Ndizet situata në Podgoricë, Abazoviç: O më vrasin, ose largohen nga politika!

Lajme

Ndizet situata në Podgoricë, Abazoviç: O më vrasin, ose largohen nga politika!

Më: 17 tetor 2022 Në ora: 14:29
Dritan Abazoviç

Është ndezur fort lufta politike në Podgoricë, ku sot në Komisionin për Siguri të Parlamentit, Kryeministri Dritan Abazoviç ka hapur dosjet e trafikantëve në politikën e lartë të shtetit.

Nga ana tjetër zv.kryeministri dhe një ministër i qeverisë, pjesë e koalicionit me Gjukanoviçin, kanë akuzuar Dritan Abazoviçin për lidhje me trafikantë.

“Çojini në prokurori çfarë keni për mua, mos flisni këtu, unë i kam dërguar të gjitha, i kam kapur dhe prokuroria e shtetit ka nisur hetimet. Jua kam thënë, ose duhet të më vrisni, ose ndryshe do të largoheni nga politika”, ka deklaruar kryeministri Abazoviç, siç bën të ditur gazeta më e madhe në vend ‘Vijesti’.

Abazoviç, ka bërë të ditur se deri sa u ngjit në qeverinë e Malit të Zi, tema  e kontrabandës ishte një tabu.

“Janë tre klane kontrabandistësh, dhe njëri është padron i partive në të cilat janë Konjeviç (Rashko Konjeviç, zëvendëskryeministër, ministër i Mbrojtjes dhe kryetar i SDP-së), Krivokapiç (Ranko Krivokapiç, Ministër i Punëve të Jashtme dhe President Nderi i SDP) dhe Gjukanoviç, president i Malit të Zi dhe lider i DPS-së. Kjo është arsyeja pse të gjithë po më sulmojnë. Është përgatitur një makinacion për të më akuzuar mua për pjesëmarrje në kontrabandë. U bëj thirrje autoriteteve të hetojnë.

Mund të mbaj përgjegjësi politike për shkak të njerëzve që më rrethojnë, por të mos i ngatërrojmë pistat – kontrabandën e cigareve e bëjnë Uboviç (biznesmeni Ranko Uboviç) dhe Zoran Lazoviç (ish-zv drejtor i Policisë), trafikojnë edhe kokainë madje. Ata kanë financuar zgjedhjet e Podgoricës në 30 vitet e fundit”,  tha Abazoviç në seancën e sotme të Komisionit për Siguri dhe Mbrojtje.

Ndërkaq, zv.kryeministri Konjeviç akuzoi Abazoviçin se ish- drejtori i doganave Rada Millosheviç ka drejtuar një rrjet të rëndësishëm të trafikut të cigareve.

“Rada Millosheviç është një nga organizatorët e kontrabandës, dhe e ka bërë me dijeninë e Abazoviçit”, tha Konjeviç.

Ndërkaq, ish-shefi i shërbimit sekret Savo Kantera, deklaroi se Dritani ka sjellë në ANB Artan Kurtin, njeri me të shkuar kriminale.

Abazoviç, i cili e shkarkoi para pak ditësh Savo Kanterën u kundërpërgjigj, duke thënë se të gjitha dosjet që ka sjellë Kurti kanë dalë të vërteta dhe e akuzoi ish-kreun e shërbimit se ka mbrojtur njerëz të lidhur me trafiqet.

“Tani unë do të largoj nga qeveria Konjeviçin dhe Krivokapiçin, kjo situatë nuk mund të vijojë më”, tha Abazoviç në seancën e komisionit parlamentar që po ndiqet live dhe me mjaft interes nga publiku në vendin fqinj…

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat