Tha se nuk duhet të mbetemi peng të së shkuarës, Thaçi i përgjigjet Edi Ramës

Lajme

Tha se nuk duhet të mbetemi peng të së shkuarës, Thaçi i përgjigjet Edi Ramës

Më: 29 korrik 2021 Në ora: 12:58
Jusuf Thaçi

Ish zëvendësministri në Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Jusuf Thaçi komentoi deklaratat e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama se vendet e Ballkanit Perëndimor nuk duhet të mbesin peng i së shkuarës.

Sipas Thaçit, Kryeministri Rama do të duhej ta vizitonte ueb faqen zyrtare të Bashkimit Evropian (BE) dhe aty te historiku i BE-së do të mjaftonte ta lexonte fjalinë e parë që thotë: "Bashkimi Evropian u krijua me qëllim të dhënies fund luftërave të shpeshta dhe të përgjakshme mes fqinjëve, që kulmuan me Luftën e Dytë Botërore".

“Mjafton që kësaj fjalie t'i shtohet fakti se Gjermania ishte njëri nga 6 shtetet nismëtare të krijimit të BE-së (fillimisht si Komuniteti Ekonomik Evropian). Veçse, kjo Gjermani tashmë ishte dënuar për krimet e Luftës së Dytë Botërore, i kishte pranuar ato krime, ishte distancuar nga ato krime, kishte pranuar të paguante dëmet e luftës që kishte shkaktuar ndaj të tjerëve, etj.. Vetëm me një Gjermani të tillë në këtë nismë ishte bashkuar edhe Franca, viktimë e drejtpërdrejtë e agresionit gjerman gjatë Luftës së Dytë Botërore. Vetëm me një mendësi të tillë mund të shpëtohet nga pengësia e së shkuarës!”, u shpreh ai.

Sipas Thaçit, Kryeministri Rama ka të drejtë kur thotë se nuk duhet të mbetemi peng të së shkuarës, por po harron (apo qëllimshëm nuk e pranon) se çlirimi nga e kaluara vjen vetëm përmes drejtësisë dhe pranimit të të vërtetës.

“I vetmi shtet në rajon që nuk është i gatshëm të ballafaqohet me drejtësinë dhe të vërtetën është Serbia (t'i pranojë dhe t'i dënojë krimet që i ka kryer gjatë luftërave në procesin e shpërbërjes së ish-Jugosllavisë, të distancohet nga këto krime dhe të kërkojë falje për to, t'i paguajë dëmet që iu ka shkaktuar të tjerëve gjatë këtyre luftërave, etj.). Pra, kryeministri Rama pengun e të shkuarës e ka në konak të mini-shengenit, jo te vendet tjera që aludon ai!”, përfundoi Thaçi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat