Hapet këndi i arkivit të Shqipërisë në Agjencinë e Arkivave të Kosovës

Lajme

Hapet këndi i arkivit të Shqipërisë në Agjencinë e Arkivave të Kosovës

Më: 23 nëntor 2020 Në ora: 11:51
Bedri Zyberaj dhe Ardit Bido

Në Agjencinë Shtetërore të Arkivave të Kosovës është hapur këndi i arkivit shqiptar. Përmes kësaj po synohet të arrihet unifikimi i shërbimeve që ofrojnë arkivat për hulumtuesit. Tashmë, me vendosjen e këndit të arkivit shqiptar, studiuesit mund të shërbehen me materialet e arkivit të Shqipërisë, pa pasur nevojë që të shkojnë në Tiranë.

Kryeshefi ekzekutiv në Agjencinë Shtetërore të Arkivave të Kosovës, Bedri Zyberaj tha se të dy arkivat kanë sjellur shërbimin më afër studiuesve.

Zyberaj: Përmes hapjes së këndit të arkivit shqiptar po bëjmë unifikimin e shërbimeve

“Duke e hapur këndin shqiptar në arkivin e Kosovës, ne po bëjmë njësimin, unifikimin e shërbimeve që arkivat u ofrojnë në këtë rast hulumtuesve dhe studiuesve të ndryshëm dhe po u krijojmë mundësi që ata të kursejnë kohë, të kursejnë mjete dhe për shkak se dy arkivat tona ua kanë pru studiuesve, e sidomos hulumtuesve nga Kosova, më afër shërbimin për gjithë dokumentacionin e shumtë që gjendet në arkivin e shtetit shqiptar”, tha ai.

Këtë ai e konsideron edhe motiv për hulumtuesit e studiuesit.

Zyberaj: Hulumtuesit nga Kosova tani me lehtësi pajisen me dokumentet e arkivit shqiptar

“Hulumtuesit nga sot e tutje nga Kosova do ta kenë të njëjtën mundësi për të bërë hulumtim, për të marrë dokumentet që ju duhen, që konsiderojnë se janë në interes, taman si të ishin në mjediset e arkivit të Tiranës”, tha ai.

E drejtori i përgjithshëm i Arkivave të Shqipërisë, Ardit Bido, tha se kur është fjala për historinë, Shqipëria e Kosova janë një.

Bideo: Shqipëria dhe Kosova e kanë një histori

“Çdo studiues shqiptar nëse do të studiojë historinë e Shqipërisë nuk mund ta studiojë nëse nuk akseson arkivat e Republikës së Shqipërisë dhe arkivat e Republikës së Kosovës, sepse kur vjen fjala për historinë ne jemi një, një histori kemi të përbashkët, aq më tepër që dokumentacioni deri në vitin 45 nuk gjendet në arkivë ne Kosovës, mbi Kosovën, gjendet në arkivin shtetëror në Shqipëri. Në këtë kuptim mesazhi i parë që dua të jap është ky, ne kemi mundësinë që të unifikojmë, larg nacionalizmave folklorist dhe larg gjithë formave të tjera ashtu siç duhet të bëjnë institucionet serioze për ta hapur një kënd arkivor në rastin konkret të arkivit shqiptar në Republikën e Kosovës”, tha ai.

Ai theksoi se këndi i arkivit shqiptar i vendosur tashmë në Kosovë, do të u vijë në ndihmë në masë të madhe studiuesve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat