Shqipëria përmes pikturës – 40 piktorë nga trojet shqiptare eksplorojnë Pukën

Kultura

Shqipëria përmes pikturës – 40 piktorë nga trojet shqiptare eksplorojnë Pukën

Më: 6 maj 2017 Në ora: 21:48
ilustrim

Shqipëria përmes artit të pikturës. E tillë është nisma e kolonisë së piktorëve, që ka mbledhur rreth 40 artistë të penelit nga trojet shqiptare, për të eksploruar bukuritë e vendit e për t’i hedhur ato në telajo. Destinacioni ishte Puka, aty ku magjishëm natyra malore të ofron peisazhe të veçanta dhe frymëzuese për çdo artist.

Piktorët, pjesa më e madhe e të cilëve vijnë për herë të parë në këtë qytet, shprehen të impresionuar nga bukuritë që ofron natyra e paeksploruar.

“Është hera e parë që pikturoj në Pukë dhe ta them me sinqeritet se jam i befasur nga peisazhi krejt ndryshe që unë kam ndeshur në pjesën tjetër të Shqipërisë:, u shpreh piktori Pashk Përvathi.

Ndërsa sipas piktorit Çaush Vathi “ky është një promovim për Pukën, sepse ne po evidentojmë vendet e bukura, natyrën dhe klimën e bukur”.

Frymëzimi është i lartë dhe sipas tyre, kjo natyrë grishëse, e bën unik peisazhin.

Piktori Spiro Panariti e konsideroi “fat këtë mundësi, që jo vetëm të vazhdojmë një traditë, por të shkelim Shqipërinë, dhe viset e tjera shqiptare dhe të konfirmojmë edhe një herë se Shqipëria është një vend i mrekullueshëm.”

Edhe për piktorin Luan Boriçi “artisti pavarësisht nga natyra romantike duhet të gjejë vlerën që mund t’i japë arti emocionalisht.”

Artistët shqiptarë të penelit kanë zgjedhur zonat më të bukura të qarkut të Shkodrës për t’i hedhur në telajo, si prezantimi më i mirë që mund ti bëhet Shqipërisë në galeritë e tyre, aty ku të huaj dhe vendas njihen me magjinë që ofron vendi ynë. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat