Beogradi në protestë: E quajnë tradhti njohjen e Kosovës

Lajme

Beogradi në protestë: E quajnë tradhti njohjen e Kosovës

Më: 19 shkurt 2019 Në ora: 17:59

Qindra qytetarë, mbështetës të Partisë Demokratike në Serbi, protestuan mbrëmë në Beograd, kundër çdo marrëveshjeje me Kosovën. Njohjen e Kosovës nga Serbia, ata e quajtën tradhti ndaj të parëve të tyre.

Më shumë se një mijë qytetarë kanë marrë pjesë mbrëmë në shëtitjen protestuese në Beograd, “Ta ndalim tradhtinë, Kosova është Serbi”, të organizuar nga Partia Demokratike e Serbisë (DSS) dhe nismëtarët e “Apelit për mbrojtjen e Kosovës e Metohisë”, raporton agjencia serbe e lajmeve Beta.

Protestuesit, siç raportohet, u ndalën para Presidencës serbe duke kënduar “Oj Kosovë, Kosovë”. Ata brohorisnin “Nuk e japim Kosovën”, “Tradhti”, “Vuçiq, s’ka ndarje”, “Vuçiq, tradhtar”, “Vuçiq, ik” ndërsa në dorë mbanin pankarta “Marrëveshja e Brukselit është tradhti”.

“Kjo është një luftë për mbrojtjen e shtetit që na kanë rrëmbyer”, citohet të ketë deklaruar Millosh Koviq, kryetar i Këshillit Politik të DSS, i cili ka shtuar se “mbi Serbinë për herë të parë po valëvitet rreziku që dora serbe të nënshkruajë dorëzimin e Kosovës”.

“Nëse ai (Aleksandar Vuçiq) është i gatshëm të marrë vulën e tradhtisë, ne nuk jemi”, ka thënë Koviq duke shtuar se Vuçiq dhe miqtë e tij duan ta “gjymtojnë Serbinë dhe të krijojnë Shqipërinë e madhe”, raporton abcnews.

Protestuesve u është drejtuar edhe kryetari i dikurshëm i Komunës së Shtërpcës, Zvonko Mihajlloviq dhe përfaqësuesi i organizatës “Vija e kuqe – Proklamata e studentëve për Kosovë e Metohi”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat