shtyrë, nuk kurseu nga shëndeti i tij dhe kurrë nuk fliste në vetën e parë, se këtë punë po e bëjë unë, por përherë thonte se ky është kontribut kolektiv i gjithëve, e në veçanti i popullit, sepse ato po falin gjaqe, e ne jemi vetëm “argat” të tyre.

Siç i cek më sipër, Lëvizja për Pajtimin e Gjaqeve kishte filluar më 2 shkurt 1990 dhe kishte përfunduar më 17 maj 1992. Aksioni për Pajtimin e Gjaqeve, shtroi nevojën e ngutshme të formimit të Këshillit Qendror Drejtues, që kishte për detyrë lidhjen e aktiviteteve të të gjitha këshillave të pajtimit në nivel komunal, rajonal e të Kosovës, si dhe në viset shqiptare në Jugosllavi e në mërgatën shqiptare, me qëllim që ky aksion të shndërrohet në Lëvizje Gjithëpopullore për Faljen e Gjaqeve. Iniciativa për themelimin e një Këshilli Qendror të Lëvizjes për Faljen e Gjaqeve të Plagëve dhe të ngatërresave nga nismëtaret u mor në Institutin Albanologjik në Prishtinë, i propozuar nga Dr. Muhamet Pirraku para prof. Anton Çettes, prof. dr. Mujë Rugovës, prof. Dr. Musa Limanit, prof. Dr. Murat Bejtës, prof. Sami Pejës dhe prof. Dr. Rexhep Mehmetit, në fillim të marsit të vitit 1990. Sipas propozimit të prof. Dr. Muhamet Pirraku, “për anëtar të Këshillit Qendror-Drejtues do të konsideroheshin anëtarët e Grupit nismëtar të Aksionit, veprimtarët nga radha e profesorëve universitarë e të punëtorëve shkencorë e kulturorë të tubuar për rreth prof. Anton Çettes në Institutin Albanologjik, mandej kryetarët dhe koordinuesit e punëve në Këshillat komunale e rajonale të pajtimit dhe individët që do të falin gjaqet”.

Lëvizja Gjithëpopullore për Pajtimin e Gjaqeve në Kosovë (LPPGJK), paraqet ngjarjen më të rëndësishme historike, pas asaj të Skënderbeut për pajtimin dhe unitetin ndërmjet fiseve shqiptare, përkatësisht unitetin kombëtar. S’ka dyshim se, figurë boshte që i priu kësaj Lëvizjeje kombëtare që ishte jo vetëm humane, e jo vetë për Kosovën, por me interes mbar kombëtar, ishte i madhi Prof. Anton Çetta. Në kontekst të kësaj duhet thënë se, kësaj Lëvizje iu bashkëngjiten të gjitha shtresat e popullatës shqiptare, kudo që ishin dhe jetonin ata, pos Shqipërisë. Kështu, u formua “Çeta” e Anton Çettes, ku u përfshinë, intelektual, nxënës, studentë, profesor, minatorë, bujq, burra e gra, djem e vajza, si dhe i tërë populli shqiptarë, që me veprimtarinë e pashembulltë dhe me kontributin e tyre u angazhuan në shuarjen e plagës tonë shekullore, që ishte gjakëmarrja.

Gjakëmarrja paraqitete plagë shumë të rrezikshme, të rëndë e me pasoja shumë të mëdha e shumë dimenzionale, si: psikologjike, shoqërore, ekonomike e sociale, e mbi të gjitha kombëtare, që ushqehej nga qarqet armiqësore e shoviniste serbe që institucionalisht e mbështetnin me masa të ndryshme vëllavrasjen ndër shqiptarë. Ky paraqite një fenomen shumë të rrezikshëm për shqiptarët, për çka edhe ushqehej nga shovinizmi serb. Me rastin e ndodhjes së vrasjeve ndër shqiptarë, ata e përkrahnin dorasin, duke i ofruar mbështetje institucionale me ndihma e lehtësira të dënimit në gjykata. Dorasit ia rrahnin shpinën, duke i thënë: “mos ke dertë se ne të ndihmojmë në gjykatë nëpërmjet prokurorëve e avokatëve”. Kështu, shqiptarët, jepnin para të “majme” që me rastin e vrasjes të vëllait të tyre të shpëtojnë, apo më mirë me thënë t’iu lehtësohet dënimi me burg. Ne gjatë pajtimit kemi hasur raste, ku me një pushkë janë vrarë pesë shqiptarë. Kjo ka ndodhur se me rastin e ndodhisë së parë, atij iu merrej pushka nga organet kompetente, madje ia shitnin të tjerëve (shqiptarëve), sepse e dinin se me at pushkë do të vriten shqiptarët mes vete. Dikur vonë shqiptarët e kuptuan këtë lojë (marifet) të serbëve dhe në odat e pajtimi shpesh na thonin: “Kishim qenë budalla dhe plotësisht gabim, se pushkët që na i jepte policia serbe, në vend që të vritnim shkaun, ne e vritnim vëllaun”.

Anton Çetta si mbledhës i folklorit popullor, i njihte shumë mirë normat kanunore (të Kanunit të Lekë Dukagjinit) dhe marrëdhëniet fisnore të popullatës së Kosovës dhe të shqiptarëve në përgjithësi, të cilën armë e vuri në funksion dhe shërbim të pajtimit të gjaqeve. Plaku legjendar, u bë misionar dhe figura më e spikatur dhe punëtor i pa lodhur në pajtimin e gjaqeve. Emri i tij u bë pjesë e çdo familje shqiptare dhe sinonim i pajtimit të gjaqeve. Fjalët e tij u bënë bar (ilaç) i shërimit të plagëve shekullore që me shekuj rëndonin mbi kurrizin e shqiptarëve, siç ishte gjakmarrja. Prania dhe fjala e tij, kishin ndikim që hasmëria të shndërrohet në miqësi e vëllazëri, ku pa hezitim shtrihej dora e pajtimit. Kështu, Prof. Anton Çetta, si me vetit si plakë i urët i odave dhe kuvendeve të pajtimit, me pajtimin e gjaqeve u bë shëruesi më i mirë, më efikas në flakjen e plagës shekullore që rëndonte në familjet shqiptare-zhdukja, apo më mirë me thënë varrimi i gjakmarrjes. Andaj, veprën e tij si folklorist, shkrimtar, albanolog, si dhe pajtimtar, sot e njohin dhe e çmojnë mbarë kombi shqiptarë kudo që gjendet e jetojnë. Ai gjithmonë rron në mendjet dhe zemrat e gjithë kombit shqiptarë, pavarësisht përkatësisë fetare dhe shtetërore ku jetojnë.

Prof. Anton Çetta ishte intelektual i mirëfilltë, i respektuar, shkrimtar dhe mbledhës i folklorit kombëtar, si dhe njëri ndër pedagogët më të respektuar nga ana e studentëve dhe kolegët e tij dhe mbar populli shqiptarë. Ishte dhe mbeti ndër intelektualët dhe folkloristet më të shquar shqiptarë. I madhi Prof. Anton Çetta kishte kredibilitetin e nderimin më të madh te popullata në përgjithësi. Ndër të tjera, Prof. Anton Çetta ishte prijës i Lëvizjes Gjithëpopullore për Pajtimin e Gjaqeve, që paraqet njërin ndër aksionet më madhështore për pajtimin kombëtar pas atij të Skënderbeut. Pajtimi i gjaqeve, ndër të tjera kishte për synim, zhdukjen e hasmërive, shërimin e plagëve shekullore dhe helmuese që mbizotëroi mbi kurrizin e shqiptarëve me shekuj, pra luftën pa kompromisë të gjakmarrjes. Me këtë rast ai u bë simbol i urtësisë dhe i unitetit mbarëkombëtar. Ishte modest, që është veti e njerëzve të mëdhenjë, siç ishte vet Anton Çetta, i njerëzishëm, fisnik, dinjitoz, e mbi të gjitha luftëtar i pa kompromis për kauzën tonë kombëtare. Ai për herë frymonte si BURR, që i vetmi meritonte t’i këndohej kënga për së gjalli, sepse kurrë nuk do të prishte.

Andaj, unë pata fatin dhe privilegjën që të isha njëri ndër bashkëveprimtarët më të afërt të tij. Puna dhe virtytet e tija e bënë njeriun më të besueshëm e më të respektueshëm te popullata shqiptare, të cilët pa hamendje i falnin gjakun e më të afërmeve të tyre, duke e ditur se ai dorën e pajtimi e kërkonte, jo për prestigjin e tij, por për interesin e popullit, pavarësisë, lirisë dhe ardhmërisë së Kosovës. Ai gjithnjë thonte: “Ne nuk po pajtojmë gjaqe, ne vetëm se jemi “argat” të popullit tonë, populli është ai i cili po falë gjaqe”. Prof. Anton Çetta ishte dhe mbeti intelektuali që një jetë të tërë ia kushtoi çështjes kombëtare, duke arritur kulminacionin e veprimtarisë së tij si prijës i Lëvizjes Gjithëpopullore për Faljen e Gjaqeve, si kryevepër e tij jetësore. Andaj, për kontributin e dhënë në ketë Lëvizje, ai u dekoruar me mirënjohje e medalje të shumta, e njëra ndër to ishte edhe ajo që Presidenti i Kosovës Prof. Dr. Fatmir Sejdiu e dekoroi me “Medaljen e Artë për Paqe, Demokraci dhe Humanizëm-Dr. Ibrahim Rugova”.

Andaj, duke u bazuar në veprën kolosale që bëri Prof. Anton Çetta gjatë Pajtimit të Gjaqeve, vetvetiu ndër të tjera shtrohet edhe kjo pyetje: A thua, duke pasur parasysh faljen e mbi 1.200 gjaqeve, shumë plagesave e ngatërresave, me ç’rast u luftua plaga shekullore e hasmërisë ndër shqiptar, u liruan nga prangosja shtëpiake me mijëra e mira familje, duke u lirua nga ankthi i hakmarrjes etj. pse Prof. Anton Çetta për veprën e tij humane e historike që bëri për Pajtimin e Gjaqeve, nuk ishte propozuar për Çmimin Nobel të Paqes?!! Kjo, ndër të tjera ishte një vepër humane, e cila si e tillë do të duhej të vlerësohej për të marrë Çmimin Nobel për Paqe. Andaj, duke u bazuar në kontributin, angazhimin dhe rezultatet e arritura në Lëvizjen Gjithëpopullore për Pajtimin e Gjaqeve, prijësi i saj i madhi Prof. Anton Çeta është dashur që nga institucionet tona shkencore, në rend të parë nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, Instituti Albanologjik dhe Instituti i Historisë në Prishtinë etj. të propozohej për laureat të Çmimit Nobel për Paqe. Pse nuk ndodhi kjo?!! Nuk donë koment.

Prof. Anton Çettën e përkujtojmë me mall e dhimbje, por njëherit i jemi mirënjohës për veprat që na i la. Ai vdiq, për mos me vdekur. Përherë populli shqiptarë do ta përkujtojë si intelektualin e veprimtarin më produktiv, që la vepra të mëdha e me vlera historike e kombëtare, që do të jenë frymëzim për gjeneratat e reja. Emri dhe urtësia e tij, arriti që në një kohë shumë të rëndë, atëherë kur policia serbe i ndjekte këmba këmbës veprimtarët e lëvizjes, të bashkojë popullin dhe t’i bind se duhet flakur varra shekullore-hakmarrja. Kur veprimtarët ndjekëshin nga odat, ata kalonin në xhamia, kur ndjekëshin nga xhamia, kalonin në kisha, kur ndjekëshin edhe nga kisha kalonin në livadhe, por nuk hiqnin dorë nga Lëvizja për Pajtimin e Gjaqeve. Në bazë të kësaj tani kemi shumë toponime që janë emëruar gjatë pajtimit, si: livadhi i pajtimit, kodra e pajtimit etj. Kështu, edhe në këso kushtesh të renda, gjatë Lëvizjes, u arritë që të pajtohen mbi 1.200 gjaqe, shume plagesa e ngatërresa, ku sipas njohurive tona, nga ky numër, vetëm tri familje e kanë shkelur (thyerë) fjalën. Mirëpo, edhe për rreth këtyre arritjeve në luftën kundër vëllavrasjes, për fat të keq, pas çlirimit (1999) u bënë shumë vrasje në mes shqiptarëve në Kosovë, edhe atë për motive të ulëta, që është për çdo kritikë, e pa justifikueshme dhe për mendjen e shëndosh e papranueshme.

Në fund, me rastin e përkujtimit të veprës dhe vdekjes së të madhit Prof. Anton Çetta, le të me lejohet të them se Lëvizja Gjithëpopullore për Pajtimin e Gjaqeve, le të jetë moto e flakjes së vëllavrasjeve, unitetit të spektrit politik dhe liderëve partiak, t’i bashkojmë rradhat dhe forcat tona intelektuale, politike, institucionale, shkencore e kombëtare, të veprojmë unik në aksionet tona për të çuar përpara dhe për të mbrojtur sovranitetin, territorialitetin dhe kushtetshmërinë e Republikës së Kosovës, si dhe për të respektuar gjakun e derdhur të dëshmoreve e martirëve dhe për të gjitha temat e tjera madhore që kanë të bëjnë me interesin tonë gjithëkombëtar. Në këtë mënyrë mbrohet e drejta jonë historike e kombëtare-pra zgjedhja e çështjes sonë gjithëkombëtare, si dhe do të respektohet e kujtohet gjaku i derdhur i dëshmorëve dhe martirëve të rënë më parë dhe gjatë luftës së UÇK-së. Për çështje madhore kombëtare (gjithëkombëtare) duhet të jemi unik, të zhveshim petkun partiak dhe të veshim petkun kombëtar, sepse e vetmja parti e jona, është kombi shqiptar. Atë që e ka thënë i madhi Faik Konica: “Nëse jemi të bashkuar, e pa mundura bëhet e mundur, e nëse jemi të ndarë, e mundura bëhet e pa mundur”.

Ndonëse, Prof. Anton Çetta, tërë potencialin e tij njerëzor, human, intelektual, shkencor e kombëtar, ia kushtoi luftës pa kompromis për kauzën tonë kombëtare, për fat të keq nuk arriti ta përjetojë Pavarësinë e Kosovës, të cilës ia kushtoi tërë jetën.

Lavdi, Lavdi, Lavdi. Qoftë i përhershëm kujtimi për Prof. Anton Çetten.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat