Po kontribuojmë bashkërisht për t’i rikthyer respektin dhe mirënjohjen e merituar Hasan Prishtnës

Kultura

Po kontribuojmë bashkërisht për t’i rikthyer respektin dhe mirënjohjen e merituar Hasan Prishtnës

Nga: Mehmet Prishtina Më: 30 maj 2022 Në ora: 23:18
Mehmet Prishtina

Çdo turist, por edhe çdo vendor, tash e tutje do të ketë edhe një pikë navigimi këtu në Vlorë prej ku qartësohet edhe më tepër rrugëtimi ynë për liri e pavarësi kombëtare. Mjafton të vizitohet shtatorja e kolosit tonë Hasan Prishtina, dhe do ta kemi edhe më të qartë se kur bëhemi bashkë si komb, sukseset i kemi shumë më të mëdha. Kur bëhet bashkë Hasan Prishtina dhe Ismail Qemali, kur bëhen bashkë Kosova dhe Shqipëria, paraqiten yje të shumtë në qiellin e atdheut tonë të përbashkët.

Vlora e bukur më 7 maj të këtij viti pati një festë të veçantë. Priti dhe i uroi mirëseardhje bujare tribunit të Dardanisë – Hasan Prishtinës, duke i rezervuar një vend frekuentues pranë kompleksit të Memorialit të Pavarësisë dhe jo larg viganit të Pavarësisë , Ismail Bej Qemalit.

Vendosja e shtatores momunmentale të Hasan Prishtinës në Vlorë, ishte një ëndërr e imja, por edhe një fjalë e dhënë babit tim, i cili sikur nuk deshi t’i mbyllë sytë pa më lënë amanetin që të vazhdoj të afirmoj në forma të ndryshme figurën madhore të Hasan Prishtinës.

Sot qyteti i Vlorës e ka në gjiun e vet Hasan Prishtinën, por kësaj i prarapriu një kronologi e tërë ngjarjesh e idesh, të cilat u sublimuan para disa ditësh

Baballarët e Kombit Shqiptar, Hasan Prishtina dhe Ismail Qemali, të udhëhequr nga fryma e unitetit dhe e integritetit të popujve dhe marrdhënive të mira fqinjësore, edhe pas një shekulli, po shërbejnë si një shembull dhe tregues i mirë eksperiencë, se si thyhen kufijtë e ndarjes në mes të popujve me qëllimin e përbashkët dhe fisnik, që të gjithë të jetojnë të intergruar në një familje të madhe europiane.

Para se të përjetësohet në bronz Hasan Prishtina dhe të vendoset këtu në Vlorë, në nivelet më të larta shteterore, pikërisht me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, arritëm të realizojmë me sukses ngritjen, nderimin dhe përjetësimin në bronz, të figurës së Hasan Prishtinës në tri kryeqendrat shqiptare: në Prishtinë, në Shkup dhe në Tiranë, dhe në fund të kurorëzojmë dekorimin në nivelin më të lartë të Shtetit Shqiptar.

Kjo ide e hershme, të cilën e kishim menduar që në vitin 1997, në Munich dhe në Tiranë, së bashku me zonjën e nderuar Nermin Vlora Falaskin, mbesa e Ismail Bej Vlorës, tani më u bë realitet.

Është edhe një ide tjetër që më ka mbetur peng pa u realizuar. Është kjo ideja që parashtrova në formë të kërkesës zyrtare propozuar, në Janar dhe Prill të vitit 2014, drejtuar dy bashkive tona , asaj të Prishtinës dhe Vlorës, dhe e cila u pranua. Fjala është për propozimin tim drejtuar Shtetit Shqiptar, për rivarrimin e mbetjeve mortore të Hasan Prishtinës nga Kukësi për në Varrezat e Panteonëve, të cilat i mungojnë Tiranës dhe Prishtinës. Mbetem me shpresë se pas vendosjes së shtatores në Vlorë, nderi i radhës që do t’i bëhet Hasan Prishtinës do të ishte sjlleja e eshtrave të tij në një kompleks të përbashkët me heronjt e kombit në Tiranë.

Sot kur ndodhemi para shtatores gjikante të Hasan Prishtinës, më duhet të përmendi edhe një nder që iu iu bë këtij kolosi nga ana e Shtetit shqiptar më datën 2 Maj 2014. Një obligimi ky i vonuar i shtetit shqiptar për të dekoruar Hasan Prishtinën nga Presidenti Nishani me “Urdhërin e Flamurit”, tash më u bë realitet.

Njëra nga arsyet më të rëndesishme për të akorduar këtë çmim ishte parimi i vetvendosjes. Hasan Prishtinanë në Parlamentin Osman derisa ishte Deputet u quajt dhe si Luani Prishtinës, sepse luftonte për të drejtat e shqiptarëve si luan dhe arsyeja tjetër lindi si kërkesë gjysëm e kushtëzuar, për shkëmbimin e Shtatoreve të personaliteteve të mëdhenj të Shtetit Shqiptar, Hasan Prishtinës dhe Ismail Qemal Vlora.

Mendoj se duke u përpjekur sadopak për të përjetësuar figurën dhe veprat e këtyre legjendave të shqiptarëve, të cilët vunë themelet e Shtetit Shqiptar, ne po u transmetojmë një trashëgimi të madhe kombëtare brezave që do vijnë në të ardhmen.

Hasan Prishtina ishte zëri i kryengritësve të Kosovës dhe mbarë krahinave të Shqipërisë, deri në toskëri, në prag të shpalljes së Pavarësisë dhe bashkë me Ismail Qemalin ky projekt madhor i Rilindjes sonë i krijoi predispozitat që të radhitemi në mesin e kombeve me dinjitet.

Vlorë, 30 maj 2022

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat