Kostumet shekullore të Strugës, ekspozohen në Muzeun Kombëtar - Bota Sot
Kostumet shekullore të Strugës, ekspozohen në Muzeun Kombëtar

Kultura

Kostumet shekullore të Strugës, ekspozohen në Muzeun Kombëtar

Më: 20 gusht 2018 Në ora: 16:56
Ilustrim

Dy kostume tradicionale të zonës së Strugës janë tashmë pjesë e koleksionit të Muzeut Historik Kombëtar, një dhuratë bujare kjo nga shkrimtarja Sadije Veseli, e cila prej kohësh jeton në Amerikë, por që origjinën e ka nga Struga, prej nga edhe vijnë këto dy kostume.

Njëra nga dy veshjet është një kostum popullor tradicional i gjyshes, që përmban dimijet, brezin, përparësen, shaminë dhe është më shumë se 1 shekullor, i gjithi i punuar me dorë në veg.

“Bëhet fjalë për një kostum që është mbi 100-vjeçar. Është një kostum popullor që është përdorur me rastin e martesës së gjyshes së vet dhe është i trashëguar në familje, çka në të vërtetë e bën pjesë unikale dhe të veçantë, pasi zona e Strugës është një nga zonat më të rëndësishme me popullsi shqiptare të përqendruar, por na jep edhe një aspekt tjetër të kësaj Shqipërie që mungon në Muzeun Historik Kombëtar”, shprehet Dorian Koçi, Drejtor i Muzeut Historik Kombëtar.

Ndërsa kostumi i dytë është më i ri. Ai i përket nuseve strugane të viteve ‘70-‘80 dhe përmban dimijet, brezin, këmishën e punuar me grep, shaminë ku bien në sy detajet e punuara me dorë.

“Kostumi tjetër daton më vonë, është kostum i cili vishet sërish në zonën e Strugës. Do të shikohet sigurisht nga specialistët tanë për të verifikuar vjetërsinë dhe përshkrimin e tyre. Të dyja janë kostume që plotësojnë njëra-tjetrën e që na japin një panoramë ndryshe të zhvillimeve etnografike të Strugës”, deklaron Koçi.

Drejtuesi i Muzeut fton të gjithë ata që kanë materiale etnografike, t’ia dhurojnë Muzeut Historik Kombëtar, ku jo vetëm do të ekspozohen, por do të bëhen kësisoj, edhe pjesë e historisë së kombit shqiptar.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...