Gani I. Mehmeti "Këngë dasme"

Kultura

Gani I. Mehmeti "Këngë dasme"

Nga: Zymer Mehani Më: 1 mars 2024 Në ora: 11:00
Kopertina e librit

Prof. Gani Mehmeti, autor i shumë publikimeve të tij gazetareske e pedagogjike, që i bëri në shtypin e kohës, si dhe i monografive të ndryshme, (si: "Pakashtica", 2005; "Mavriqi i Llapit I", 2010; "Tërrnavica", 2014, një dramë të shkurtër "Ra dëshmitari, u prish pazari" më 2016, "Diçka nga ajo çka tha Jahir Potoku", 2018; "Mavriqi i Llapit 2", bashkautor, - 2002, Monografia e SHME-së “Isa Boletini” dhe “Toponimia e Llapit”), tani për lexuesit e tij po e sjell librin e radhës nga fusha e folklorit, “Këngë dasme”.

Në këtë libër do të gjejmë këngë fejese, këngë dasme, këngë kanagjeqi, këngë bullash dhe këngë për heqjen e avlisë, d.m.th, këto janë këngë që kanë të bëjnë me festën e martesës-dasmën.

Autori, duke e ditur rëndësinë e mbledhjes së folklorit, si bashkëpunëtor i jashtëm i IAP-së, më në fund vendosi që këtë material të mbledhur në vitet ’70, të mos e lë edhe më tutje në sirtar, por ta botojë, që vërtet është hap i mirë i tij, ngase kësofare i shërben kulturës kombëtare përgjithësisht dhe shkencës së folklorit shqiptar në veçanti.

2.

Në recensionin tonë për këtë libër të vlefshëm, do të bëjmë përpjekje të flasim diç për këngët e dasmës, duke ilustruar mendimet tona me vargje të këngëve, të shkëputura nga ky libër i Profesorit Gani Mehmeti.

Dr. Demush Shala, studiues i letërsisë popullore dhe ish-profesor universitar i kësaj lënde, për këngët e dasmës thotë: “Dasma si akt martese zgjat një kohë bukur të mirë. Ajo nis me ditën e fejesës (vlesës) dhe përfundon me ditën e nuses.” Ky studiues edhe për hapin para dasmës (fejesën), thotë: “Fejesa është akti i parë i dasmës, kur dy familjet merren vesh për lidhjen e fatit të djalit dhe të vajzës.” Në këtë rast këndohen këngë të fejesës, të njohura pjesërisht edhe me emrin këngët e mësitit (shkuesit), të cilat zakonisht këndohen vetëm në shtëpi të djalit. “Në to shprehet gëzimi e dëshira që nusja të jetë e mirë në çdo pikëpamje-për punë, urti e bukuri”

Sipas traditës shqiptare, këngët e dasmës janë pjesë e rëndësishme e festave të martesave. Këto këngë janë të frymëzuara nga kultura dhe traditat tona të lashta, dhe si të tilla shërbejnë për të festuar dhe për të dhënë ngrohtësinë e emocioneve gjatë dasmës. Ato janë të zhvilluara dhe të ndryshme sipas rajoneve të gjeografisë sonë kombëtare, duke reflektuar bukurinë dhe diversitetin e kulturës shqiptare, të cilat kanë një histori të gjatë dhe janë një pjesë e rëndësishme e kulturës sonë.

Ashtu siç i gjejmë edhe në librin e Prof. Gani Mehmetit, këto këngë janë ndarë në disa kategori, të cilat zbulojnë aspekte të ndryshme të dasmës dhe emocionet që lidhen me to.

Këngët e dasmës janë këngë që kryesisht i japin epitete të mira çiftit martesor, djalit dhe vajzës. Në ato raste ngrihet lart jeta e të rinjve. Ata konsiderohen për shembull si “studentë” edhe atëherë kur ata nuk janë të tillë.

Më herët janë kënduar këngë që kanë pasur përmbajtje serioze, por edhe gazmore, kurse kohët e fundit ka hyrë për fat të keq edhe stili i ashtuquajtur “tallava”, ku përveç ritmit, nuk ka asgjë përmbajtjesore.

Këngët e dasmës janë të frymëzuara nga gëzimi që shoqëron dasmën. Në to (dhe nëpërmjet tyre) shprehet lumturia dhe entuziazmi i çiftit dhe i familjes, në këtë moment të veçantë. Ato janë të pasura me poezi romantike dhe frymëzohen nga dashuria e çiftit, duke përshkruar ndjenjat e dashurisë ndërmjet nuses dhe dhëndrit, dhe shpesh mbajnë mesazhe të thella emocionale. Këto këngë flasin edhe për historinë dhe traditën e vendit. Ato ruajnë kujtimet e lashta dhe ngjarjet historike të kombit tonë, duke i dhënë dasmës një thesar kulturor të pasur.

Këngëtarët e dasmës shqiptare përdorin instrumente tradicionale si lahuta, fyell, çifteli dhe instrumente të tjera për të krijuar muzikën e tyre. Këto këngë janë të karakterizuara nga melodia dhe ritmet tradicionale të zonave të ndryshme të gjeografisë kombëtare shqiptare.

Në librin e Prof. Gani Mehmeti hasim këngë që për temë kanë përgatitjet për dasmë sipas traditave tona. Këto këngë këndohen edhe për grupin e dasmës, që merret me përgatitjen e dasmës. Këtu përfshihen familjarët dhe miqtë më të afërt që do të marrin pjesë në dasmë. Ata do të kenë rol të veçantë në kryerjen e detyrave të ndryshme dhe organizimin e ngjarjes (dasmës).

Edhe me rastin e ndarjes së vades (akti që i prin dasmës), këndohen këngët e dasmës.

Pas fejesës, është ndarja e vades. Caktimi i kohës për marrjen e nuses i ka paraprirë përgatitjes për dasmë nga ana e atij që merrte nuse dhe kanagjeqit, nga ana e atij që përcillte vajzën. Prandaj edhe me këtë rast mysafirët kanë shkëmbyer urime, si p.sh: “o filan, a ke nda vade?” dhe përgjigjja e pritësit është: “po”, ndërsa uruesi uron me shprehjet “ani si koft hajr”, “ani përhajr u koft!” e ndonjë nga brezi i ri edhe “urime” etj.

Si akt ceremonial i paradasmës është dërgimi i teshave, siç thuhet “mi qu teshat” (gjithçka që ishte blerë për nusen, nga këpucët te stolitë e arit). Në popull ky akt njihet si java e dasmës. Është kjo koha e dërgimit të rrobave të nusërisë. Në këtë rast, miku shtronte drekë për miq. Në përfundim të bukës paguhej “dashi”. Pra liheshin para në masën sa mund të blihej një dash, i cili do të therej nga ana e familjes së vajzës. Ka pasur raste kur miku është detyruar ta blejë dhe t’ia dërgojë dashin mikut. Por nëse miku ka qenë i pasur dhe nuk e ka ndjerë të nevojshme, nuk ka pranuar që të paguhet dashi. Kjo traditë në kohët e fundit nuk praktikohet, por nuk shpëton asnjë rast që të mos përmendet (në formë të mahisë).

Krejt çka ka mbetur prej atij zakoni, janë fjalët:

-Po dashi ku po jet? Zakonisht pyet dikush nga fqinjët, apo daja i vajzës:

-Po more, s’ka problem. Veç kallxo sa duhet! thotë miku.

- Jo more, leje atë punë, po çfarë dashi!... thotë babai i vajzës.

-Na domë mish! thotë dikush prej fqinjëve.

Në ato momente krijohet gjendje, dikush pro e dikush kundër dhe bisedën e mbyll ndonjëri prej fqinjëve:

-Unë përgjigjem, un’ e bie dashin, mos ma ngucni mikun! dhe kështu mbyllet biseda.

Në fund caktohet koha e ardhjes së krushqve. Në këto raste dëgjohen fjalët:

-N’sa ora po na pret, o mik? !

Ndërsa miku pritës, babai i nuses cakton kohën ose edhe i jep mundësinë që të zgjedh miku me fjalë:

-N’sa ta don qefi ty, kur të duash. Por mikut pritës i intereson:

-Me sa vet vjen? etj.

Miku i përgjigjet me një shifër të përafërt.

i nuses: Gatimi i kulaçit paraqet aktin më interesant që zhvillohet ditën e enjte, herët në mëngjes, gjithsesi paradite.

Në një dhomë tubohen gra dhe vajza, e shtrojnë sofrën në mes të dhomës, merret miell, vezë, qumësht, sheqer dhe yndyrë dhe fillon gatimi. Ndryshon tradita nga regjioni në regjion: në disa vende, gatimin e kulaçit e fillon një djalë, diku tjetër e fillon një vajë e re dhe e përfundon një grua e moshuar. Nëse merren dy nuse gatuhen dy kuleçë. Vajza që duhet ta gatuajë kulaçin e vë në gojë një monedhë metalike, të cilën duhet ta mbajë derisa të gatuhet e të piqet kulaçi. Ky akt lidhet me kujdesin që duhet ta ketë vajza, për të mos folur. Të mosfolurit e vajzës që e gatuan kulaçin lidhet me atë që edhe nusja të jetë e pafjalë, ose siç shprehet populli: e pagojë! E gjithë koha e gatimit të kulaçit përshkohet me këngë nga më të ndryshmet, më gazmoret nga të pranishmit: grave dhe vajzave.

Akti i fillimit të gatimit përshkohet edhe me doza humori.

Vajza që është caktuar ta gatuajë kulaçin thumbohet me fjalët:

kush e qet kulaçin, kulaçin,

e merr burrë kovaçin,

kush e çet simitin, kulaçin

të dy duart ju trashin!

Ndërsa vargjet më të mira shkojnë në llogari të dhëndrit dhe nuses:

Sitet millin’maxhe t’re,

perhajr t’koft o bab kjo re

Sitet milli n’maxhe t’kuqe,

perhajr t’koft oj nan kjo nuse! etj.

“Me këtë ceremoni të përcjellë me këngë dhe të shtëna pushkësh, fillon edhe vetë dasma.”

Zgjedhja e vendit të dasmës është thelbësore.

Shpeshherë, dasma mbahet në shtëpinë e njërës prej familjeve të djalit apo të vajzës. Por në raste të tjera, është e zakonshme që dasma të zhvillohet në një ambient të veçantë, si restorant, sallë, ose ambient natyror.

Deri para disa vitesh dasmat zgjasnin tri ditë, ndërsa kohëve të fundit ato janë reduktuar në dy ditë, apo vetëm në një ditë. Më herët ato janë organizuar në shtëpi të prindërve të djalit, kurse në kohët e fundit po organizohen në restauronte e lokale përkatëse për dasma.

Përgatitja për dasmë: Një javë para se të fillonte dasma mblidheshin bijat, (vajzat e martuara, motra, halla të dhëndrit). Ato bëheshin pjesë e punëve përgatitore për dasmë. Rregullonin shtëpinë, dilnin te fqinjët dhe tubonin gjësende që i mungonin shtëpisë që bënte dasmë.

Magjetorja: Për përgjegjësinë e gatimit të bukëve, piteve byrekëve dhe gjërave tjera caktohej një grua e fqinjëve në rolin e magjetores. Ajo ishte përgjegjëse, kurse në ndihmë i vinin edhe gra tjera.

Kanagjeqi: Vajza e vë bojën në flokë dhe fillojnë të qarat e para të saj. Këna vihet në thonj të duarve e të këmbëve, pastaj edhe në shpinë të shuplakave. Ceremonia e të vënit të kënës është moment me rëndësi që bën vajza në shtëpi të vet një natë para martesës. Ky akt shoqërohet me këngë, brendësia e të cilave është e shumëllojshme. Atë, herë e kurajojnë vajzën që do të shkojë nuse, herë e pikëllojnë dhe e bëjnë të plasë së qari, herë-herë edhe e gazmojnë dhe i bëjnë për të qeshur të pranishmet.

Kaj oj motër n`der t`hamarit,

Ty t`ka lanë loja e bajramit!

Kaj oj motër n`der t`qilerit,

Ty t`ka lanë loja e shingjergjit!

Kaj oj motër, kris e plas,

Se çiknija nuk t`vjen përmas!

Kaj oj motër, mos kaj për mue,

Kaje venin ku kie me shkue!

Pasi t’ia kenë kënduar të kaluarën, ta kenë mallëngjyer për shtëpinë prindore që do ta lërë, për ta qetësuar pak, sepse ka qarë mjaft, zënë t’ia shajnë shtëpinë ku do të shkojë, vjehrrinë, kunetët, por edhe burrin, gjithnjë nëpërmjet këngëve. Atëherë, vajza nuk qan, por vetëm dëgjon. “Këngët e tilla i përshkon një humor interesant, por ndonjëherë edhe ndonjë dromcë thumbimi.”

Kaj moj çiko, n’shami t’verdhë,

Lulat e pranver’s kush nuk i ka mledhë?

Se mos dash, çiko me shkue,

Mos hi nër plaka, n’dash me pshtue!

Kaj moj çik’, del te ara,

Kush i del babes përpara?

Thotë e dyta, qe ku jam,

Si e para, rahat s’um ban!

Na u tha rrushi, pej rrajs t’vet,

U da çika pej nans t’vet!

Po priton çika me kajtë,

Po kujton qi po shkon te dajtë!

Na i ka ra dhanrri kah zidi,

Shuej oj qyqe se po t’myti!

Dil oj çiko kqyre hanen,

O ardhë vakti me e ngjitë kanën!

Por edhe :

Kaj oj motër n’dimi t’bardha,

Burrin tan e plastë e dala,

E kanë thirrë krejt mahalla,

E kanë thirrë e pe presin,

Vjet për vjet polar e qesin.

Vjet për vjet asht polar,

Derë për derë me kanar.

Po e lyp drithin farës s’bardhë,

Herë dy killa herë nji killë,

Hanë për darkë e s’jetë për sillë!

Bullat luajnë një rol të rëndësishëm: Përderisa burrat (krushqit), ditën e dasmës priten nga meshkujt e familjes së nuses, gratë (bullat) priten nga gratë e familjes së nuses. Kur ato kanë shkuar ta marrin, dhe të shtëpisë së nuses e çojnë tek bullat për herë të parë nusen, sipas vendit e traditave, ndodh të çohen në këmbë bullat me këtë rast në shenjë admirimi, dashurie e respekti edhe për nusen që po e marrin, duke filluar edhe të vallëzojnë, me nusen në mes të rrethit, bullat sillen rreth saj duke vallëzuar dhe nisin e këndojnë:

Paska math Lulija papuçe

Shih sa e mirë koka ba nuse!

Paska vesh Lulija jelek, -

Sa hije të paska, e bajsh me shnet!

Paska vesh Lulija mitan,

Mashalla, po i bika taman,

Kur t’i mush Lulija njizet vjet,

S’i hin dora n’ xhaketë!

Kur t’i mush vjet e veta,

S’e nxen kmisha, as xhaketa!

Kur t’i mushë vjet taman,

Nuk i hin dora n’mitan!

Këngët e grave të kerrit (të bullave) janë improvizime të shpejta, që u këndohen bullave nga gratë dhe vajzat e familjes së nuses:

Hajdi oj bulla, mos kini dert,

Na me sha nuk e kemi adet.

As nuk dime as nuk dome,

Pej bab’s tonë nuk guxojmë.

Ori bulla ori janxhija,

Rrini shlirë si me kanë te shpija,

palltat virrni n’qivia.

Këto këngë pastaj i këndojnë vajzat (nga familja e dhëndrit) në oborr, apo para derës së dhomës së nuses, kur shkojnë për ta marrë. Kur priten krushkat, këto këngë këndohen gjatë kohës sa qëndrojnë në shtëpi të nuses:

Nana e nuses, hiç mos kaj,

Ta biem lulinë javë për javë!

Nana e nuses, mos u mërzit,

E biem Lulinë ditë për ditë!

“Këto këngë janë shfrime të pamatura gojore, të cilat ngërthejnë vargje plot humor, përqeshje e shpotitje të rënda që arrijnë gradualisht gjer në sharje të papushuara e në mallkim.”

Krushqit: Në dasmat tona, organizimi i krushqve është një proces i rëndësishëm dhe i detajuar. Fillimisht ftohen miqtë dhe familjarët e tyre. Krushqit kanë detyrat e tyre specifike si përgjegjësit për organizimin e dasmës. Ata ndihmojnë në përgatitjen e vendit, dekorimin e ambientit dhe organizimin e ceremonisë.

Gjatë dasmës, krushqit janë dëshmitarët kryesorë dhe ndihmojnë në mbarëvajtjen e dasmës sipas traditës shqiptare. Ata këndohen dhe u thuhet udha e mbarë, me t’u nisur për ta marrë nusen dhe porositen që:

Udha e marë, more krushku i parë

I thue nuse mos t’kanë!

Udha e marë o krushku i dytë,

I thue nuses, mos i çel sytë!

Udha e marë o krushku i tretë,

I thue nuses, mos t’hyp n’kerr vetë!

Në të kthyer, krushqit qerren e nuses dhe pajën e saj e lënë prapa karvanit të dasmorëve, dhe sipas mundësisë ndërrojnë rrugën për të humbur gjurmët e shpirtrave të këqij, që gjoja mund t’i bëjnë ndonjë të ligë nuses.

Në fund, pasi të ken mbërri në shtëpi të dhëndrit vazhdon festa me këngë, valle dhe argëtim të tjera.

Po vjen kerri kah xhamia,

A muj erdht motrat e mia?

Hini kerri n’der’ t’ oborrit,

Kie e kerr janë të Sokolit!

Na erdh kerri kah dera e shpisë,

Kerr e kie janë t’zotnisë!

Na erdh kerri kah dera e qilerit,

Kerr e kie janë të dylberit!

Kush po doket qatje kuq,

Vllau jem po therret krushq!

“Krushqit zakonisht duhet të shkojnë tek.”

Kjo është një traditë e bukur dhe emocionuese në dasmat shqiptare!

“Në derën e shtëpisë së dhëndrit më së pari hyn qerrja e nuses, paja e pastaj dashmorët.” Në atë rast, dikush (ndonjë plak) hedh mbi qerre të nuses kokrra sheqeri, të përziera me grurë, elb e fasule, duke dëshiruar që në këtë mënyrë nusja në atë shtëpi të hyjë me bereqet.

Posa të zbresë nusja, këndohet e vallëzohet para saj:

Qet avli e trashigosh,

Avli tjetër kurrë mos vnofsh!

Mashalla po hiqet avlia,

Nanë herë n’ ditë fshihet shpija!

Fshihet shpija, laget me ujë,

Mos ja mush sytë kerkuj!

Zbritja e nuses: Me të arritur në oborrin e dhëndrit rreth kerrit të nuses mblidhen më të afërmit. Përgatitet një djalë i moshës 5-8 vjeçare, që njihet si djali i duvakut. Ai mbështillet me çarçaf dhe i vihet nuses në prehër. Ideja e këtij veprimi lidhet me dëshirën që nusja të bëjë djem. Nusja i jep një dhuratë djalit të duvakut. Më i moshuari e merr përdore dhe e zbret nusen nga kerri. Kur ajo zbret në tokë, dhëndëri hedh sheqer nga dritarja. Sipas zakonit shtihet edhe me armë zjarri.

Në vazhdim, nusja e shoqëruar nga vjehrra dhe kunatat drejtohet nga hyrja, ku e pret një enë me sherbet, në të cilën ajo i lyen duart dhe e prek tri herë pragun e shtëpisë. Ideja e këtij veprimi lidhet me atë që nusja ta kalojë një jetë të ëmbël në shtëpinë e re. Fjalët dhe shprehjet që e përcjellin këtë pjesë të ceremonisë së dasmës janë: Mashalla, si bajrak koka! Uuu! si rreze dilli koka! Përhajr! Përhajr e me nafakë!, Ishalla ka ardh me kam t’mar! Ja pafshi hajrin! Ishalla ta mush shpijen me djem! Ni katun u baft pi tyne! etj. Për ndryshe, kjo pjesë përshkohet edhe me këngë e hedhje vallesh.

O nal dielli, veç po kqyrë-eo,

Lula jonë, shih sa e mirë-eo!

O nal dielli, s’po praron-eo,

Lula jonë, veç po çkrep-eo,

Sikur hana pesumdhet-eo!

Duvaku i hiqet me ceremoni. Diku ia heq vetë dhëndri, diku tjetër vëllai apo babai i dhëndrit, apo dikush tjetër nga familja ose nga farefisi.

Hyrja e dhëndrit në gjedek: Pas kryerjes së të gjitha ceremonive të pritjes, vjen momenti i hyrjes së dhëndrit në gjerdek. Në atë ceremoni marrin pjesë familja e ngushtë. Të gjithë bëhen rend për ta përshëndetur dhëndrin, të fundit janë prindërit të cilët ia bëjnë “hallall” të birit mundin nga lindja deri në atë moment. Ata i thonë: Perhajr e u trashëgofsh! Ia pafsh hajrin! Djali ua kthen: Faleminderit e ma bani hallall! I thonë prindërit Hallall të koft!. Në hyrje të dhomës, disa të rinj qëndrojnë të gatshëm për t’ia dhënë ndonjë grusht në shpinë, si shenjë “adeti”. Dhëndri pasi hyn brenda e nxjerr një dhuratë për jashtë, duke e hedhur në mesin e turmës. Ai që arrin ta kap dhuratën, quhet me fat. Nëse i bie që ta marrë ndonjë i ri, të pranishmit thërrasin: Aaaa bravo t‘u lshu reni!

Më pas, në derë të dhomës së dhëndrit përgjon dikush, derisa ai të dëgjohet duke folur me nusen. Kjo ndodhë të sigurohej se fëmija i këtij çifti nuk do të ishte “belban”, me të meta në të folur. Më tej nga të pranishmit hidhen valle e këndohen këngë.

Sa ka bari livadhi i madh,

Vllau i jem kish pasë igball!

Sa ka bari livadhi i gatë,

Vllau jem kish pasë nafakë!

Derës së dhëndrit i vihet një sofër, e cila simbolizon begatinë.

Nxjerrja e dhëndrit: Në mëngjes, vjehrra ngrihet herët dhe gatuan petulla. Tubohen të afërmit dhe nën tingujte defit hyjnë në dhomë i gjithë farefisi dhe të afërmit e dhëndrit. Dikur nusja ua ka marrë dorën të gjithëve që kanë hyrë në dhomë. Vjen momenti i thyerjes së kulaçit. Në anën e nuses vihen femrat, kurse në anën e dhëndrit vihen meshkujt. Kapet kulaçi nga të dy palët dhe në njëfarë mënyre bëhet garë se kush merr ma shumë. Shtrohet sofër, apo diçka tjetër dhe hahet nga një copë kulaç nga të pranishmit. Akti përmbyllet duke lënë para në sofër, të cilat i takojnë nuses, me fjalët: Përhajr! U trashëgofshin! Nga ndonjë i ri edhe: Urime! etj.

Edhe në kët rast i këndohet nuses:

Lulijo, e kie liri,

N’dash n’fiston, n’dash n’dimi,

N’dash kryeshtruat, n’dash n’shami!

Lulijo, bukuria e nanës,

Vllau jem, shoferi i dramës!

Lulijo, lula e lulueme,

Na po knojmë, oj me zemër t’gzueme!

Me këtë akt konsiderohet dhe mbyllja e ceremonisë së dasmës.

Përfundim

Fillimi i dasmës shoqërohet me këngë të ndryshme, ku lëvdohet shtëpia si e pasur që ka bërë gjithçka vetëm e vetëm që dasma të jetë madhështore, me ç’rast urohet i zoti i shpisë me fjalë të përzgjedhura:

Na u nis darsma, për me u nisë,

Për hajr t’koftë o i Zoti i shpisë!

Oda jonë me vullnet,

I kem thirrë pesqin vetë!

Pesqin vetë kanë me na ardhë,

Gjysa msojsa, gjysa arsimtarë!

Në dasmë i këndohet nuses, të cilën zakonisht e lavdërojnë. Pastaj përshkruhet bukuria fizike:

Na ka ardh nusja e bukur mashalla, marshalla,

Po kërcen sikur flutur mashalla, marshalla

Pastaj renditen vargjet ku paraqitet mençuria e nuses... I këndohet perspektivës që e pret në familjen e re nusen etj.

Lulijo, lumja ti për veti,

Qi erdhe te na e nuk shkove n’gjeti!

S’shkove n’gjeti me gri duhan,

Po erdhe te na, me bajtë najllon!

S’shkove n’gjeti, me korrë kallamboq,

Po erdhe te na, me bajtë kumosh!

Lulijo, oj, me bluzë të kuqe,

Na ty t’kem bajrak nër nuse!

Në këtë atmosferë i këndohet edhe familjes së nuses, i lavdërohen prindërit dhe vëllezër e motra, edhe pse babai i nuses, mund të jetë mërzitur, siç shpotitet në këngë, sa që nusja ka shpërthyer në vaj:

Baba i nuses po mërzitet,

O dalë n’bashqe e po rrezitet!

Kalle oj qyqe nji cigare duhan,

Na ta marrim çiken e s’kie çka ban!

Nana e nuses, te bunari,

Boll shumë veti, qysh a djali!

Djali jonë qysh ka me kanë,

S’e kie çiken për djalë tonë!

Tradicionalisht, këngët e dasmës shqiptare te burrat janë kënduar nga këngëtarët e quajtur "lahutarë". Lahutarët janë burra të specializuar në këndimin e këngëve tradicionale shqiptare gjatë dasmave dhe festave. Ata këndojnë këngë të veçanta të quajtura "lahuta", që janë të përshtatura për të përshkruar ngjarjet dhe emocionet gjatë dasmës.

Lahutarët janë zakonisht burra të njohur në komunitetin e tyre për aftësinë e tyre vokale dhe njohurinë e hollësishme të këngëve tradicionale. Ata këndojnë me zë të lartë dhe emocion, duke përdorur teknika specifike të këndimit tradicional.

Gjatë dasmave shqiptare, lahutarët marrin pjesë në ritualet e dasmës, duke kënduar këngët e përcjelljes së dhëndrit nga shtëpia e vajzës në shtëpinë e dhëndrit. Ata gjithashtu këndojnë gjatë momenteve të tjera të dasmës, siç janë këndimi i këngëve për fejesën, martesën dhe festat tjera të lidhura me dasmën.

Në traditën shqiptare, edhe gratë gjithashtu kanë një rol të rëndësishëm në këndimin e këngëve të dasmës. Në dasmat shqiptare, gratë ndërtojnë një atmosferë festive duke kënduar këngë të veçanta dhe kërcime tradicionale.

Gratë zakonisht këndojnë këngë të quajtura "nuse", të cilat janë këngë të veçanta që lidhen me martesën dhe dasmën. Këto këngë shprehin emocionet, traditat dhe historinë e dasmës shqiptare.

Gratë shqiptare ndërtojnë harmoni të bukur dhe këndojnë me zë të lartë dhe emocion. Këngët e dasmës shqiptare që këndohen nga gratë janë zakonisht me tekst të pasur në poezi dhe me melodi tërheqëse.

Në disa zona të Shqipërisë, ka pasur edhe këngëtare profesioniste të quajtura "këngëtare" që kanë kënduar këngë të dasmës në dasma të ndryshme. Këto këngëtare janë njohur për aftësinë e tyre vokale dhe interpretimin e emocioneve në këngët e dasmës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat