Zëdhënësi i KFOR-it: Situata është e qetë - fluturimet janë të zakonshme, nuk ka rrezik për krizë humanitare

Lajme

Zëdhënësi i KFOR-it: Situata është e qetë - fluturimet janë të zakonshme, nuk ka rrezik për krizë humanitare

Nga: F.B. Më: 27 qershor 2019 Në ora: 09:02
KFOR

Zëdhënësi i KFOR-it, Viçenco Graso ka deklaruar se situata e sigurisë në Kosovë është e qetë dhe nën kontroll, ndërsa fluturimet e mbrëmjes së helikopterëve janë të zakonshme mbi komunat e Mitrovicës, Zveçanit dhe Zubin Potokut, shkruan “B92”, përcjell “Bota Sot”.

I pyetur nga “Politika” zëdhënësi Graso ka theksuar se në katër komunat e veriut të Kosovës sipas njohurive të gjendjes nga KFOR-i nuk ka asnjë rrezik për krizë humanitare dhe ka shtuar se kjo retorikë  nuk ndihmon në normalizimin e jetës së qytetarëve,

"Fluturimet e natës ka qenë stërvitje e zakonshme e ekipeve të reja dhe rrotacionit që është nën rrjedhë, Prandaj nuk ka asnjë arsye për ndonjë frikë” ka thënë Graso.

Lidhur me përforcimet me ushtarë në bazën e KFOR-it në “Nothing Hill” afër Leposaviqit, Graso ka thënë se kjo lëvizje e trupave të KFOR-it është e rregullt. Sipas tij është e njohur se misioni paqeruajtës i KFOR-it shpërndan trupat e veta në mënyrë të vazhdueshme duke testuar kohë pas kohe edhe gatishmërinë.

"Nuk ka asnjë ndryshim të strukturës së KFOR-it dhe çdo gjë është normale", ka thënë Graso, duke përsëritur se situata e sigurisë në Kosovë është e qetë dhe nën kontroll.

"Asgjë e papritur nuk mund të ndodhë dhe KFOR-i vazhdon të mbajë raporte dhe komunikim të rregullt me institucionet relevante në Kosovë dhe në Serbi", ka thënë zëdhënësi Graso.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat