VOA/ Shefi i NATO-s, Stoltenberg mirëpret përparimet në bisedimet Kosovë - Serbi

Lajme

VOA/ Shefi i NATO-s, Stoltenberg mirëpret përparimet në bisedimet Kosovë - Serbi

Më: 7 mars 2023 Në ora: 20:17
Foto nga takimi

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha të mërkurën se mirëpret përparimin e shënuar në bisedimet e 27 shkurtit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të cilat i cilësoi si mundësi historike për gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Zoti Stoltenberg i bëri këto komente pas takimit me presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj në Bruksel.

“Mbështesim përpjekjet diplomatike të Bashkimit Evropian dhe gjithashtu mirëpresim bisedimet e fundit që u zhvilluan këtu në Bruksel, si pjesë e dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian ndërmjet Prishtinës e Beogradit. NATO do të vazhdojë të mbështesë plotësisht këtë dialog sepse ne besojmë që kjo është rruga e vetme përpara për qëndrueshmërinë në Kosovë. Kemi një mundësi historike që mund të jetë shumë e rëndësishme për të gjithë rajonin, prandaj mbështesim qasjen konstruktive. Është e rëndësishme tani që palët të tregojnë fleksibilitetit dhe gatishmëri për kompromis si dhe të shfaqin vullnet të vërtetë për të gjetur zgjidhje të qëndrueshme”, tha zoti Stoltenberg.

Javën që shkoi kryeministri Kurti dhe presidenti serb Aleksandar Vuçiç i thanë po një plani perëndimor për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre, që nuk përfshinë njohjen e ndërsjellë, ndonëse kërkohet që palët të respektojnë pavarësinë, sovranitetin dhe tërësinë tokësore të njëra-tjetrës.

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, tha se plani evropian është një hap pozitiv dhe se Shqipëria mbështet rrugëtimin e Kosovës për anëtarësim në organizata ndërkombëtare, duke përfshirë aleancën e NATO-s, zgjerimi i së cilës sipas tij, është shumë me rëndësi në këto kohë sfidash.

“Plani evropian për normalizimin e marrëdhënieve është një hap pozitiv që duhet të qendërzohet në njohjen reciproke ndërmjet dy shteteve. Vlerësoj maksimalisht angazhimin dhe përkushtimin e NATO-s në rajon dhe misionin e KFOR-it si një histori suksesi. Jemi duke kaluar kohë sfidash të mëdha të cilat kërkojnë vendime të guximshme dhe të drejta. Në këtë kontekst është në bindjen time se është mëse e justifikueshme për të konsideruar anëtarësimin e Kosovës në aleancën euroatlantike”, tha zoti Begaj.

I dërguari i Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak pritet të qëndrojë në Prishtinë me nëntë dhe dhjetë mars, para se të shkojë në Beograd më 13 dhe 14 mars për të diskutuar rrugët e zbatimit të planit evropian. Vizitat e tij do t’i paraprijnë takimit të radhës ndërmjet kryeministrit Kurti dhe presidentit Vuçiç më 18 mars në Ohër të Maqedonisë së Veriut ku pritet diskutimi për udhërrëfyesin e zbatimit të palnit evropian, pa të cilin nuk mund të ketë marrëveshje./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat