Kuvendim me Prof. dr. Nuhi Vinca, në 90-vjetorin e tij

Kultura

Kuvendim me Prof. dr. Nuhi Vinca, në 90-vjetorin e tij

Nga: Kadri Tarelli Më: 18 nëntor 2021 Në ora: 07:44
Foto nga vendi i ngjarjes

Para pak ditësh, java e parë e vjeshtës së tretë, 2021, në një nga sallat e Institutit Albanologjik të Prishtinës, u organizua “Tryezë shkencore”, një takim e festim, sa i bukur dhe i dobishëm, aq edhe mbresëlënës, kushtuar shkrimtarit, studiuesit, përkthyesit dhe poetit strugan Nuhi Vinca, i cili mbushi plot 90 vjet. Me këtë rast u përurua edhe ribotimi i veprës së tij shkencore, "Lirika Popullore Shqiptare e Dashurisë".

Krahas miqve dhe shokëve të shumtë nga Maqedonia dhe Dardania, në këtë kuvend letrar ndodhej i pranishëm edhe një grup nga Durrësi: Shpendi Topollaj, Kadri Tarelli, Përparim Manaj dhe Gazmend Lumani.

I gjithë takim u drejtua me mjaft elegancë dhe art fjale nga zonjushe Ylberza Halili.

Nuk e njihja më parë këtë burrë me emër të ndjerë në mbarë trojet arbërore, me shtat të shkurtër por tepër energjik, si për t’i kujtuar e thënë moshës: “Nuk pyes për ty. Kam edhe shumë vite punë e krijimtari”. Në çast më grisi në mendje fjala e moçme: “Edhe floriri i vogël është, por vlerën e ka të madhe”. Kisha të drejtë, sepse në një pllakat të shfaqur nga monitori, lexoheshin qartë emrat e personaliteteve që do të referonin kumtesat. Të gjithë me tituj shkencor. Besoj nuk është pak!

1. Prof. Dr. Hysen Matoshi Tema: “Veprimtaria e Prof. Dr. Nuhi Vinca”.

2. Prof. Dr. Adem Zejnullahu. Tema: “Vështrim mbi veprën e studiuesit N. Vinca”.

3. Prof. Dr. Arbnora Dushi. Tema: “Lirika popullore, nga këndvështrimi i Prof. Dr. Nuhi Vinca”.

4. Dr. Krenar Dolli. Tema: “Ndihmesa e Prof. Dr. Nuhi Vinca në studimin e lirikës familjare në Strugë dhe rrethinat e saj”.

Oratorët, njohës të mirë të gjithë veprës së “Heroit” tonë, Prof. Dr. Nuhi Vinca, vlerësua lart veprën studimore në fushën e folklorit, lirikës popullore dhe familjare, përfshi edhe krijimtarinë në fushën letërsisë dhe poezisë.

Duke dëgjuar folësit, që shpreheshin me adhurim për rreth 70 vjet punë, përkushtimin e studim në terren, fshat më fshat e shtëpi më shtëpi, që përbën një pasuri e paçmuar për kulturën tonë kombëtare. Këtyre zërave plot autoritet, i bashkohet edhe fjala e akademikut Muhamed Halili, bashkëmoshatar dhe njohës në imtësi të jetës dhe veprës së mikut të tij Nuhi Vinca. Fjala e tij, u mirëprit me duartrokitje, sepse ishin fjalë zemre dhe ndjesi shpirti, i një jete të trazuar e të lënduar, por që mbijetoi për të qenë mes nesh në këtë 90-vjetor, madje me shumë bindje për t’u mbledhur edhe në disa përvjetorë të tjerë.

Në vazhdim, me shumë interes u prit edhe fjala e botuesit Sabit Jaha, i cili nuk u kursye në vlerësimin e veprimtarisë jetësore, sidomos në botimin e shumë librave, që në vetvete janë një monument i ngritur në art dhe krijimtari, si trashëgimi e vyer, që do t’i mbetet kohës e brezave dhe do të vlerësohet e lartohet nga koha.

Kuvendin e përshëndeti edhe Shpendi Topollaj, shkrimtar, studiues poet e publicist. Ai në fjalën e tij, mes të tjerave vuri në dukje vlerat njerëzore e atdhetare të mikut të përbashkët, duke thënë: “Krahas figurave të shquara që kanë nxjerrë trevat tona, Nuhi Vinca me jetën dhe veprën e tij, ze një vend nderi. Ai ndofta nuk luftoi me pushkë, por ja që fjala e tij në librat e shumtë që shkroi, së bashku me armatën e akademikëve, mësuesve, shkrimtarëve, poetëve, dramaturgëve, artistëve e publicistëve, mbajtën ndezur ndërgjegjen kombëtare, që frymëzuan rezistencën për liri dhe sollën liri”.

I gjithë ky tubim, që unë e quaj kuvend vlerash, u gjallërua së tepërmi nga artistja-aktore Ilire Vinca, shoqëruar nga tingujt e violonçelit, që na përcolli të gjalla vargjet plot hijeshi, dhimbje, trishtim dhe njëherazi madhështi e krenari, me një shpirt të etur për liri dhe të uritur për bashkim të trojeve Arbërore, mbushur me frymë shqiptarie.

E vështirë të përshkruhen ato ndjesi çasti, të jetuara madhërisht, kur dëgjon vargjet e Nuhiut poet. Gjykoni vetë këto copëza krijimesh, që unë zgjodha, ku fjala dhe zëri të ngrenë në qiell për ëndërrim, e të zbresin në tokë plot trishtim, ku ndeshim plot halle e shqetësim, trazim, mospëlqim e mospajtim, që na çojnë në vetë-ndëshkim:

- “Ditë vjeshte të 1992-tës. Kaq vonë për shkak të gjarprit që helmonte lirinë e udhëtimit, duke krijuar dimrin e vetmisë së madhe. Pas 100 vjet vetmie, u gjenda në Qafëthanë, fare afër Strugës sonë. Pashë gurin e ftohtë të 1913-tës, pashë të përdhunshmen midis nesh. Ai gur mu fanit si një krijesë e gjallë me dy gjymtyrë të zgjatura, që gjakojnë bashkimin. ….. Ja qafa thashë, pjesë e një organizmi të gjallë në ditë vjeshte…… Dhe e gjithë kjo shndërrohet në një këngë që vazhdimisht dhe deshpërimisht, ushton maleve e valëve në troje të ndara të shqiptarëve”. Proza poetike: “Te guri i kufirit në Qafëthanë”:

Ndërsa vargjet kumbojnë: “Këtu te ky gur, shpirt gur,/ ndahet Shqipëria nga Shqipëria…… Këtu në Qafëthanë,/ këtu në Qafëthanë,/një shekull e pret /jetimin një nanë”. Dhe më tej: “Çtë bëj për ty, a s’më thua?/ Të ta fal krahun?/po me çka të të përkëdhel?/ të t’i fal sytë?/ Si ta shoh atë pranverë?/Kur jugu do të vijë/ për të derdhur vrerin,/ kur jugu me diell,/ do ta zhdukë gverrin”. Poezia “Ç’të bëj për ty Kosovë?”.

Nuk e di sa më besoni, por me dy vargjet e fundit, kam përshtypjen sikur Nuhi poeti, i flet lirikut tonë Lazgush Poradeci. “Kur jugu do të vijë!”. S’ besoj se ata u takuan ndonjëherë, por puhia e “Liqerit të magjishëm”, i afron, i bashkon, i lidh, i përqafon në ndjesi lirie dhe poezie, njëri në jugë Pogradec, e tjetri në veri në Strugë, si dy gurrë të rëndë në krijimtari dhe atdhetari, për pakëz dritë e shpresë në ditët plot magji.

Si çdo takim ka edhe të papritura, në këtë rast të këndshme dhe të mirëpritura. U takuam me dy miq të mirë, poetin Mumin Shutaj, të cilit para pak ditësh i kushtova një shkrim: “Pse heshtin kambanat?”, kushtuar librit të tij “Heshtja e kambanave”. Njëkohësisht e fatmirësisht në këtë mjedis përbashkues, takuam edhe artistin, Xhevat Limani, (aktor filmi), i cili në rolin e heroit tonë kombëtar Skënderbeut, përcjell frymë atdhetarie e shqiptarie në mërgatën shqiptare të shpërndarë nëpër botë.

Besoj, se cilido i ndodhur në këtë mjedis arti, kulture dhe krijimtarie, e ndjen së tepërmi nevojën e bashkimit dhe bashkëveprimit, pa “gardh” ndarës e përçarës, si dëshirë e forcë për të realizuar ëndrrat tona kombëtare e atdhetare.

Nuk munguan bisedat, fotot, dhe premtimet për takime të tjera në përvjetorë të tjerë për Prof, Dr. Nuhiun, por edhe për të tjerë veprimtarë dhe krijues, të cilët nuk i mungojnë trojeve tona.

Urime Z. Nuhi, veteran me zemër djaloshare! Jete dhe shëndet për pune e krijimtari. Kështu u mbledhshim edhe në 100-vjetor! Pse jo edhe në 110. - Dëshira dhe energjia nuk mungon!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat