U kapa në litar të lotëve

Kultura

U kapa në litar të lotëve

Nga: Zymer Mehani Më: 29 dhjetor 2023 Në ora: 12:12
Zymer Mehani

U kapa në litar të lotëve,

Në errësirën e asaj nate të thellë,

Sytë e mi të mbytur në mall e vuajtje

Të dërrmuar nga i jetës helm e vrer.

U kapa në litar të lotëve,

Në atë natë të heshtur e të hidhur,

Kur tingujt e melankolisë flisnin me pikëllimin,

Dhe yjet shihnin në sytë e mi trishtimin.

Në litarin e lotëve, unë rrija i heshtur,

Si meit i shkretë, në melodi i tretur,

Dhe pikëlotët bëheshin si të detit valë,

E kujtimet rriteshin, bëheshin sa një mal.

U kapa në litar të lotëve,

Dhe çdo lot ishte një poezi e fshehur,

E shkruar me dhimbje dhe kujdes të pashuar,

Në faqen e heshtjes sime, nën hijen e harruar.

Por lotët nuk ishin vetëm dhimbje,

Ata ishin edhe shpresë e ndezur,

Sepse në çdo pikëlotë, shikoja yje të ndritshme,

Të cilët më udhëzonin shtigjeve të stuhishme.

U kapa në litar të lotëve,

Por sot, ky litar është shndërruar në fjalë,

Që shpërfaqen në vargje dhe në zemrën time,

Dhe poezia vazhdon të rritet si lastar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat