Kaos në konvikte ku janë karantinuar të dyshuarit për coronavirus, u mungon gjithëçka, paralajmërojnë grevë

Lajme

Kaos në konvikte ku janë karantinuar të dyshuarit për coronavirus, u mungon gjithëçka, paralajmërojnë grevë

Më: 21 mars 2020 Në ora: 12:00
Pamje nga konviktet

Kosova ndodhet vetëm në ditët e para të përballjes me virusin që ka prekur dhe izoluar të gjithë botën, dhe ka filluar të përballet me mos kapacitetin për të menaxhuar këtë situatë e cila ditët në vazhdim do të jetë edhe më e rëndë.

Këtë e dëshmojnë të karantinuarit në konviktet e studentëve në Prishtinë të cilët njëzëri tregojnë për kaos dhe mungesë të gjërave elementare.

Të gjithë ata që ditëve të fundit kanë ardhur nga shtete jashtë Kosovës, janë izoluar në konviktet e studentëve në Prishtinë me dyshimin se mund të jenë të infektuar me coronavirus. Shumica prej tyre po ankohen për mungesë kushtesh, të higjenës, kontrollit mjekësor dhe ushqimit. Këto ankesa po i transmetojnë edhe përmes videove të shpërndara në rrjetet e tyre sociale, duke dhënë edhe mesazhe e duke treguar edhe gjendjen e rëndë dhe mos organizimin e duhur të institucioneve aty.

Miremengjesi nga karrantinane cmendurise ne prishtine ku nata ka qene tmerr nje nene duke qajt qe sdojke me ahti femiun e vet ketu, e shtinen me ne fund dhe ku mengjesi fillon me bertima nga ballkoni sepse njerezit qe jane ardh dje skane peshkira, skane uje me pi me nerez te semuar brenda nga diabeti e alergji te ndryshme Ketu kemi me mbarru te gjithe.

Aktivistja Elvira Haxhiaga e cila është e izoluar në konvikte, pasi ishte kthyer nga Turqia ku kishte qenë për ta ndihmuar një person i cili kishte marrë trajtim mjekësor atje, përmes fjalëve dhe videove dëshmon se menaxhimi dhe gjendja e ambienteve ku ajo është izoluar nuk është aspak e mirë dhe as me kushte minimale.

Ajo ka dëshmuar se institucionet janë totalisht të paorganizuara, ku në një moment u mungonte edhe çelësi për të hyrë brenda në konvikte që t’i të ua kontrollojnë temperaturën të izoluarve, dhe planifikonin që ata t’i nxirrnin jashtë përmes dritareve të kateve të para. Në anën tjetër, as që bëhet fjalë për t’ua bërë testin e coronavirusit, gjë të cilën po e kërkojnë të gjithë të karantinuarit, me arsyetimin se ata që dalin të infektuar do të shkonin të vetëizoloheshin nëpër shtëpitë e tyre, ndërsa ata që nuk janë prekur nga virusi të liroheshin nga aty.

Haxhiaga thotë se janë nga tre – katër persona në një dhomë e edhe ata që nuk janë të infektuar do të infektohen aty.

“Nuk na kanë sjellë këtu për të na shpëtu, por për të na infektu të gjithëve. Këtu ka edhe njerëz të moshuar e të sëmurë me sëmundje të tjera, dhe atyre po u rrezikohet jeta”, thotë ajo.

Kjo gjendje te konviktet tregon më së miri se sa e papërgatitur është Kosova që ta përballojë këtë krizë, e cila në ditët në vijim do të bëhet edhe më e rënduar, dhe në bazë të kësaj që po shohim deri tani, edhe e pamenaxhueshme komplet.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat