Zgjedhjet në veri, Janjiq kërkon kujdes nga paramilitarët dhe ekstremistët - ja çfarë thotë për Listën Serbe

Lajme

Zgjedhjet në veri, Janjiq kërkon kujdes nga paramilitarët dhe ekstremistët - ja çfarë thotë për Listën Serbe

Më: 14 prill 2023 Në ora: 20:03
Dushan Janjiq

Marrëveshja e Brukselit e vitit 2013 kriter kyç për mbajtjen e zgjedhjeve në veri e ka pjesëmarrjen e komunitetit serb dhe në këtë aspekt “baza e legjitimitetit të tyre do të jetë e dështuar”, thotë Drejtori i Forumit për Marrëdhënie Ndëretnike në Beograd, Dushan Janjiq, në një intervistë duke folur për zgjedhjet e jashtëzakonshme të 23 prillit në katër komunat veriore të populluara me shumicë serbe. Kjo, thotë ai, është vetëm njëra anë e argumentit. E dyta, tash Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, “do të ketë një argument shumë serioz” në raport me evropianët dhe Këshillin e Evropës për të manipuluar rreth çështjeve me Kosovën, beson ai. “Tash argumenti kryesor i tij do të jetë: Qeveria e Kurtit e theu marrëveshjen themelore të vitit 2013”.

“Mos harroni, marrëveshja bazike në Bruksel nga 2013, zgjedhjet duhet të bëhen me ato kritere, me pjesëmarrjen e komunitetit serb. Në këtë kuptim zgjedhjet do të jenë të dështuara. Do të jenë të ligjshme, por baza e tyre e legjitimitetit do të jetë e dështuar. Kjo është njëra anë. Ndërsa ana tjetër, Serbia tash do të ketë një argument shumë serioz që të manipulojë, dhe sigurisht se ata manipulojnë, dhe kjo do të jetë edhe argument seriozë për evropianët edhe për Këshillin e Evropës. Sepe tash e shoh se çfarë do të bëjë Vuçiqi. Tash argumenti kryesor i tij do të jetë: Qeveria e Kurtit e theu marrëveshjen themelore të vitit 2013. Do të jetë një shpenzim kot i kohës”, tha ai për Nacionalen.

Autoritete kosovare vendosën se nuk ka mundësi të shtyhen zgjedhjet në Veri dhe se “nuk do t’i nënshtrohemi shantazhit të Listës Serbe”. Se Lista Serbe është shantazhuese, Dushan Janjiq e ka krejtësisht të qartë. Por, thotë se “unë jam me të vërtetë një nga njerëzit, që me vullnetin më të mirë, që ka bërë thirrje për shtyrjen e zgjedhjeve. Nëse ato shtyhen, do të ishte mirë për atmosferën dhe negociatave në të ardhmen”. Opinionisti ka edhe një kërkesë për ndërmjetësit në këtë fushë. “QUINT’i veçanërisht ShBA duhet të bëjnë punën e tyre, dhe të mos e lënë Qeverinë e Kosovës dhe komunitetin serb në ujëra të thellë. Çfarë do të thotë kjo? Duhet të jenë ndërmjetësuar në rikthimin e serbëve në institucione dhe aty mund të ketë zgjedhje”.

Çështja e këtyre zgjedhjeve, sipas Dushan Janjiq, do të vonojë edhe për dy ose tri muaj më shumë “nisjen” e procesit të normalizimit të marrëdhënieve, përkatësisht Marrëveshjen e Brukselit dhe të Ohrit. “Tash sigurisht, procesi i normalizimit të marrëdhënieve do të shtyhet edhe për 2 ose 3 muaj të tjerë, them për fillimin e procesit”. Megjithatë, Janjiq nuk është edhe pa paralajmërime.

“Duhet vëmendje, të ketë kujdes nga paramilitarët, kujdes nga ekstremistët dhe kujdes nga humbja e kontrollit prej njerëzve të cilët janë të interesuar për të prishur sigurinë dhe ta kthejnë në dhunë. Besoj se nuk do të kthehet në dhunë, por besimi është diçka tjetër. Por, e di që ky realitet ekziston, se ata janë nën kontrollin e politkanëve siç është Lista Serbe”, na tha ai.

Çështja e Asociacionit si “parakusht” i Serbisë

Pala serbe kaherë e artikulon si “parakusht të të gjitha parakushteve” themelimin e Asociacioni të Komunave të banuara me shumicë serbe. Qoftë për zbatimin e marrëveshje, qoftë për rikthimin e serbëve në institucione. Për Janjiqin kjo s’është hiç realiste. Madje ai s’beson se do të ketë Asociacion çfarë e kërkon Beogradi.

“Ata po kërkojnë diçka që në këtë pikë është e pamundshme. Por, në ndërkohë, pala tjetër e lehtësuesve duhet të gjejë një kompromis, atë çfarë është e mundshme. Çfarë tha Bislimi, që është prezentimi i draft-Statutit ose diçka që do të jetë Asociacioni. Nëse më pyesni mua, të shihni marrëveshjen për normalizim dhe aneksin e Ohrit, mund të them se në fund do të ketë institucion që nuk do quhet Asociacioni i Komunave Serbe. Sepse më e rëndësishmja sesa decentralizimi i qeverive lokale është identiteti nacional. Në themel Këshill Kombëtar”. 

“Para Marrëveshjes së Brukselit ka pasur Këshill Kombëtar të Serbëve dhe Ahtisaari e ka pranuar këtë. Në fund, në projektin final, mund të shoh diçka që ekziston në Planin e Ahtisaarit. Ky do të jetë kombimi i Asociacionit dhe një trup i pavarur siç është Këshilli Kombëtar i Serbëve që përfaqëson interesat e shoqërisë serbe, e jo politikanëve, sepse kjo e Komunave përfaqëson ato të politikanëve dhe politikës. Por, e dini, njëherë duhet të vimë aty, kjo kërkon një ose dy vite tjera të negocitatave. Tash ky moment, mund të them se kjo është organzim i performancave politike me organizimin e zgjedhjeve për kryetarë. Sigurisht mbase Bislimi dhe Kurti kanë kalkuluar, dhe në këtë mënyrë po provojnë të forcojnë pozicionin e tyre negociator. Këtë nuk e përjashtoj edhe Vuçiqi do ta bëjë këtë”, tha Janjiq.

Janjiq është për shtyerjen e zgjedhjeve...

Së pari, unë jam me të vërtetë një nga njerëzit, që me vullnetin më të mirë, që ka bërë thirrje për shtyrjen e zgjedhjeve. Nëse ato shtyhen, do të ishte mirë për atmsoferën dhe negociatave në të ardhmen. Kjo do të ishte një sinjal nga pala kosovare që nuk do të marrin pjesë në eskalimin e një krize të re sigurie. Kaq për këtë. Shtyrja do të ishte njëra anë e lajmit të mirë. Zgjedhjat e para të thirrura ishin masa e qeverisë kosovare të përballur me veprimin e njëanshëm të Listës Serbe për të dalë nga institucionet. Kjo ishte sigurisht e njëanshme nga Lista Serbe dhe e mbështetur nga Beogradi, vendim tamam i Beogradit”, thotë ai.

“Ana tjetër, përgjigja për të thirrur zgjedhjet herën e parë, dhe shtyrja ishte bazuar në ligjin kosovar por ama ishte situatë e jashtëzakonshme. Në këtë situatë të jashtëzakonshme nga QUINT-i u premtua të gjendej zgjidhje përmes negociatave se si të tejkalohet kriza institucionale dhe e sigurisë që u prodhua nga vendimi i njëanshëm i Listës Serbe. Kjo nuk ndodhi fatkeqësisht, dhe tash shpresoj që QUINT=i veçanërisht ShBA të bëjnë punën e tyre, dhe të mos e lënë Qeverinë e Kosovës dhe komunitetin serb në det të thellë. Çfarë do të thotë kjo? Duhet të jenë ndërmjetësuar në rikthimin e serbëve në institucione dhe aty mund të ketë zgjedhje”, përfundon Janjiq.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat