Shën Gjergji si Meditim nga “Skanderbegu i Firences , Krujës , Vjenës e Kostandinopojës”

Kultura

Shën Gjergji si Meditim nga “Skanderbegu i Firences , Krujës , Vjenës e Kostandinopojës”

Nga: Andi Bica Më: 7 maj 2022 Në ora: 12:03
Foto ilustrim

Në Muzeun e Galerisë Ufizzi në Firence të Italisë , çdo shqiptar ka një motiv për tu ndjerë mirë me vetëdijen kombtare.

Rradhët e turistëve dhe në kohë pandemie ishin të panumërta. Dëshira për të parë jo vetëm vlerat e artit pamor të Italisë , ishte një magnet i fortë për të rizbuluar pasuritë vizuale të kryeqytetit botëror të Artit. Në Itali ndodhen mbi 70 për qind e veprave të artit të njohura në mbarë njerëzimin.

Kuptohet se jo të gjithë gazetarët mund ta shohin falas Galerinë e sendërtuar me vizion e dashuri për të bukurën nga Lorenco Mediçi dhe anëtarët fisnikë të familjes së tij.

Në fillim në lartësitë e tavanit në sallat e korridoreve të gjata dukalë , shihen portretet e aristokracisë mesjetare , jo vetëm të Italisë por mbarë oborreve mbretërore të kohës.

Në Galerinë Uffizi hymë për tu njohur me disa nga kryeveprat mesjetare të Rilindjes Italiane në Arte dhe papritur e pamë veten të rrethuar nga antikiteti romak.

Befasia qëndronte në prurjen e nje ekspozite skulpture nga muzetë e Romës me vepra të njohura të antikitetit pellazgo ilir i riprodhuar sipas skupltorëve të perandorisë së kohës.

Portretet e Perandorëve Romak me origjinë llire si Mark Aurelius , Justiniani , Diokleciani e Maksimiani , gjallonin me imazhin e tyre të buzëqeshur dhe mençurinë e kohërave në shikimin e tyre për vizitorët nga mbarë bota.

Skulpturat e Qenve Molosë ose deltarët ilirë , të njohur si eskorta besnike e Aleksandrit të Madh na vështronin në dy anët e një korridori midis sallave , kësaj here si rojtarët e vlerave të Antikitetit Muzeal .

I papritur ishte takimi me kryeheroin tek Portreti i Gjergj Kastriotit në Galerinë Uffizi , realizuar nga piktori portretist Kristofano Del Altisimo në vitin 1552.

Pas një ecejakeje të hutuar nga grupet e turistëve dhe rendi i koduar i ekspozimit të sallave , befas ngritëm kokën lart dhe shohim të nderet në muret e galerisë Portreti i njohur i Skanderbegut. Shikimi është po ai , i shqetësuar por i fisnik , i mprehtë deri në tejshpimin lëndor me të cilën gjallon në telajo prej afro 500 vjetësh.

Portreti i vendosur në të djathtë të telajos me shikim nga e majta besohet se është riprodhim i një vepre të Xhentile Belinit realizuar në gjallje para Skanderbegut , kur Heroi qëndroi në oborrin e Dukës së Venedikut për të marrë titullin Qytetar Nderi.

Fati i kësaj pune artistike vijoi nga koleksioni në koleksion nëpër dukë e peshkopë derisa arriti në Galerinë Uffizi të Firences duke lëvizur disa herë me rinovimet muzeale.

Në vijim të hapave për të parë veprat e artistëve të njohur të Rilindjes Italiane në Mesjetën e lartësuar në Kulturë e trofe luftërash , u ndalëm në një sallë më të vogël mes korridorëve të aristokratëve të oborreve më në zë të Evropës , Afrikës dhe Azisë. Tre kryengjëjt e Artit Pamor , Rafaelo , Leonardo e Mikelanxhelo dialogonin e rrinin mirë me njëri tjetrin të përfaqësuar me disa punë në një sallë.

Triptiku i Da Vinçit , tabloja gjithë vërtetësi "Pagëzimi i Krishtit" realizuar me mësuesin e tij Verrokion , tabloja e pambaruar Adhurimi i Magëve e veshur me fije lidhëse mes grafikës e ngjyrave , dhe Anunsasjoni ose Lajmëtimi i Virgjëreshës Marie nga Gabrieli , na befasuan me qartësinë e dritës brenda peisazhit të njerëzve dhe arkitekturës.

Dy portrete të Rafaelos si çifti i bashkudhëtarëve Guidobaldo da Montefeltro dhe Elizabeta Gonzaga na buzqeshnin në diptikun harmonik ku ngjyrat bazë e kuqja dhe bluja vibrojnë në portretet e shëndetshme rozë.

Motivi i familjes së shenjtë vijon në qendër të sallës 41 , ku Mikelanxhelo ka realizuar ne pikturë monumentale tre pjesëtarët e familjes Agnolo Doni e Madalena Strozzi me birin e tyre të ngritur si trofe në krahë drejt qiellit në një kornizë rrethore. Ata na tregojnë misionin e shenjtë të jetës së njeriut mbi tokë.

Paradoks duket që artistët titanë si Leonardo me Rafaelon e Mikelanxhelon , në gjallje rivalizuan në raportin njerëzor deri në urrejtje me njëri tjetrin dhe ishin kaq të ndryshëm në mënyrën e jetësës së tyre , kurse në kohën e sotme falë punës mjeshtërore të disa studjuesve e kuratorëve të artit , në dialogun e tyre që prej vitit 2018 në këtë sallë të Muzeut Uffizi të Firences , ata duket sikur ngjajnë artistikisht në forma , dritë ngjyre e përmbajtje , përballë motivit të familjes , krijimit të " fëmijës së shenjtë " dhe Absolutit ( Zoti ) .

Rikthehem tek motivi i Portretit të Skënderbeut dhe trajtesa e disa besnikëve në frymë të këtij kulti të pashuar në zemrën e Shqiptarëve si Besim ( Feja e Shqiptarit ). Ndodhem në korridorin e hyrjes të sallës së Galerisë Uffizi në Firenze ku janë ekspozuar në nivelin e lartësive të njeriut shtatoret , bustet e portretet e "zotave" të Antikitetit dhe Perandorëve Romakë një pjesë e të cilëve më të rëndësishmit me origjinë Shqiptare

( Iliro Arbërore ) .

Më lart në nivelin pranë tavanit të dekoruar në piktura murale me motive floreale , faunë me brirë bollëku , Muza kërcimtare , boerë frymues e hyjni të argëtimit , ndaloj të rishoh para se të dalim nga Muzeu i Familjes Mediçi , sytë e Gjergj Kastriotit sipas përfytyrimit të Kristofano Altisimos. Vërtet u dashka ngritur koka lart për të parë harkun e dritës së beslidhjes së njeriut me Zotin , tokës me qiellin. Atje në mbi dy metra lartësi , Skanderbegu me fytyrë nga duka i Toskanës , në vendosjen e tij mbi mur ka përkrah dy sovranë të fortë si ai i Tunizisë dhe i Mauritanisë. Ndërsa duket sikur mbron poshtë tij në nivelin e shtatit njerëzor një konteshë spanjolle të realizuar në tablo me të birin Garsian. Kjo grua e fisme familjare duket si rimishërim në pamje i Donika Kastriotit me të birin Gjon Kastriotin dhe si preludi i vendprehjes së saj në Spanjë.

Pranë ballit të Gjergj Kastriotit në bishtin e syrit të djathtë , i jap flatra përfytyrimit e vërej një shenjë kryqi me krahë Shqiponje dykrenare e krijuar nga brejtja e kohës. Skanderbegu duket se po na flet me një fjalim të njohur e të panjohur , të dalë nga libri i Fan Nolit "Historia e Skënderbeut" , frymëzuar në Ditën e Shën Gjergjit para popullit për të qetësuar Arbërorët nga sulmet tokësore e shpirtërore të Sulltan Muratit dhe magëve të tij , të cilët kishin krijuar një ajër apokalipsi në popullin e Besëlidhjes së Lezhës :

" Paniku mbretëronte në tërë Shqipërinë. Tmerri i bënte njerëzinë të shikonin kuçedra dhe fantazma me sy hapur. Makthi u kishte shkelur të gjithëve në grykë dhe në kraharor. Me sy të vrarë dhe të përlotur , po putheshin me njëri tjetrin duke qarë e duke vajtuar , sikur piqeshin për herën e fundme.

Afër Petrelës ishin parë dy ushtërira fantastike , me armë të ndritshme prej floriri , të cilat u përpoqën në erë me një oshtëimë shurdhonjës prej trumpetash.

Pranë Krujës , disa netë me rradhë , ishin dukur me mijëra lubira , që nxirrnin flakë nga sytë dhe nga goja , dhe që i vinin rrotull fortesës që ta përpinin . Në Branteshkozë ( Shkozë ) në mes të ditës , ishin parë tri hëna , që ndritnin aq sa dhe dielli kur nga ana e lindjes krisi një furtunë me bubullima , me shkrepëtima , dhe me rrufera , ndonëse ishte dimër.

Në Muzakianë ( Myzeqe ) kishte rënë shi me gurë dhe me shkëmbinj.

Drini në Ruber ( Rubik ) dhe Ishmi në Gjatë ( Fushë Krujë ) qenkeshin skuqur dhe po rridhnin gjak të mpiksur.

Në Petralbë ( Guri i Bardhë , Mat ) flamuri i kështjellës ishte djegur prej zjarri të vërvitur nga qielli. Në Tornaç ( Shkodër ) një foshnjë prej gjashtë muajsh paska bërtitur me llahtari nga djepi : " Ardhi Turku ! "

Skënderbeu i shqetësuar më tepër nga frika e rënia e moralit të njerëzve të tij se sa nga rreziku Turk që i varej mbi krye , si u këshillua me Peshkopin e Drishtit , Pal Engjëllin , i cili pastaj u bë Kryepeshkop i Durrësit , kreu këtë marifet që t'ja sillte Shpirtin në vend Popullit. Pasi përhapi nga të gjitha anët që kishte një Lajm ( Të Mirë ) të gëzueshëm , i mblodhi të gjithë oficerët , krejt ushtërinë , dhe njerëzit në një fushë të hapët , hipi në një breg , dhe u tregoi këtë ëndërr :

" Natën e shkuar , kur flinja , pashë në ëndërr Shën Gjergjin , të veshur me armë që shkëlqenin më tepër se rrezet e diellit , të hipur mbi një kalë i cili dukej sikur ishte zjarr i tëri , me një shpatë të artë të zhveshur në dorë , i cili më tha të jem Burrë , se do ta mund Sulltan Muratin dhe ushtrinë e tij të tmerruar , kështu si i kam dërrmuar dhe gjeneralët e tij.

Shën Gjergji më tha që krahu i Perëndisë do të më mbrojë mua dhe Popullin tim , sa më tepër që të rriten rreziqet. Se është shkruar në qiell që të rroj dhe të vdes Kryezot i Arbërisë , dhe mizëritë e Anadollit përpiqen më kot të më tundin nga Froni i Stërgjyshërve.

Pastaj Shën Gjergji ma zgjati dorën , dhe ma dha shpatën e ndritshme me këto fjale :

" Merre këtë Shpatë , armë që ta dërgon vetë Perëndia , dhe me këtë shtriji tek këmbët e tua të gjithë armiqtë , që e luftojnë Shqipërinë dhe Krishtërimin !"

Eskalibur ! Zgjohem nga ëndrra e Kryeheroit , Princit të Ematisë , Strategut vizionar , Burrështetasit të Mençur e Kryediplomatit të nderuar në mbarë oborret e aristokracisë Evropiane e sheshet e sotme të kryeqyteteve të Perëndimit , madje dhe si Shenjtor në ikonat e Kishave Bizantine të Kalabrisë.

Vlerësoj më mirë Vetveten në këto ditë pranverore veshur me re të Shën Gjergjit ( 21 Prill - 6 Maj ) si periudhë meditimi mbi jetën time mbi tokë me familjarët e dashur e bashkëkombasit , të cilët paralelisht me veten i vërej shpesh në udhëkryqe të përsëritura , por në dukje të pambarimta. Fatmirsisht u pagëzova 18 vjeç në Besimin e të Parëve , Krishtërimin , tek Katedralja e Ungjillëzimit në Tiranë , ditën e 6 Majit 1998. E si emër zgjodha emrin Anton nga Shën Antoni i Madh i Egjiptit për Ortodoksët ose për Katolikët vlerësoj Shën Antonin e Padovës (Shenjtin e Kishës së Laçit ) . Ky Shenjt , Antoni i Madh i Egjiptit është përjetësuar po në 17 Janar , në një ditë me fjetjen e Gjergj Kastriotit. Kjo më erdhi si thirrje nga Zoti , për të ndryshuar mënyrën e jetesës nga kaosi në rregull , zgjodha virtytin e të mirën në rrugën e jetës.

Kujtoj fillimin e itinerarit Skëndërbejan , në Muzeun e Kostandinopojës , Portën e Lartë ose Pallatin e Sulltanëve , kur hyra si" jeniçer" flokgjatë me "Ferman të rremë " pra si shtetas turk me biletë me ulje çmimi prej ndihmës së vëllait tim Miranit që punonte e jetonte aso kohe në Stamboll në vitin 1997 në Pazarin e Mbyllur. Vërej në kohë , objektet e periudhës së Bizantit i cili u themelua si simbiozë e qytetërimit pellazo Ilir me Krishtërimin nga Perandori Shën Kostandin i Nishit flasin Shqip por jashtë Muzeut. E vetmja gjurmë Shqiptarie brenda muzeut ishte pema e familjes së Sulltanëve , në të cilën disa prej tyre si Mehmeti i III , ishin me origjinë Shqiptare nga Nëna si bir i Sulltaneshës Safie nga Dukagjini. Patjetër që prekja me dritën e diamantit të katërt më të madh në botë Diamanti Mollë i Lugëgdhendësit , i njohur si pronë e Ali Pashë Tepelenës në Muzeun e Topkapisë , të verbonte shikimin me dritën e bukurisë së tij të përgjakur , dritë prej 86 karatëve e 17 gramësh. Kjo dritë dukej sikur ninullonte me zë muze se Shqiptarët në këto 2 mijë vjet histori , mjerisht ua ndërtuan shtetet kombeve të tjerë e akoma s'e kanë ngritur vetveten si shtet komb i një qytetërimi parak.

Vizita më vonë në vitin 2008 në Muzeun e Krujës si gazetar i Radio Televizionit Shqiptar me pianisten e përkthyesen Edlira Dedja në rolinë e Donikës dhe stërnipin e Gjergj Kastriotit në rolin e Skanderbegut , aktorin e muzikantin nga Kalabria Aleksandër Kastriotin , pasi kishin vënë kurorë në shtëpinë e artizanit mirditor Llesh Biba në rolin e fratit historian Marin Barleti , vijoi si itinerar Kastriotas me kolegun që xhironte ngjarjen operatori i filmit Gavrosh Haxhihyseni , me miqtë e kinemasë Marjeta e Rikard Ljarja si dhe dashamirësit diplomatë shqiptarë nga Zvicra , rrethuar me këngët e Pleqve legjendarë të Krujës shënoi kulmin si itinerar me marrjen dhe puthjen e armeve simbolike në kupolën e afreskut të Legjendës së Skëndërbeut realizuar dekada mëparë nga mjeshtri i dritës Naxhi Bakalli.

Në vitin 2018 pata fatin me bashkudhëtaren Beti Kumin të hyjmë si gazetarë shëtitës në Muzeun e Vjenës , gjatë eksplorimit të itinerarit të armëve të Skëndërbeut nga Tiroli i Jugut në Tirolin e Veriut.

Ky itinerar në formë kuinteti qytetesh na pruri në gjeografnë e pasur që filloi nga "oborri i Janosh Huniadit në Budapest" , pastaj tek muzeu i Shkencave të Natyrës në Bratislavë duke vijuar luginës magjike të Danubit me dragojtë simbolikë të Ljubljanës , dhe pastaj në Alto Adixhe në Trento për tu finalizuar në oborrin e Dukës Von Arescot në Vjenë . Rruga e mundimshme për rizbulimin e armëve të Gjergj Kastriotit vijon me këtë fakt interesant të sjellë nga letërkëmbimet mesjetare të zbuluara nga konsulli i Shqipërisë në Austri gjatë Mbretërisë së Zogut, Leo Alexander Rfeundlich :

"Më 15 maj 1579 arkiduka i Tirolit i shkruante dukës së Urbinos, Mario Sforza, dhe e falënderon për armët e Skënderbeut dhe për të tjerat që do t’i binin në dorë."

Pastaj Duka i Vjenës Von Arescot shkruan më 25 korrik 1588, për armët e tjera të Skënderbeut , ndërsa në inventarin e vitit 1593 shkruan : “Në fletën 69, dy shpata dhe elmi i Gjergj Skënderbeut”.

Kuptohet se e shkruara mbetet por për të shkelur Muzeun e Vjenës e prekur vendndodhjen e armëve të Skënderbeut s' qe aq e thjeshtë sa shkruhet në vargjet e Naimit :

" Vajta në Belvedere në Vjenë , m'u duk se pashë Skënderbenë !"

Për të mbërritur në Muzeumin ku ndodheshin Armët origjinale ose relikat e kryeheroit i besuam jo vetëm Shenjtërisë së Skënderbeut të Naimit , por madje dhe frymës romantike e kalorsiake të poemave me motive iraniane si Qorrbelaja. Këtë pohim na e tregoi në rrugë rastësisht një taksist iranian i cili menjëherë na adresoi saktë , pasi i thamë se ishim Shqiptarë nga Tirana, Na zbriti në sheshin me ekuestrin e një personaliteti të Austrisë ku patëm kaluar disa herë pa e ditur se këtu ndodhej Muzeu ku mund të takonim një pjesë të Shpirtit të Gjergj Kastriotit.

Në Belvedere , vërtet u prekëm me skulpturat e sfinkseve femërore me aura e gërsheta si bukuri antike që ruanin portat e oborrit Habsburgas të perandorisë Romake të Shenjtë ose me " Puthjen" e çiftit të dashuruar të Gustav Klimtit e nudot egërsisht të ëmbla të kolegut të tij Egon Shiles.

Tingëllon komike , por si në Firence që Portreti i Skanderbegut kishte lëvizur tre pallate Piti , Vekio e Ufici për motive rinovimi muzeal ose aksidenti turistik dhe në Vjenë për ironi të fatit armët kishin lëvizur vitet e fundit nga Muzeu i Belvederes , në Muzeun e Armëve , e nga ky i fundit në Muzeun e Biblotekës së kryeqytetit austriak. Përkrenaren dhe dy shpatat i prekëm dhe një herë pasi i kishim parë në vitin 2012 në Muzeun Historik të Tiranës në 100 vjetorin e Pavarësisë. Armët e Heroit të Perëndimit i cili u formua në Lindje , dialogonin me elegancë me kalorësit e disa epokave , si të Krishtërimit shpatëgjatë e parzmore rëndë dhe kalorësve mongolë me helmetat si kokore të xhufkuara apo armaturat e kuajve me pafte.

Këtë Shën Gjergj përqëndrohem tek Portreti i Skënderbeut të Firences si një çast frymëndaljeje në kohë. Kur pagëzohesh hyn tre herë i gjithi me kokë e trup në vaskën me ujin e ngrohtë të vajisur.

Më tepër sesa Përkrenarja Perandorake e Gjergj Kastriotit me Simbolikën e Dhisë hyjnore Amaltea , që ushqeu e fshehu Zeusin nga sulmet e Kohës , titanit Kronos në luftën për drejtimin e kozmosit, më tepër sesa Shpatat në Vjenë , Kockat e rrëmbyera nga osmanët në vendvarrimin e Lezhës , Kështjella e ullinjtë në Krujë , pasuritë e Princave të tij nga Jugu në Veri të Shqipërisë ,besoj se vlen më shumë Shpirti i Heroit i përjetësuar nga Ikonat e artistëve të thjeshtë e dinjitozë si Altisimo , ëndrrimtarëve realistë si Noli e Konica , arja e dhimbjes së Luk Kaçajt nga Kastrioti i Shkodrës e këngët shpirtngjallëse të arbëreshëve të Italisë me tharmin e gjuhës antike shqipe.

Gëzuar Shën Gjergjin me këngë gëzimi e lule të bukura alpine !

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat