Shoqata sindikale e Muzeut Kombëtar kërkon t’i jepet fund anarkisë, mosllogaridhënies, shkeljeve ...

Kultura

Shoqata sindikale e Muzeut Kombëtar kërkon t’i jepet fund anarkisë, mosllogaridhënies, shkeljeve ...

Më: 17 nëntor 2022 Në ora: 19:34

Në mbledhjen e Shoqatës Sindikale të Punëtorëve të Muzeut Kombëtar të Kosovës (SHSPMKK) të mbajtur me datën 09.11.2022, u diskutua për shumë probleme dhe parregullsi që e shoqërojnë këtë institucion të rëndësishëm të trashëgimisë kulturore që nga paslufta e deri më sot. Me ardhjen në krye të MKRS, të Ministrit z. Hajrulla Çeku, shpresuam që shumë çështje të adresuara me herët të gjejnë zgjidhje, por edhe përkundër përpjekjeve tona të vazhdueshme për ta takuar, ai nuk ka treguar gatishmëri ti dëgjoj pakënaqësitë tona.

Ndaj, disa nga çështjet dhe shqetësimet e ngritura nga punëtoret e këtij institucioni janë:

1. Anarkia e vazhdueshme në Muzeun Kombëtar të Kosovës si; mungesa e transparencës, mosllogaridhënja, shkeljet e akteve normative, etj.

2. Mos përfshirja dhe anashkalimi i stafit kryesor profesional e shkencor në përgatitjen e dokumenteve si; draft-ligji për muzetë, strategjia, rregulloret dhe statuti.

3. Mungesa e kritereve profesionale e shkencore në MKK, si dhe degradimi i titujve më të lartë shkencor dhe profesional.

4. Mos vazhdimi i kontratave për punëtorët me MSHV në Muzeun Kombëtar të Kosovës dhe vonesat e pagesave për të angazhuarit tjerë.

5. Gjendja e rëndë në shkallë emergjente e koleksioneve të MKK-së, përfshirë këtu edhe procesin e inventarizimit.

6. Tejkalimi i kompetencave, mos aprovimi i projekt-propozimeve, presioni dhe ndërhyrja e Këshillit Drejtues të MKK-së në të drejtat dhe detyrimet e stafit profesional të MKK-së, në kundërshtim me Ligjin për Zyrtar Publik dhe Statutin aktual të MKK-së.

7. Angazhimi i vazhdueshëm i një grupi të vogël nga personeli i MKK-së i përkrahur nga niveli drejtues në MKRS, pa plotësimin e kritereve ligjore si; zëvendësues i drejtorit të MKK-së, pjesëmarrja permanente nëpër komisione të ndryshme vlerësuese, pjesëmarrje në grupet punuese për hartimin e akteve ligjore dhe koncept dokumentet strategjike, etj.

8. Caktimi i disa anëtarëve të Këshillit Profesional, pa i respektuar kriteret bazë të cilat janë; grada shkencore, përformanca, përvoja e punës, etj.

9. Mungesa e një akti nënligjor për organizimin dhe sistematizimin e vendeve të punë në Muzeun Kombëtar të Kosovës.

10. Mungesa e një udhëzimi administrativ për organizimin e punës në Këshillin Profesional të MKK-së.

11. Shuarja e sektorëve dhe pozitave drejtuese në MKK. Shoqata Sindikale e Punëtorëve të Muzeut Kombëtar të Kosovës, përmes kësaj shkrese rikonfirmon edhe një herë, se në rast të mosplotësimit të kërkesave të lartcekura do të vazhdojmë të kërkojmë respektimin e kërkesave tona institucionale, përmes rrugës ligjore.

Me nderime, Kryesia e Shoqatës Sindikale të Punëtorëve të Muzeut Kombëtar të Kosovës (SHSPMKK), Prishtinë,

Fahri Sheqiri, kryetar

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat