​Duke blerë pikturat kushtuar Nënë Terezës mund të ndihmoni gratë e margjinalizuara

Lajme

​Duke blerë pikturat kushtuar Nënë Terezës mund të ndihmoni gratë e margjinalizuara

Më: 3 shtator 2023 Në ora: 15:26
Foto ilustrim

Figura e Nënë Terezës shihet e pikturuar, skulpturuar dhe e grafikuar në mbi 30 punime në ekspozitën kushtuar jetës dhe veprës së saj. Mbi 20 artistë dorëzuan punimet e tyre për t’i shitur në këtë ekspozitë dhe mjetet e fituara do të shkojnë për gratë e margjinalizuara.

Organizatorja e kësaj ekspozite, Elona Ndrecaj, tha se qëllimi i këtij organizimi është nderimi i Nënë Terezës dhe ndihma për gratë e margjinalizuara.

Ndrecaj: Përmes ekspozitës nderohet Nënë Tereza dhe përfitojnë gratë e margjinalizuara

"Qëllimi i kësaj ekspozite është fillimisht nderimi i Nënës Terezë, këto janë ditët e Nënë Terezës nga 26 gushti deri më datën 5 shtator, kur ka qenë edhe shenjtërimi i Nënës Terezë. Këto janë ditët e shenjtërimit të saj edhe kemi zgjedhur të bëjmë për nderë të saj gjatë këtyre ditëve. Sot ekspozita është nga ora 13:00 deri në ora 17:00 për të gjithë që dëshirojnë të marrin pjesa. Kurse, nga ora 17:00 fillon edhe eventi. Në event janë këto punime, ka skulptura dhe piktura të artistëve të ndryshëm. Janë rreth 32 punime që presin të ekspozohen sot, që prej shitjes së këtyre punimeve që fondet të ndahen për gratë e margjinalizuara, për një organizatë jo qeveritare”, tha Ndrecaj.

Ndërkaq, kuratorja e kësaj ekspozite kushtuar Nënë Terezës, Emanuela Ndrecaj, përmendi disa prej artistëve që morën pjesë me punimet e tyre në këtë ekspozitë, derisa tregoi edhe domethënien e pikturave.

Ndrecaj: Vepra e të ndjerit Kadrush Rama tregon humanizmin që mungon sot

Do i cek disa prej artistëve që vërtetë janë të mrekullueshëm edhe jemi shumë të nderuar që ata janë këtu. E para është që do e cekja Esat Valla, e cila tregon humanizmin në dy forma. Humanizmi shprehet si tek ata që vërtetë nuk kanë asgjë por ata ua kthejnë jetën më një melodi, ua ndryshon perspektivën, nuk ka të bëjë vetëm tek ushqimi, por edhe tek mënyra se si i qasesh një fëmije...Kemi shumë nderë që e kemi këtu, edhe pse ai është i ndjerë, është Kadrush Rama, është babai i Përparim Ramës, kryetarit të Prishtinës, i cili ka vendosur ta kemi pikturë të tij, edhe pse ai tani nuk është më, por që do jetë prezent për publikun dhe që tregon humanizmin që ndoshta e ka kapur pak pluhuri në ditët e sotme”, tha Ndrecaj.

Përveç këtyre, Ndrecaj veçoi edhe punimin prej xhami të artistit Genc Ibrahimi, për të cilin tha se ka të bëjë me ndjenjën e humanizmit.

Ndrecaj: Genc Ibrahimi përmes veprës së tij prezantoi ndjenjën e humanizmit që e kemi për brenda

"Kjo vepra këtu është e Genc Ibrahimit, i cili e ka bërë ta pamundurën që ta realizoj në kohë rekord, vetëm që të jetë këtu prezent dhe ka të bëjë me ndjenjën e humanizmit dhe flakën që e kemi brenda nesh. Prandaj e ka nxjerrur me materialet më të bukura të mundshme, që ai zakonisht punon me xham, i ka ndërlidhur shumë bukur, dhe tregoi se flaka e brendshme nuk është kaq e ngurtë, por ajo vërtetë më çdo vepër të reflektojë ndryshe, siç ne e kemi brendësinë që mund të reflektojmë dhe të bëjmë vepra të mira çdo ditë, është një super mesazh që Genci e ka sjellur sot në ekspozitë”, tha Ndrecaj.

Ndrecaj u shpreh se presin që kjo ekspozitë të jetë e suksesshme në qëllimin e saj, derisa tregoi se çmimet e këtyre punimeve janë të ndryshe dhe caktohen nga vetë autorët, e ato variojnë prej 200 euro deri në 18 mijë euro.

Disa prej emrave të artistëve të tjerë që morën pjesë me veprat e tyre në këtë ekspozitë janë, Anton Krasniqi, Sabri Behramaj, Latife Kryeziu, Musa Kalaveshi, Bislim Elshani, Lumka Bajri, Djellëza Carrabregu, Agron Mulliqi, Shpëtim Mehmeti dhe shumë të tjerë.

Përveç ekspozitës, për t’u dalë në ndihmë grave të margjinalizuara, qytetarët do të kenë mundësi që të blejnë edhe disa prej librave që për tematikë kanë jetën dhe veprën e humanistes Nënë Tereza.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat